Sunday, September 20, 2020

Ndikimet mjedisore nga përdorimi i pesticideve!

Nga: Valdet Teneqja

Mjedisi është burimi kryesor i jetës në Tokë dhe për këtë arsye duhet ruajtur dhe përdorur me kujdes. Përkatësisht termi “MJEDIS” nënkupton tërësinë e rrethanave përreth një organizmi ose shumë organizmave, kombinim i kushteve atmosferike me jetën e gjallesave, zhvillimin dhe mbijetesën e organizmave. Mjedisi mund të përkufizohet edhe si tërësia e elementeve biotike dhe abiotike në tokë. Termi “PESTICIDE” përfshinë një numër të madh të komponimeve që përdoren për mbytjen ose kontrollin e dëmtuesve siç janë: insekteve, bimëve të padëshirueshme, kërpudhave, brejtësve dhe mikroorganizmave.

Pesticidet janë krijuar për t’i mbytur insektet e dëmshme, tokën bujqësore, drithërat, kopshtet e luleve dhe njëkohësisht janë bërë pjesë integrale e jetës moderne por jo gjithçka përfundon këtu. Njerëzit, kafshët shtëpiake, fermerët, punëtorët e bujqësisë dhe bota e egër shtazore, që të gjithë këta janë të prekur në një mënyrë apo tjetër nga tej përdorimi, keqpërdorimi dhe përdorimi i ligjshëm i këtyre kimikaleve toksike. Pesticidet janë të vetmet substanca toksike të hedhura qëllimisht në mjedis për të vrarë disa lloje të gjallesave. Pesticidet të njohura si produkte agrokimike shkaktojnë efekte mbi strukturën dhe funksionet e ekosistemeve duke ulur popullsinë e një nunëri të llojeve; ndryshojnë sjelljen normale të kafshëve, duke stimuluar ose penguar në rritjen e kafshëve dhe bimëve, duke rritur apo ulur performancën riprodhuese të kafshëve.

Meqë Pesticidet sot përdoren pothuajse kudo, dhe atë jo vetëm në kulturat bujqësore në fusha por edhe në shtëpitë tona, parqe, shkolla, ndërtesa, pyje, dhe rrugë. Ky është një shqetësim që ne si Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit “GJETHI” kemi parë të arsyeshme të vëmë në pah efektet shpesh tronditëse për stabilitetin e ekosistemeve. Në prodhimin e këtyre efekteve negative kontribuojnë jo vetëm pesticidet por edhe insekticidet dhe disa fungicide. Ndikimi i pesticideve në mjedis përcaktohet jo vetëm nga sasia e përdorur por edhe nga numri i trajtimeve, mënyrën dhe kohën në të cilën ata do të degradojnë pas aplikimit të tyre në mjedis.

Me rritjen e numrit të popullsisë në nivel botëror do të kemi trend në rritje edhe të prodhimeve ushqimore dhe krahas këtyre edhe rritjen e përdorimit të pesticideve dhe në përgjithësi të produkteve kimike për bujqësinë. Sipas organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara (FAO) për plotësimin e nevojave për ushqim të kësaj popullsie duhet të rritet prodhimtaria deri në 70%. Dhe në këtë proces të rritjes së prodhimtarisë do të rritet edhe përhapja, transformimi, dhe akumulimi në indet e bimëve dhe kafshëve të këtyre kimikateve të përdorura në proceset bujqësore, duke theksuar aspektet më komplekse duke shkaktuar ndryshime mbi strukturat dhe funksionet e ekosistemeve, si dhe drejtpërdrejt në aspektin e grumbullimit të toksinave dhe kancerogjeneve në indet yndyrore të njerëzve dhe kafshëve, nga helmimet tokësore e nëntokësore, ujërave sipërfaqësore, etj..

Çfarë duhet të dini për to dhe pse i përdorim pesticidet?

Këshilli për Mbrojtjen e Burimeve Natyrore (NRDC) me dekada të tëra ka shfrytëzuar shkencën dhe ligjin për të ulur ekspozimin e njerëzve ndaj këtyre pesticideve të cilat ndërlidhen me kancerin, me defekte në lindje, mungesë shkathtësie në të mësuarit si dhe dëmin që ia shkakton botës shtazore.

Pasojat më të rëndësishme janë: ulja e ndryshueshmërisë gjenetike të sistemeve të gjalla, proceset e eutrofikimit të ujërave të ëmbla dhe të specieve detare, ndryshimet kimike- fizike dhe biologjike të tokës.

Arsyeja e përdorimit të pesticideve është aplikimi i tyre në sasi të caktuara duke synuar kontrollin e agjentëve të dëmshëm biologjik që paraqiten në kulturat bujqësore me qëllim që të bëhet i lehtë degradimi i këtyre komponimeve në tokë, ajër dhe ujë pa e ndotur ambientin. Gjithashtu përdorimi i tyre ndihmon prodhuesit bujqësor për të përmirësuar sasinë, cilësinë dhe shumëllojshmërinë e furnizimit tonë me ushqim.

Është me rëndësi të dihet nga ne se çfarë ndodhë me këto preparate pas përdorimit të tyre në kulturat e ndryshme bujqësore. Në fakt ishte dashur që pesticidet të jenë vdekjeprurës vetëm për dëmtuesit në shënjestër, por jo të specieve të tjera.

Helmimi dhe ndikimi mjedisor i pesticideve

Me mijëra njerëz çdo vit raportohen të jenë helmuar nga pesticidet. Ndonëse statistikat për helmime nga pesticidet janë vështirë të sigurueshme, për shkak se shumë klinika nuk i dokumentojnë si duhet këto raste.

Fëmijët janë më të ekspozuar ndaj helmimit nga pesticidet në krahasim me të rriturit për shkak se ata kalojnë kohë më të madhe afër tokës dhe dyshemesë ku janë të vendosura pesticidet, dhe trupat e tyre në rritje, përfshi trurin dhe organet riprodhuese, mund të ndryshojnë në periudha afatgjata apo edhe të përhershme pas helmimit.

Ndikimi mjedisor i pesticideve ka shkaktuar mekanizmin edhe më serioz atë të rezistencës së insekteve ndaj agjentëve toksikë dhe kjo çon në rritjen e produkteve të reja në treg duke rritur fitimet e industrive. Në të njëjtën kohë pesticidet kanë goditur edhe insektet e nevojshme për njerëzit, që nga zhdukja e atyre që ushqenin larvat mushkonjë shkaktoi rilindjen e malaries, e cila u rishfaq në popullatat që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar tashmë jashtë rrezikut. Përdorimi i pesticideve shkakton ndryshime në marrëdhëniet e popujve të niveleve trofike të zinxhirit ushqimor.

Efektet e insekticideve në jovertebrorët, kërpudhat, bakterie dhe mikroorganizma të tokës janë jashtëzakonisht të dëmshme për ekulibrat biologjikë për shkak se këto sisteme të gjalla transformohen nga metabolizmi i mbeturinave organike. Gjithashtu ndryshimi habitatit i shkaktuar nga pesticidet çekuilibron qasjen normale në burimet ushqimore nga kafshët. Edhe burimet ujore janë të prekura sidomos nga prania e pesticideve. Përqendrimet e larta të këtyre substancave shkaktojnë vrasjen e peshkut, ndërsa doza më të ulëta mund të shkaktojnë alergji, si dhe organizmat tjerë të gjallë, të tilla si insektet dhe jovertebrorët, të cilat janë ushqim për peshqit vetë.

Ndotja e Ajrit nga pesticidet

Cilësia e ajrit është një masë e sasisë së ndotësve në atmosferën tonë, e cila përfshin ajrin e brendshëm dhe të jashtme. Pesticidet në bujqësi dhe zonat urbane kanë potencial për të ndotur ajrin tonë, duke prekur njeriun, kafshët dhe shëndetin e bimëve. Disa përbërës të pesticideve qëndrojnë në atmosferë për vetëm një periudhë të shkurtër kohe, ndërsa ka të tjerë që mund të zgjasë më gjatë qëndrimi i tyre. Pesticidet e lëshuar në ajër mund të kalojnë në tokë, të zbërthehen nga drita e diellit dhe uji në atmosferë, apo të zhduken në ajrin përreth.

Prandaj kushtet e motit, temperatura dhe lagështia relative, janë të rëndësishme, këto ndikojnë në ndryshimin e përhapjes së pesticideve në ajër. Edhe shpejtësia e erës ka ndikim të madh në përdorimin e pesticideve. Prandaj fermerët duhet të jenë në dijeni lidhur me kushtet më të përshtatshme për përdorimin e tyre, duke e shmangur ndotjen e ajrit dhe duke e bërë të mundshëm përdorimin e pesticideve në zonat ku ata i synojnë.

Ndotja e ujit nga pesticidet

Ndikimi i pesticideve në sistemin ujorë është studiuar shpesh duke përdorur një model të transportit të tyre deri në ujë. Kemi lëvizje të vazhdueshme dhe bartja e këtyre kimikateve kalon nga zona e aplikuar deri në ujin e pastër që mundë të shfrytëzohet për pije.

Mbetjet e pesticideve janë gjetur edhe në ujërat e shiut dhe në ujërat nëntokësore.

Rrugët kryesore përmes të cilave pesticidet arrijnë ujin, janë; ato mund të deponohen jashtë zonës së synuar, mund të përshkojnë ose kullohen në tokë, mund të bartën në ujë duke rrjedhur ose ato mund të derdhën në ujë, për shembull aksidentalisht ose nga neglizhenca e përdoruesit të tyre.

Faktorët që ndikojnë në aftësinë e një pesticidi për të ndotur ujin përfshijnë, tretshmërinë e tij në ujë, motin, kapacitetin ujëmbajtës të tokës, metodën kimike të përdorur, etj.

Limitet maksimale të lejuara të përqendrimit të pesticideve në ujë janë të përcaktuara nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA).

Në mënyrë të ngjashme, edhe qeveritë e vendeve të zhvilluara vendosin standardet e cilësisë mjedisore, ose përqendrimet maksimale të lejuara të këtyre kemikateve në ujë.

Ndotja e Tokës nga pesticidet

Ndotja e Tokës paraqet ndotjen e sipërfaqes natyrore të Tokës edhe nga aktivitetet bujqësore, përkatësisht nga plehërimi kimik dhe spërkatja me pesticide në mënyrë jo adekuate të kulturave bujqësore. Sepse Degradimi i këtyre kimikateve dhe akumulimi janë dy faktorë që ndikojnë në vazhdimësi në ndotjen e tokës veçanërisht me pesticide. Degradimi përfshinë ndërveprimet e mikroorganizmave të tokës dhe akumulimin që ndikon në mbetjet e pesticideve në tokë. Shumë prej kimikateve të përdorura janë ndotës të vazhdueshëm të tokës, ndikimi i tyre në tokë mund të qëndrojë për dekada të tëra.

Këto mbetje mund të lëvizin në zinxhirë nga toka në ujë, pastaj në bimë dhe nga bimët në njerëz. Kjo lëvizje është një proces kompleks dhe i kombinuar me disa faktorë, përbërja, vendi i aplikimit dhe metoda e përdorimit të pesticideve.

Si të mbrohemi nga ndotja dhe kontaminimi me pesticideve?

1. Zbatimi i sistemit të klasifikimit të atyre me efekte toksike për njeriun dhe ambientin;

2. Zëvendësimi i pesticideve të rrezikshme me ato më pak të rrezikshme dhe që nuk posedojnë efekte anësore;

3. Trajtimi i dhe përdorimi duhur i pesticideve;

4. Ruajtja e duhur e pesticideve;

Konkludimet

Ngrisim shqetësimin tonë lidhur me zbatimin e masave të kontrollit të këtyre kemikateve si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror, sepse kemi të bëjmë me produkte kimike të rrezikshme dhe ndikimi i tyre në tokë mundë të vazhdoj të qëndroj për dekada të tëra.

Meqë përdorimi i pesticideve në bujqësi përbën një nga investimet themelore në teknologjinë e kultivimit dhe mbetet akoma i domosdoshëm për të siguruar rendimente të larta, atëherë ne si organizatë ambientaliste me programin tonë kundër ndotjes kërkojmë që të hartohen programe në ofrimin e asistencës teknike profesionale për fermerët, qeveritë lokale, bizneset, dhe pronarët e shtëpive etj, si nevojë e domosdoshme mbi përdorimin sa më efikas të pesticideve duke kontribuar kështu në ruajtjen e mjedisit për gjeneratat e ardhshme.

No comments:

Post a Comment