Gjatë muajve korrik-shtator, në Shqipëri, ndodh grumbullim në numër të madh i skifterit kthetraverdhë (Falco naumanni), pasi kjo periudhë korrespondon me atë të parashtegtimit për këtë lloj shpendi.
Shoqata “Shpendët e Shqipërisë” bën të ditur se “në vendin
tonë është gjetur deri më tani një rrjet relativisht i dendur me fjetore të
këtij lloji, duke mbajtur një numër individësh deri në 6000, sikurse është
rasti i fjetores së Luginës së Drinos, e cila është më e madhja në vendin
tonë”.
“Rrjeti i fjetorëve të gjetura deri më tani, ndodhet pothuajse krejtësisht nën pjesën qendrore të Shqipërisë, kësisoj, “Shpendët e Shqipërisë” gjatë këtij sezoni parashtegtimi ka ndërmarrë një nismë kërkimi për të gjetur vendgrumbullime të këtij lloji në Shqipërinë veriore dhe rezultatet e para pozitive më në fund u përftuan”, – thekson shoqata.
Sipas saj, është pikërisht Ultësira e Nënshkodrës vendi ku
vullnetarët gjetën vendgrumbullimin e parë të këtij lloji në Shqipërinë veri-perëndimore.
“Vullnetarët tanë, pas kërkimit në zonë, arritën të
lokalizojnë vendin në afri të aeroportit të Gjadrit, ku u numëruan 22 individë
të këtij lloji, që qëndronin në telat përcjellës së energjisë elektrike. Vendi
u vizitua për 2 ditë rresht, por për shkak të sipërfaqes së madhe fjetoria e
llojit nuk u gjet, megjithëse duhet të jetë diku pranë zonës së
vendgrumbullimit të pasdites së vonë”, – tha shoqata.
Shoqata apelon se nëse dikush ka dëshirën dhe vullnetin për
të bërë kërkime të mëtejshme në zonë për gjetjen e fjetores, të kontaktojë, në
mënyrë që të përcjellim informacionin e detajuar të gjetjeve tona për të
udhëzuar kërkimet. Ndërkohë, shton ajo, nëse shihni grumbullime të këtij lloji
në vijim, sinjalizoni.
Skifteri kthetraverdhë në muajt korrik-shtator kryen lëvizje
të largëta në drejtime të ndryshme, madje kryesisht në veri të territoreve të
folezimit, nëse gjenden zona me ushqim të bollshëm, që u lejojnë familjeve të
reja të grumbullojnë rezervat e duhura për të ndërmarrë shtegtimin e largët
drejt Afrikës.
Shqipëria ndonëse vend me sipërfaqe të vogël, përfaqëson vendin e parë dhe më të rëndësishëm në Europë për skifterin kthetraverdhë gjatë periudhës së parashtegtimit.
Burimi i informacionit: https://ata.gov.al
No comments:
Post a Comment