Vetëdijesim, disiplinim
apo përgjegjësim mjedisor!
Nga Rizah Hajdari
Paraditen e 1 Majit, mezi mund ta gjejë një vend në terasën e lokaleve më të frekuentuara në Qendrën Tregtare në Bregun e Diellit. Më duket se ka disa vite, për shkak se ia qëllonte të binte shi, 1 Maji nuk e ofronte luksin e kafesë në terasë. Ky një maj po! Madje jo vetëm kafe. Lezeti i diellit të mëngjesit të këtij 1 Maji, po ëmbëlsohej nga petullat, ajvari dhe djathi i shërbyer me kujdes në tavolinat e mysafireve në terasë. Për ata që kafene e terasës e shijonin të vetëm, sikurse puna ime, dukej një çikë e sikletshme të ngeleshe vetëm me një kafe, pa petulla, ajvar e djathë, pa lexuar gazetë dhe pa folur me kënd.
Por, kjo të ofronte një avantazh tjetër, lirinë për të soditur rrethinën. Kjo më dha mundësinë që të bëja një zbulim, që të zbuloja kush është shkelësi i ligjit, kush duhet të jap përgjegjësi?! Hiq më larg se 10 metra nga terasa plot mysafirë e restorantit, mu aty pranë, një njeri po e injoronte tërësisht kohën e kafesë, petullave, ajvarit e djathit. Ai po shpurdhte në konteinerët e mbeturinave. Kishte afër vetës një karrocë dore, tri qese të mëdha plastike, po shkarkonte kontejnerët dhe po ngarkonte karrocën. Çfarë bënte ky njeri? Po injoronte një majin ditën e punëtorëve! Hmm e zura, ky njeri është duke bërë diçka kundër ligjore! Po, po me siguri po! Ky ishte duke punuar në të zezë, që do të thotë që nuk paguan taksa, pastaj me siguri që pa leje është duke i plaçkitur ato që gjendeshin në kontejner.
Pa dyshim këtë duhet lajmëruar te organet e drejtësisë. Ka bazë për dënimin e tij, është shumë e thjeshtë, është duke punuar në të zezë, dhe është duke plaçkitur kontejnerët. Ajo çka gjendet në kontejner, është pronësi e ndërmarrjes publike për mbledhjen e mbeturinave, prandaj ky po bën vjedhje. Çfarë pretendon ti zotëri? Ti mendon se je duke kontribuar në ngritjen e vetëdijes për ruajtjen e mjedisit!!! Jo, jo zotni jo, ka vetëm pak dite që ne kemi shënuar ditën e tokës, kemi dal të gjithë në natyrë, qeveri e parlament, pozitë e opozitë, kemi mbjell pisha, kemi mbledhë mbeturina, kemi organizuar konferenca... A s’na ke pa a? Është problem yti nëse ti nuk ke televizor. Ani riciklimi!! Çfarë mendon ti, me tre thasë najloni, duke i futur në secilin veç e veç hekurin, qelqin dhe plastiken po bën riciklim a?? A e di ti sa projektin për riciklimin e kemi bërë ne, sa donacionet i kemi harxhuar, sa buxhetin, sa fushatën... e tash ti po na shet mend?? Jo jo, kot mundohesh, sa shkollën e kemi kry ne, sa diplomat kemi, besa edhe mastera e doktorata, ti me ma kalu mu? Jo, kurrën e kurrës! Ti vetëm po bënë plaçkitje, ti po mbledh e po shet diçka qe nuk është e jotja dhe po krijon pasuri nga kjo. Ti po e shkel ligjin!
Për ma tepër zotëria juaj, tu përdorur një karrocë dore, ti po pretendon që po kryen punë miqësore për mjedisin, “Environmentally friendly!!!!”. Ti që nuk ke kry as një ditë shkollë dhe që as nuk di me shkru email. A e di ti sa ligjet i kemi bërë ne? Të gjitha i kemi bërë në përputhje me direktivat e BE-së, bile edhe kemi marrë lëvdata për këto ligje, bile kemi bërë edhe strategji. Jo, jo! Strategjia jonë e mbeturinave, nuk e parasheh që ti të përzihesh në këtë punë.
Prandaj ty duhet ndjekur penalisht!. Boll na majte leksione, aman mos na thuaj qe ti po i kursen resurset natyre, mos na thuaj që ti po e zvogëlon vëllimin e mbeturinave për t’u deponuar në deponi, mos na thuaj që ti po e ruan tokën. Aman mos, mos u bëj edhe ti sikurse ata që po thonë që ne po i humbin 1000 hektar tokë bujqësore në vit, mos na thuaj edhe ti që toka jonë është e helmuar... Mos se ti vet je duke plaçkitur kontejnerët, je duke e shkelur ligjin e punës, nuk po paguan taksa!!
Për më tepër ti edhe po i shkel të drejtat e njeriut. Je duke na e prishur tereqillakun, po na e prish pamjen, sidomos atyre që po hanë petulla me ajvar e djathë. Me siguri se duhet të dënohesh. Edhe nëse këtë nuk do të mund ta bëjnë organet tona të drejtësisë, ato ndërkombëtare do të munden... !
No comments:
Post a Comment