Dëmet ndaj mjedisit, sisteme sociale të mbingarkuara, mungesë banesash. Strukturat në mbarë botën po dalin nga limitet e tyre ekonomikë, ekologjikë e shoqërorë. A ka alternativa? Cilat janë utopitë e reja konstruktive? Viti 2020 në të kaluarën për shumë njerëz ka qenë sinonimi i së ardhmes, të cilën disa e përfytyronin të ndritshme e disa të errët. Sido që të jetë kjo e ardhme është tani!
Zgjidhjet e së djeshmes nuk vlejnë më për sfidat e së
nesërmes
Bota me strukturat e njohura për ne është duke dalë nga
kornizat e saj ekonomike, ekologjike dhe shoqërore, ose i ka tejkaluar tashmë
ato. Dhe çfarë bëjmë ne? Ne riparojmë sistemin. Korigjojmë dhe përmirësojmë,
kështu kemi bërë gjithmonë. Për shembuli tani po përpiqemi që motorin me djegie
të brendshme ta zëvendësojmë me motorin elektrik. Një projekt mjaft kompleks
dhe i shtrenjtë, që në fund të fundit shërben për të shpënë njerëzit nga A në B
në mëngjes dhe nga B në A në mbrëmje.
A nuk do të ishte me më mend, që të mendonim se përse
lëvizim çdo ditë? Përse njerëzit dynden për ditë në zyrat në qendër të qytetit,
të cilat pastaj pas orarit së punës mbeten bosh. Në vendin më të mirë në mesin
e qytetit, ku njerëzit me të ardhura normale prej kohësh nuk kanë më mundësi të
banojnë. Edhe nëse udhëtojmë me mjete të transportit publik, sfida mbetet e
madhe, sepse në këto periudha të ditës i gjithë trafiku mbingarkohet dhe arrin
limitet e tij. A duhet të jetë dhe të mbetet kështu?
Problemet urbane!
Ose: Ne ankohemi për fermat blegtorale masive dhe për
rezistentët ndaj antibiotikëve që lidhen me to, për tokat dhe ujin e ndotur me
azot apo shpyllëzimin për prodhimin e ushqimit të kafshëve. E megjithatë nuk
heqim dorë nga bujqësia tradicionale. A nuk ka ide më efektive, që i bëjnë
blerësit dhe fermerët të lumtur?
Çfarë të bëjmë
Deri tani kryesisht kemi trajtuar simptomat, pa u
konfrontuar me shkaqet. Ne i riparojmë problemet e shekullit të kaluar me
zgjidhjet e shekullit të kaluar. Sidoqoftë me gjithnjë e më pak sukses, sepse
problemet po bëhen gjithnjë e më komplekse. Është koha për të rishikuar
problemet e shekullit të kaluar dhe ndoshta për të gjetur zgjidhje më të mira,
krejt të reja.
Redaksia e ekonomisë në Deutsche Welle ka vendosur të bëjë
pikërisht këtë në vitin 2020: të mbledhë qasje dhe zgjidhje premtuese nga një
larmi fushash dhe të skicojë një utopi konstruktive, d.m.th. të realizueshme.
Si mund të jenë në të ardhmen puna, lëvizshmëria, ushqimi, komunikimi,
mjekësia, hapësira e të jetuarit dhe bashkëjetesa.
Ne jemi në gjendje t'i bëjmë gjërat më mirë!
Edhe pse tashmë ekzistojnë disa qasje premtuese për
ndryshim, deri tani nuk i kemi zgjidhur me të vërtetë problemet masive
ekonomike, ekologjike dhe sociale, çdo realist duhet ta pranojë këtë. Ne duam
të ndërtojmë "një botë inteligjente”, e konsiderojmë veten jashtëzakonisht
intelligjentë, por nuk i shtrojmë pyetjet e vërteta. Nuk dalim dot nga të
menduarit e shekullit të 20-të dhe gjejmë mijëra arsye, përse gjërat janë si
janë dhe nuk mund të jenë ndryshe.
„Nuk bëhet dot ndryshe! Kolegët duhet të jenë në zyrë. Ka
për t'u rregulluar! Kush do t'i shesë atëherë mallrat? Të pastrojë rrugët? Etj,
etj.”
Jetë e denjë për t'u jetuar
Por nuk është fjala për këtë. Nuk bëhet fjalë për ndalime apo për një "kthim romantik te natyra". Nuk duhet ta kemi të gjithë zyrën në shtëpi, të jetojmë vegan në fshat dhe të ngasim vetëm biçikletën. Kjo është joreale, sepse për shumicën e njerëzve nuk është e dëshirueshme. Dhe atë që nuk e duam, nuk e bëjmë vullnetarisht. Detyrimi dhe ndalimet mund të jenë efikase, por sigurisht që ekzistojnë zgjidhje më tërheqëse, që e bëjnë të jetuarit dhe të punuarit bashkarisht më të këndshëm. E ardhmja është tani! Ne kemi nevojë për utopi të reja, konstruktive! Për këtë duam t'ua japim fjalën urbanistëve dhe futurologëve, ekspertëve të agronomisë dhe politikanëve, vizionarëve dhe mendimtarëve jokonformistë, se cilat mund të ishin strukturat dhe zgjidhjet më të mira. Të kërkosh alternativa është e lodhshme dhe sfiduese, por do t'ia vlejë!
Burimi i informacionit: https://www.dw.com/sq
No comments:
Post a Comment