Thursday, December 26, 2024

A dini çka është kronobiologjia?

E teksa natyra ripërtërin vetveten, edhe ne, pothuajse arrijmë të përjetojmë të njëjtin proces, brenda vetes. Natyra në zbukurim bën që gati-gati edhe e përditshmja jonë të na duket më e bukur. Ndihemi më të gjallë, më energjikë, më optimistë. Pengesat nisin të na duken më të lehta, më të kapërcyeshme, më të zgjidhshme. Dhe një lumë idesh, planesh, projektesh na vërtit sa andej-këtej. “Duam t’i bëjmë të gjitha! Duam t’i nisim tani!” Në këtë aspekt, i kemi shumë borxhe pranverës. Por, e gjitha, nuk është thjesht aq emotive sa duket. Ne jemi qenie të krijuara për të jetuar në harmoni me natyrën, në përshtatje të plotë me ciklet e saj. Mijëra vite më parë, “zgjoheshim me Diellin e flinim me Hënën”. Sigurisht, jemi pjesë e natyrës dhe kjo bën që rregullat e saj të vlejnë dhe për ne. Pavarësisht sesi apo sesa i kemi modifikuar mënyrat tona të jetesës, disa gjëra nuk mund të kalojnë pa u ndjerë. Për më tepër ato rregullohen nga mekanizma të përcaktuar, apo më mirë të themi, të paracaktuar.

Në fakt, kemi të bëjmë me një disiplinë shkencore, qe quhet kronobiologji: kronos -kohë, bios –jetë, logos-studim, njohuri. Kronobiologjia, studion ritmet biologjike të organizmave të gjallë. 

Ritmet biologjike ndahen në cikle të tjera, disa prej të cilave janë:

  • ritmet circadiane, gjenetikisht të përcaktuara për t’u përsëritur çdo 24 orë, si p.sh. prodhimi i hormoneve të caktuara, fjetja, zgjimi, etj
  • ritmet ultradiane që përsëriten më shumë sesa një herë në ditë
  • ritmet infradiane që përsëriten p.sh çdo 28 ditë, siç është cikli menstrual

Ndikimi i mjedisit të jashtëm në ciklet tona biologjike është shumë i madh. Nga ana tjetër, çdo organizëm i gjallë ka një orë biologjike të tijën, të brendshme, një mekanizëm që koordinon një numër të konsiderueshëm ritmesh biologjike.

Funksioni i saj, veç të tjerash, ndikohet gjithashtu nga mjedisi e nga stimuj të jashtëm. Me pak fjalë, ka një orë të caktuar për gjithçka, për të ngrënë, për të fjetur, për t’u riprodhuar, për t’u kuruar. Dhe zakonisht, ata që veprojnë jo të sinkronizuar me orën biologjike, p.sh. personat që punojnë apo rrinë zgjuar natën, përjetojnë çrregullime të caktuara. Sinkronizimi i orës sonë të brendshme me momentet më të rëndësishme të mjedisit të jashtëm është, po ashtu, objekt studimi i kronobiologjisë.

No comments:

Post a Comment