Sunday, April 23, 2023

Kosova tjetër në sytë e mjeshtrit të fotografisë…

Arian Mavriqi është emri pas të cilit qëndron mjeshtri i shkrepjeve të faunës së egër, zhanër fotografik ky i vështirë dhe pak i zhvilluar, por që për të është pasion e profesion. Sot, një dekadë më vonë qysh kur ai e nisi karrierën, 11 specie të reja dhe rreth 185 lloje që shpezëve nga këto troje që janë bërë të njoftuna falë shkrejpjeve të tij. E krejt këto histori ai i ndan me njerëzit në baza ditore me qëllim vetëdijësimi që sipas tij ka ndodhur tashmë. Por, rrugën e fillimit as ai nuk e pati të shtruar veçse nuk u ndal. “Fillimisht kam fillu me diçka makro, me ndonjë insekt, ndonjë lule e kështu me radhë pastaj e pashë nevojën për të fotografu dhe shpezët, por për t’i fotografuar shpezët në lëvizje është problem me telefon, thuajse momentalisht e pamundur në të ardhmen nuk i dihet se çka do të sjellin ata të cilët prodhojnë telefonat e mençur, por e pashë të nevojshme se duhet të investoj një aparat plus një lendë adekuate për fotografimin e shpezëve, posaçërisht shpezëve në lëvizje dhe fillova të postoj pa u ndalur, tash pothuajse 10 vite po bëhen që nuk jam ndalur dhe kam një bagazh të kafshëve gjithandej me një cilësi shumë të mirë nga bota e ujorëve, nga bota e grabiqarëve të mëdhenj, nga bota e shpezëve poashtu dhe nga në përgjithësi flora”, thotë Ariani.

E këtu ku është sot nuk ka arritë krejt rastësisht sepse si fëmijë i ka kalu ditët te lumi i Kamenicës duke qenë kureshtar për të mësu për botën ujore dhe duke e ushqy andrrën që me pasë një dokumentar të vetin ku e dokumenton florën dhe faunën e egër.

“Kur fillova në vitin 2013 të postoj fotografi për faunën  atëherë pashë se ky popull ka shumë nevojë për dokumentimin e këtyre specieve se e pashë se nuk e kishin idenë më të vogël për llojin e këtyre shtazëve dhe nuk u ndala edhe sot jemi ku jemi, kam një dokumentar timin javor që është pothuajse i vetmi i tillë në trojet shqiptare edhe më gjerë ku flas gjithmonë për një specie të re, një lokacion të ri, pavarësisht nëse bëhet fjalë për latinë, lagunë, liqen, lumenj apo kështu me radhë kam dëshirë që t’i njoftoj njerëzit mbi ato lokacione që janë të populluar me faunë që edhe ata të shkojnë t’i shohin, ta ndjenjë këtë kënaqësi që unë e ndjej pothuajse çdo ditë”, thotë Ariani.

Foto: FB/arianmavriqiwildlife

Për Arianin pasioni që iu shndërrua në profesion është përmbushje shpirtërore. Ai ka 15 kamera kurth të vendosura nëpër lokacione të Kosovës dhe çdo ditë pret ekskluzivitete.

“Më parë nuk kemi pasë dokumentar në gjuhën shqipe të cilët na kanë njoftuar për këto lloje, pra thjesht është diçka e re, është trend në të gjitha trojet tona, prandaj edhe kanë shumë interesim edhe të rinjtë për t’u kyçur në këtë lloj, në këtë zhanër të fotografisë, ndonëse është zhanri më i vështirë në botë për t’u realizuar sepse nuk ke të bësh me njerëz ke të bësh me kafshë, nuk mundesh termine, duhet të vish këtu ku janë kafshët dhe është më e vështirë, por gjithmonë me vullnet me dëshirë gjithçka është e mundur,” rrëfen ai për Katror Media.

Ai thotë se kjo punë është për të përmbushje shpirtërore, mezi pret që të ketë pamje të reja dhe t’i ndajë me njerëzit, për të ndihmuar edhe të tjerët që në të ardhmen duan të kontribuojnë për shtetin në këtë mënyrë.

Nga rruga e tij e gjatë një njohjen edhe dokumentimn e faunës së egër, ai thotë se nuk duhen cilësuar kafshët e egra si predatorë dhe të dëmshme për njeriun. Ato thjesht duhen lënë në habitatin e tyre sepse kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në ekosistem.

“P.sh një dallëndyshe konsumon diku rreth 300 mijë mushkonja në vit ato kthehen nga shtegtimi për të kry një rol shumë të rëndësishëm, për t’i pastru të gjitha këtu habitatet tona nga këto insekte, përndryshe ne nuk do mundeshim të hanim normal bukë në sofrat tona. Pra, ka lloje të shqiponjave që kthehet special dhe quhet shqiponja gjarpër ngrënëse, pra meny kryesore i ka gjarpërinjtë. Shqiponja tjetër mi ngrënëse meny kryesore i ka minjtë, pra të gjitha këto kryejnë një balanc jetësor të cilën ne nuk e dimë për fat të keq, por me videot tona tash njerëzit kanë mundësi që të shohin se të gjitha kanë një rol të rëndësishëm. Ata çka shkaktojnë probleme te to jemi ne, ato nuk vijnë te ne te habitatet tona të na sulmojnë në qytet, pra ne shkojmë në habitatet e tyre dhe i krijojmë probleme”, shprehet Ariani, teksa na i tregon vendet në Kamenicë, aty ku edhe filloi rrugëtimin e tij prej një fotografi që sot ka bërë emër gjithandej.

Përveç që të dokumentojë bukuritë e paeksploruara të vendit tonë dhe faunën e egër, ai këtë punë e bën që trashëgimia e Kosovës të ketë një databazë për këto specie për të cilën edhe gjeneratat e ardhshme do të mund të mësonin.

Ai thotë se më së shumti e bëjnë të lumtur dhe krenar rastet e vetëdijësimit të njerëzve, që sipas tij sa vijnë e shtohen. Ariani thotë se ka gjuetarë që e kanë kontaktuar duke i thënë se pata në shënjestër kaproll ose mace të egër, por m’u kujtove ti dhe promovimi që i bën faunës së egër dhe i lashë të lirë.

Nga puna e nisur vullnetarisht ai sot jeton dhe i kushton krejt kohën e tij, ka emision televiziv, bashkëpunime me organizata të huaja dhe ministrinë përkatëse (të ambientit dhe planifikimit hapësinor).

Burimi: Katror.info

No comments:

Post a Comment