Nga:
Burim Ejupi Drejtor Ekzekutiv në Institutin për Politika Zhvillimore – INDEP
“Ajo që bën përbën ndryshimin, e tash duhet të vendosni se çfarë lloj ndryshimi dëshironi të arrini,” ka thënë shkencëtarja dhe aktivistja Jane Goodall. Liderët, qeveritë dhe të rinjtë në të gjithë botën kanë ngritur alarmin se na duhet të tkurrim në masë dramatike rritjen e temperaturave për të shmangur ndikimet e pakthyeshme të ndryshimeve klimatike. Shkenca e ka thënë qartë se duhet të veprojmë menjëherë. Për ta bërë këtë, të gjithë ne kemi rol kritik, për të ndikuar tek ata që janë në pozitë pushteti, por edhe të prijmë me shembullin tonë, për të ndryshuar status quo-në.
Si profesionist me përvojë në këtë sektor, i kam kushtuar mbi 25 vjet të karrierës sime shoqërisë civile, në hulumtimin e çështjeve më serioze të Kosovës në aspektin e zhvillimit social, ekonomik dhe të qëndrueshëm, gjatë dekadave të fundit. Dhe më besoni, nuk ka kërcënim më të madh për të ardhmen tonë dhe brezat e ardhshëm sesa ndryshimi i klimës.
Ndikimet klimatike në Kosovë rrezikojnë të
cenojnë disa nga rezultatet më të rëndësishme që kemi arritur në ekonomi dhe
prosperitet. Bujqësia dhe industria, që përbëjnë një pjesë të madhe të
ekonomisë sonë, janë të cenueshme nga mungesa e ujit, valët e nxehtësisë,
thatësirat dhe përmbytjet.
Temperaturat në rritje, si dhe mbjelljet e
parregulluara ndikojnë në shtrirjen dhe shëndetin e pyjeve ekstenzive të
Kosovës, por edhe shkaktojnë pasiguri ushqimore për njerëzit. Kosova ka nevojë
urgjente për një strategji për të tkurrur emetimet e gazrave serë, si dhe për
të zbutur ndikimet klimatike që vijnë nga ndotja e ujit, degradimi i mjedisit
dhe eksploatimi i burimeve. Si shoqëri kryesisht e varur nga lëndët djegëse
fosile, përpjekjet e Kosovës duhet të shoqërohen me lëvizje për të
dekarbonizuar sektorin e energjisë dhe zhvendosje eksponenciale drejt burimeve
të ripërtërishme.
Përshkallëzimi i veprimeve dhe zgjidhjeve
klimatike kërkon politika inteligjente, por edhe lidership klimatike nga
bizneset, prijësit, studiuesit dhe qytetet. Kosova ka shënuar përparim modest
gjatë viteve të fundit, por duhet të përforcojë veprimet e saj që të përafrohet
me ambiciet e reflektuara në angazhimet globale.
Sot është koha të bëhemi bashkë për të tkurrur
shputën tonë kolektive të ndikimit. Kjo është thirrje për institucionet,
bizneset, organizatat dhe palët e interesit, që të ndërmarrin veprime kolektive
ndaj krizës më të madhe në botë, si dhe të punojnë së bashku për zhvillim drejt
një planeti më të sigurt dhe më të shëndetshëm për brezat e ardhshëm. Ne duhet
të punojmë së bashku për të pasur lidership përmes veprimeve konkrete, si dhe
të prijmë me shembull, për të hapur shtegun drejt neutralitetit në karbon, në
Kosovë e më gjerë. Në të njëjtën kohë, duhet të avokojmë për ambicie më të
mëdha në zbutjen e ndikimeve klimatike, duke përfshirë edhe idetë e reja e
novatore në të gjitha nivelet – individuale, organizative, institucionale.
Ne, si shoqëri civile, kemi një rol të
fuqishëm në përkthimin e vetëdijes në veprim në Kosovë dhe në nivel
ndërkombëtar, si dhe besoj fuqimisht se ndryshimi mund të bëhet edhe nga
brenda. Adresimi i krizës klimatike nënkupton edhe ndërmarrjen e veprimeve
kolektive për të zvogëluar konsumin tonë personal të lëndëve fosile, për të
mbështetur ekonominë tonë lokale duke zgjedhur më shumë produkte vendore, duke
zvogëluar sasinë e ushqimit që hedhim.
Në INDEP, ne po përpiqemi të përforcojmë
zotimet tona për veprimet klimatike, sidomos në kuptimin e integrimit më të
mire të çështjeve klimatike në kurrikulën e shkollave të mesme. Ne zotohemi të
punojmë me Ministrinë e Arsimit për të arritur këtë synim, si dhe të zhvillojmë
lëndë, klasa dhe përmbajtje edukative të përshtatura enkas, për të ndihmuar në
rritjen e vetëdijes mbi çështjet që lidhen me energjinë e gjelbër, veprimet
klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit në mesin e brezave të rinj.
Ju ftoj të gjithëve – institucionet e Kosovës,
profesionistët, bizneset, kryetarët e komunave, njerëzit e Kosovës – të më
bashkoheni mua dhe shumë të tjerëve në dhënien e një premtimi personal, për të
ndaluar ose përmbysur efektet e ndryshimeve klimatike. Ne duhet të bëhemi
bashkë sot, për hir të një të nesërme më të jetueshme. Bashkohuni me ne për të
bërë ndryshimin në komunitetin tonë dhe në të gjithë Kosovën, duke plotësuar
Formularin e Zotimit Vullnetar dhe përhapni thirrjen për veprim në rrjetet
tuaja.
No comments:
Post a Comment