Në kuadër të projektit NET Climate, REC Shqipëri në bashkëpunim me disa ekspertë të mjedisit dhe anëtarë të Organizatave të Shoqërisë Civile në Shqipëri kanë identifikuar rreth 27 praktika me shkarkime të ulëta karboni që zbatohen në Shqipëri.
Praktikat vijnë nga sektorë të ndryshëm të zhvillimit si: Energjia, Transporti dhe Ndërtesat, Edukimi dhe Arsimi, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, Bujqësia dhe Ushqimi. Disa prej tyre janë nisma të një individi, të tjerat janë investime të pushtetit vendor dhe sipërmarrje të bizneseve dhe kompanive. Ka dhe nisma që vijnë nga komuniteti dhe organizata, që përfaqësojnë histori suksesi në lidhje me ndryshimet klimatike, por që ndoshta nuk janë identifikuar kurrë si të tilla.
Identifikimi i këtyre shembujve nuk ka si qëllim vetëm promovimin e tyre, por kërkon që të motivojë njerëzit për të përshtatur një mënyrë jetese sa më miqësore ndaj klimës, gjë e cila sot është një domosdoshmëri për të ulur shkarkimet e CO2.
Sidoqoftë, mentaliteti dhe sjellja njerëzore është një fenomen kompleks dhe jashtëzakonisht i vështirë për tu ndryshuar, veçanërisht kur pasojat e sjelljes dhe modeleve tona të konsumit bëhen të padukshme në jetën tonë të përditshme.
Nga ana tjetër, ndryshimi i sjelljes së qytetarëve kërkon më shumë sesa thjesht përdorimi i disa metodave klasike, siç janë fushatat e ndërgjegjësimit publik dhe shpërndarja e informacionit. Kjo është e vështirë për shumë njerëz të kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë në një nivel personal për të ndryshuar trendin e sotëm të ndryshimit të klimës, për shkak të madhësisë që ka vetë problemi i ndryshimeve klimatike, e lëre më pas që ta lidhin atë me zgjedhjet e tyre të përditshme të jetesës.
Kjo nismë e REC Shqipëri drejton vëmendjen drejt ideve dhe zgjidhjeve të gjelbra që tashmë kanë gjetur hapësirë në realitetin shqiptar.
Shpresojmë që së bashku me të gjithë shfletuesit e këtij botimi, lexuesit e kujdesshëm të tij apo dhe me ekspertët e fushës të mësojmë më shumë për këto praktika me shkarkime të ulëta karboni, ti mbështesim dhe promovojmë ato. REC Shqipëri beson se ky botim shënon fillimin e një niveli të ri të shkëmbimit të njohurive të gjelbra, pa shkarkime karboni jo vetëm midis OJF-ve mjedisore, por dhe me aktorët e tjerë të sektorëve të zhvillimit të vendit.
Publikimin e plotë mund ta shkarkoni këtu: Nisma me Shkarkime të Ulëta Karboni në Shqipëri
No comments:
Post a Comment