Sunday, July 3, 2022

Rëndësia e gjelbërimit urban dhe pyllit vertikal

Praktikat e urbanizmit të paplanifikuar dhe shndërrimi i hapësirave të gjelbra në gri janë “zhvilluesit” më të shpejtë të zonave urbane. Duke u njohur me efektet e ishullit të nxehtësisë urbane, kthimi ndaj natyrës siç është gjelbërimi vertikal do të ishte zgjidhje alternative për një zhvillim të qëndrueshëm.
 Nxehtësia e gjeneruar nga trafiku, aktivitetet industriale, ndërtimet dhe të ngjashme ndikojnë në shkatërrimin e biodiversitetit duke bërë që temperatura e ajrit në mjediset urbane të jetë më e lartë se në vendet rurale. Hapësirat e gjelbra bëjnë që qytetet të jenë më eko-miqësore me zhvillim holistik (tre-dimensional). Koncepti i gjelbërimit urban nuk nënkupton vetëm mbjelljet konvencionale në parqe dhe hapësirat publike që jemi mësuar t’i hasim por edhe forma të tjera si përfshirja e gjelbërimit vertikal në ndërtesa, muret e gjalla në vend të fasadave, çatitë e gjelbra në vend të atyre të zakonshme etj.


Vlen të theksohet se më shumë se 70% e investimeve në Kosovë janë investime në ndërtim dhe ky sektor në tërësi është punëdhënësi më i madh në Kosovë në sektorin privat, ku vetëm gjatë dekadës së fundit ka dyfishuar numrin e të punësuarve. Ajo çka dëmton më së shumti hapësirat e gjelbra janë padyshim numri i lartë i ndërtimeve pa leje, ku në Kosovë janë regjistruar 352,836 ndërtime pa leje.

Vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2022 në Prishtinë janë dhënë më shumë se 40 leje ndërtimore dhe nga ky numër më shumë se 30% janë objekte shumë banesore. Ndërsa në vitin 2021 janë lëshuar 171 leje ndërtimi, nga të cilat afro 50% janë objekte shumë banesore me afarizëm. Ajo çka vlen të cekët bazuar edhe në të dhënat e mësipërme të ofruara nga vet Komuna e Prishtinës është se pjesa më e madhe e tyre vazhdojnë të mos i japin prioritet proporcionit në mes sipërfaqes së gjelbëruar dhe sipërfaqes së pllakosur. Zbatimi i proporcionit përveç aspektit estetik është i nevojshëm ne radhë të parë për gjendjen psiko-fizike të banorëve që jetojnë aty dhe më pas për plotësimin e rregullores që parasheh shteti i Kosovës.

Bazuar në të dhënat e mësipërme të marra nga ASK-ja, zgjidhja më premtuese shihet pyllëzimi vertikal. Bimët ndihmojnë në parandalimin e reflektimit dhe uljen e rrezatimit diellor duke krijuar një mikroklimë të brendshme jo të dëmshme për njerëzit, rregullojnë lagështinë e ajrit, prodhojnë oksigjen, thithin dioksidin e karbonit, ulin temperaturën e ndërtesës përmes së cilës reduktohet kërkesa për konsum të energjisë, reduktojnë zhurmën duke lehtësuar kështu rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekosistemit.

Modeli i pyllëzimit vertikal u përfshi për herë të parë në projektin e arkitektit Stefano Boeri në qytetin e Milanos në vitin 2014. Ai projektoi dy ndërtesa që do kishin bimë dhe të cilat siguronin një sasi vegjetacioni të barabartë me 30,000 metra katrorë pyll duke përfshirë dru, shkurre, pemë, shumëvjeçare. Ndërtesat janë projektuar për të mos penguar rritjen e drurëve.

Ndërtesa që përfshijnë pyllëzim vertikal janë ndërtuar edhe në Kinë, ndërsa pritet të ndërtohen edhe në vende të tjera si në Holandë përmes së cilës bimët çdo vit do të thithin 50,000 kilogramë CO2 dhe prodhojnë 13,750 kilogramë oksigjen.

Të tilla projekte kanë nisur tashmë të projektohen në Shqipëri, ku sipas arkitektit Stefano Boeri, falë projektit që do të realizohet, sipërfaqja e gjelbër në Tiranë do të rritet për 550 metra katrorë.
Duke ditur kontributin që ka për lumturinë e qytetarëve në promovimin e shëndetit fizik dhe mendor, gjelbërimi urban e veçanërisht mirëmbajtja dhe pastrimi i rregullt padyshim duhet të jetë tema më e spikatur. Në këtë kuadër bën pjesë edhe përfshirja e gjelbërimit vertikal, që po ashtu duhet të mirëmbahet në baza të rregullta.

Gjendja aktuale e ndërtimeve të pa planifikuara dhe pa kontroll në sistemin urban është shqetësuese për komunitetin dhe të ardhmen mjedisore. Gjelbërimi urban duhet të jetë prioritet i institucioneve vendore, dhe jo vetëm. Qeveria duhet t’iu ofroj zgjidhje sa më racionale problematikave komplekse të mirëmbajtjes, rehabilitimit dhe betonizimit të hapësirave publike. Shtimi i hapësirave të gjelbra dhe zbatimi i normave projektuese që integrojnë standarde për gjelbërim urban duhet të jetë synimi i të gjithë qytetarëve dhe akterëve pjesëmarrës.

Promovimi i kopshteve komunitare, zbatimi i bujqësisë urbane, parqe në secilën zonë në të cilën jetojnë qytetarët dhe pyllëzimi vertikal i ndërtesave shihen si modelet apo praktikat më të suksesshme në këtë drejtim.

Burimi i informacionit: 
https://www.facebook.com/ecmandryshe/posts/pfbid0sd63qmuV8RHJ6FEXuizRVuUM3qHgQ1xF5bGMeQzqHZXfhyCrzxNndpQWD2XDbSn4l 

No comments:

Post a Comment