Saturday, September 12, 2020

Koha për çaj mali!

Bima që ne e quajmë çaj mali, është e njohur gjerësisht si rigoni i egër (Origanum vulgare). Është bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell të degëzuar, të lartë deri 20 cm. Gjethet i ka të imëta, të kundruellta dhe me bisht të shkurtër. Në maje të degëzave paraqiten lulesat e rrumbullakëta me lule ngjyrë vjollce të kuqe, me aromë të këndshme. Kjo bimë lulëzon gjatë tërë verës. Rigoni rritet nëpër djerrina, gurore, nëpër vende me diell, shpate, nëpër ara, nëpër gëmusha e skaj rrugëve.


Përbërja kimike dhe përdorimi

Përmban kryesisht vaj eterik dhe materie të hidhura. Përveç aromës së fortë, gjethet e rigonit përmbajnë 40 përbërës aktivë mjekësorë. Studiuesit kanë zbuluar se shumë prej përbërësve aktivë të rigonit i përkasin kategorisë së polifenolëve, flavonoidëve dhe anthocianinës që njihen për aftësitë e tyre antioksiduese. Gjethet e rigonit që rritet kryesisht në zonën mesdhetare përdoren të njoma dhe të thara. Këto gjethe janë përdorur si ilaç edhe në mjekësinë tradicionale dhe në mjekësinë popullore. Edhe studimet e sotme klinike kanë vërtetuar dobinë e madhe dhe rëndësinë shëndetësore të çajit të rigonit.


Lufton mikroorganizmat e dëmshëm dhe infeksionet 

Çaji i rigonit ndihmon në parandalimin dhe ngadalësimin e rritjes së mikroorganizmave të dëmshëm. Një studim i publikuar në revistën “Journal of Food Science” zbuloi që përbërësit e gjetheve të rigonit kishin vlera të rëndësishme dhe luftonin ashpër rritjen e infeksioneve dhe përhapjen e inflamacionit. Vaji eterik i rigonit ndikon fort në mënyrë antiseptike. Përdoret për infeksionet e sistemit të frymëmarrjes, infeksioneve nga kërpudhat dhe cistitisit. Rigoni lufton virozat dhe shkurton kohëzgjatjen e gripit, që ka simptoma si: temperaturë e lartë, kollë, dhimbje koke, të vjella, mungesë oreksi e dhimbje trupi. Në formë çaji përdoret për shërimin e inflamacioneve të lëkurës, të mukozes se gojës dhe kundër kollitjes. 

Përmirëson shëndetin e zemrës 

Kjo bimë aromatike është një burim i shkëlqyer i kaliumit, një përbërës i rëndësishëm i qelizave dhe lëngjeve trupore që mban nën kontroll ritmin e zemrës dhe tensionin e gjakut kur organizmi përballet me sasi të larta të sodiumit. Antioksidantët që gjenden tek rigoni ndihmojnë në parandalimin dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara nga stresi oksidues dhe sëmundjet e zemrës. Për më tepër, rigoni është një burim natyral i acideve yndyrore të Omega-3, të cilat ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Rigoni njihet edhe për aftësinë e çlirimit nga dhimbjet dhe spazmave muskulare.


Lufton radikalet e lira

Një studim i publikuar në Revistën “Journal of Pharmacy and Pharmacology” zbuloi që ekstraktet e rigonit përmirësonin dhe rimëkëmbin organizmin nga dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira. Antioksidantët mbrojnë qelizat nga radikalet e lira, të cilat janë kimikate të paqëndrueshme që formohen nga tretja problematike, gjenden në lëkurë kur jeni të ekspozuar në rrezet e diellit, apo tek organet kur ekspozoheni ndaj toksinave mjedisore siç është tymi i duhanit. Populli e përdor për shërimin e organeve të tretjes dhe të urinimit.

No comments:

Post a Comment