Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka dalë me një sqarim mbi situatën e rënduar të cilësisë së ajrit gjatë ditës së djeshme (27 mars, e mërkurë). “Gjatë ditës së djeshme (27.03.2024) është vërejtur situatë më e rënduar e cilësisë së ajrit krahasuar me ditët tjera, në mënyrë të veçantë për Grimcat e Pluhurit PM10 dhe PM2.5”, njofton AMMK. Sipas AMMK-së gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM10 dhe PM2.5 është regjistruar sidomos në stacionet në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë dhe Pejë, bën të ditur kjo agjenci.
Tutje AMMK sqaron opinionin e gjerë se kjo situatë ka ardhur si rezultat i kushteve meteorologjike në të cilat ndodhej vendi. Sipas të dhënave meteorologjike të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vendi gjatë këtyre ditëve ishte nën ndikimin e masave të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore. Pluhuri i ardhur nga Sahara në Evropë që ka përfshirë edhe Kosovën ka ndikuar në rritjen e vlerave të grimcave të pluhurit. Bartja e pluhurit dhe grimcave të vogla të rërës nga Sahara, është një fenomen që përfshinë shpesh Evropën dhe që manifestohet kryesisht me praninë e grimcave të pluhurit në ajër.
No comments:
Post a Comment