Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është
kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse lumore të Alpeve shqiptare si për
të huajt dhe vendasit, nga ku vizitorët e shumtë e përshkruajnë si perlën e
bukurive të Shqipërisë. Izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit
të kaltër të Shalës i ofron aventurierëve një panoramë nga ato që ngjajnë me
Tajlandën e largët.
Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e
këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin
me dorë. Në lumin e Shalës gjendet një bukuri e rrallë, ku për të cilin është e
vështir të thuhet vetëm me fjalë.
Është një mrekulli të shikosh këtë oazë aty ku Shala
përqafohet me Drinin. Ka dy vjet që është bërë pika më e frekuentuar në veriun
e Shqipërisë. I thonë dhe “Blini i Gurit t’Lekës”, sepse aty ka mbyllur vitet e
fundit të jetës së tij, prijësi i Dukagjinit, Leka.
Lumi i Shalës është lumi i cili buron rrëzë Alpeve
Shqiptare. Ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e
deri në Dri. Buron tek kroi i Shtrazës në krye të fshatit Theth, në rrëzë
të majës së Radohinës, nga ku zbret poshtë nëpër luginë të Shalës, nga Thethi,
Ndërlysa e Musha, nga Breg-Lumi tek Porta e Shalës (Gryka e Rrshqëmit),
nëpër Lotaj e në luginën e Shoshit, derisa derdhja e tij shkon në Lesniqe në
Dri (sot liqeni Koman). Është lumë malor me rënie mesatare 22 metra në një
kilometër.
Lumi Shala dallohet me ujin e tij të kristaltë, me prurje
mesatare vjetore, afro 34 m³/sek. Prurjet maksimale arrijnë në nëntor me
52m3/sek, ndërsa prurje minimale në gusht në të cilin arrin 9m³/sek. Lumi i
Shalës është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më i përhapuri është
trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla.
No comments:
Post a Comment