Saturday, February 13, 2021

Cenzusi Ndërkombëtar i Shpendëve të Ujit 2021 në Kosovë

Në kuadër të aktiviteteve për monitorimin dhe inventarizimin e biodiversitetit me 16 - 17.01.2021 Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës me ndihmën e vullnetarëve nga Wildlife Albanian Photographers – WAPH, Kosova Wildlife Care – KWC si dhe ekspert e dashamirë të natyrës për herë të tretë me radhë kanë kryer Cenzusin Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit. Edhe këtë herë ky numërim u realizua pothuajse në të gjitha vendet ku ka prezencë të bazeneve ujore si dhe në disa pjesë të rrjedhave lumore. Aktiviteti është realizuar në kuadër të IWC 2021 (International Waterbird Census) që organizohet në nivel botëror, që prej 55 vitesh, nga Wetlands International.

Duke marrë parasysh që këtë vit dimri ka qenë pak më i butë se viteve të tjera atëherë pjesa më e madhe e sipërfaqeve ujore të vizituara ishin pa ngrica, përveç Liqenit të Livoqit dhe atij të Përlepnicës që ishin me ngrica të pjesërishme ndërsa Ligatina e Hencit dhe Liqenet e Vasilevës ishin pothuajse tërësisht të mbuluara nga akulli.

Të vetmet sipërfaqe plotësisht të shkrira ku kishte shpendë uji ishin Liqeni i Badovcit, Liqeni i Radoniqit dhe liqenet e vogla përreth termocentralit të Obiliqit (në afërsi të Deponisë së Mbeturinave në Mirash) ku edhe strehohej numri më i madh i shpendëve të ujit.

Nga rezultatet e mbledhura mund të konstatohet se u vrojtuan gjithsej 19 lloje të shpendëve të ujit me një numër total prej 8.250 individësh.

Edhe këtë herë shumica e shpendëve të ujit të numëruar me këtë rast ishin Rosa e egër Anas platyrhynchos me 5.477 individë dhe Rosa kërre Anas crecca me 1.985 individë që përbënin mbi 90% të numrit të përgjithshëm të shpendëve.

Lista komplete e shpendëve ujorë dhe joujor është prezantuar në raportin e plotë të Cenzusit Ndërkombëtar i Shpendëve të Ujit 2021në Kosovë

Burimi i informacionit: www.ammk-rks.net 


No comments:

Post a Comment