Në ish-Jugosllavi, Mitrovica ishte një ndër qytetet që kontribuonte më së shumti në ekonomi për shkak të gjigantit industrial “Trepça”. Sot, qyteti ka tjetër gjendje. Gërmadhat e ish-fabrikës së akumulatorëve ta zymtësojnë pamjen e qytetit sapo mbërrin nga Prishtina te udhëkryqi i parë në hyrje të qytetit. Por, 20 kilometra tutje, në Shalë të Bajgorës, 27 turbina që prodhojnë energji elektrike përmes erës sikur e mundin zymtësinë ekonomike të qytetit. Rruga për tek ato 27 turbina te Parku i Erës “Selac” kalon nëpër Stan Tërg, ku prej shekujsh nxirren minerale nga nëntoka. Leqet e rrugës që të çojnë te Shala e Bajgorës nuk është që të përgatisin për ndonjë pamje të bukur deri kur mund ta shohësh hapur Parkun e Erës. Majat e kodrave janë të pushtuara nga turbinat krahëgjatë, që shtyhen e rrotullohen prej erës për të prodhuar energji elektrike.
Në të djathtë të rrugës për në park, një tabelë e madhe të fton të kesh kujdes, mos t’u afrohesh pranë turbinave dhe disa rregulla tjera që duhet respektuar. Shpeshherë ato nuk respektohen nga pasionantët e fotografisë. Madje, shumë prej çifteve të reja të Mitrovicës zgjedhin t’i bëjnë fotografitë e martesës aty.
Një kodër pa rrugë dikur, sot është çerdhja e 27 turbinave
të erës, të prodhuara nga General Electrics, që prodhojnë energji elektrike me
kapacitet të plotë 105 MW. Ky projekt, i përfunduar në dhjetor 2021, u realizua
nga “SOWI”, bashkëpunim kosovaro-gjermano-izraelit dhe është projekti më i madh
i energjisë së ripërtëritshme (BRE) në Kosovë, duke përbërë pothuajse gjysmën e
të gjitha projekteve të këtyre burimeve. Vlera e investimit ka shkuar deri në
170 milionë euro, prej të cilave 58 milionë euro janë dhënë kredi nga Banka
Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Besart Buçinca, menaxher i terrenit në Parkun e Erës “Selac”
na përcjell nga turbina e parë e deri te e 27-ta. Lartësia e secilës turbinë
është 178.5 metra e themeli i tyre përbëhet nga 60 tonë çelik dhe 1,000 metra
kub beton. Secila prej turbinave ka nga tre krahë me diametër 19.8 metra të
kapur në rotorin e turbinës që lëvizjet i kthen në energji. Rotori ka një
diametër prej 137 metra.
Prej një turbine te tjetra, distanca shtrihet nga 375 deri 980 metra. Ato të gjitha lidhen me kabllo të mëdha të groposura afro një metër nëntokë dhe kanë destinacion nënstacionin e Parkut të Erës. E rrethuar me alarme, zona e nënstacionit është e qasshme vetëm për persona të autorizuar. Aty na drejton operatori i nënstacionit, Ilaz Kuleta që e njeh çdo skutë.
Në disa kompjuterë brenda vijnë vazhdimisht informacione të
ndryshme. Janë disa “back-up” të furnizimit me energji deri tek gjeneratori që
është në gjendje gatishmërie që të ndizet automatikisht — puna e sistemit të
monitorimit nuk duhet të ndalojë për asnjë çast.
Prej aty nisen kabllot e lartpërçuesit të linjës 110 kV
drejt Vushtrrisë në 20 kilometra largësi. Linja përbëhet nga 92 shtylla me 114
metra distancë nga njëra-tjetra. Tek nënstacioni në Vushtrri energjia elektrike
e prodhuar nga burimi i ripërtëritshëm i erës futet në rrjetin e KOSTT-it,
Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut.
Sipas raporteve të Zyrës së Rregullatorit për Energji, gjatë vitit 2022 nga Parku i Erës “Selac” janë prodhuar 275,121Mwh, që përbëjnë 58.61% të të gjithë energjisë së prodhuar nga BRE. Ndërkohë, në tërësi, ky park gjatë vitit 2022 ka prodhuar 4.35% e gjithë energjisë së prodhuar në Kosovë, që është 6,315 GWh.
Burimi: kosovotwopointzero
No comments:
Post a Comment