Sunday, October 3, 2021

Shllaku: Gazi i sjell Kosovës energjinë e munguar sot, atë elektrike dhe termike

Raportimet se Qeveria e Kosovës i ka thënë jo një projekti të MCC-së për futjen e gazit natyror amerikan në Kosovë, ka ngjallur reagime të ashpra. Mungesa e transparencës në lidhje me këtë projekt ka bërë që reagimet të orientohen krejtësisht në sensin politik, ndërsa kanë lënë tërësisht jashtë përfshirjes së profesionistëve të fushës për t’i dhënë vlerësimet e tyre në lidhje me përfitimet e mundshme të Kosovës nga ky projekt. Në një intervistë për agjenciënë e lajmeve KosovaPress, Luan Shllaku eksperti i njohur i fushës së mjedisit dhe energjisë ka thënë se përfitimet, nëse gazi do të sjellët në Kosovë mund të jenë të shumta.

Në vazhdim sjellim intervistën e plotë të Luan Shllakut për agjenciënë e lajmeve KosovaPress.

KosovaPress - Z. Shllaku është raportuar se Kosova i tha jo projektit për gazin natyror, ose siç po njihet tani me emirin projekti për gazin amerikan. Ju përmes një postimi në mediat sociale nga perspektiva e ekspertit të energjisë i keni radhitur disa përparësi që Kosova i ka pasur për të qenë pjesë e këtij projekti. Nga perspektiva e një eksperti, të lutem na thuaj pse ka qenë i rëndësishëm ky projekt  le të themi në rrafshin e energjisë ?

Shllaku: Ajo që unë shkrova e kishte një qëllim: ta vlerësojë idenë e futjes së gazit natyrorë në Kosovë. Por kjo çështje, si shumë të tjera, fatkeqësisht nuk mund të mbetet e pa-politizuar. Ajo që unë do të dëshiroja të them është se si e vlerësojë idenë e futjes së gazit në Kosove, pavarësisht se nga vjen, dhe i kujt është gazi. Këto ditë na u prezantua mundësia e futjes së gazit amerikan që vjen në një port grek dhe pastaj shkon në drejtim të Maqedonisë, Kosovës dhe më tutje, besoj, por nuk na u tha më shumë, kishte shumë pak transparencë në këtë drejtim. Në anën tjetër, ka kohë që përflitet mundësia që një ditë në Kosovë të përcillet edhe gazi që do të vjen nga Shqipëria. Cilido opsion që të jetë, ne duhet të shohim se çka mund të na sjellë gazi natyror. Jemi ndër vende të rralla që nuk ka infrastrukturë të gazit, heq gazëperquesin që e kemi nga vitet e 70ta, që shtrihet deri në Shkup dhe deri në Mitrovicë në anën tjetër, për shkak se dikur kjo linjë e gazit e kishte furnizuar me gaz termik “made in Kosovo”, metalurgjinë e Kosovës dhe disa objekte të mëdha industriale. Gazi, Kosovës i sjell energjinë e munguar sot, jo vetëm atë elektrike por edhe atë termike, që do të thotë se mund të përdoret, përveç prodhimit të rrymës elektrike, edhe si karburant për ngrohjen e një pjese të madhe të vendbanimeve të Kosovës. Po ashtu, mund të zëvendëson harxhimet enorme që industria sot i bënë duke përdorur energjinë elektrike, që është forma më e shtrenjtë e përdorimit të saj – energjinë termike fillimisht e shndërrojmë në atë elektrike e pastaj këtë energji përsëri e kthejmë në energji termike! Kështu humbim shumë energji.

KosovaPress - Ka vite që përflitet në lidhje me këtë projekt, përjashtimisht njohësve të fushës si puna e juaj, qytetarët nuk kanë shumë njohuri, për të mos thënë aspak në lidhje me atë se për çfarë projekti bëhet fjalë. Të lutem nëse ke mundësi të na japësh disa hollësi në lidhje me këtë projekt?

Shllaku: Fatkeqësisht as unë nuk e njoh këtë projekt sa duhet – di vetëm aq sa na është thënë dhe sa është shkruar për të. Ajo që na thuhet nga Qeveria është se edhe ata duhet ta studiojnë më shumë, se nuk i kanë të gjitha përgjigjet në këtë moment. Nuk më pëlqen fakti se Qeveria ka marrë pozicion që së pari t’i thotë jo mundësisë së ofruar nga projekti MCC, e pastaj do t’i bëjë studimet më të hollësishme për të! Zakonisht bëhet e kundërta: analizohet fillimisht pastaj thuhet po apo jo! Por, le të shpresojmë se MCC do të këtë fleksibilitetin e duhur që të pres që pala jonë të studiojë edhe pak dhe pastaj të vendos.

KosovaPress - Cilat kanë qenë përfitimet që Kosova mund t’i gëzonte në rrafshin energjetik  në rast se do ishte pjesë e projektit?

Shllaku: Përfitimet, nëse gazi (prej ngado që vjen) do të sjellët në Kosovë mund të jenë të shumta:  E para, diversifikon burimet e energjisë, edhe pse jo me karburantet më të pastër të mundur, por e dimë fare mirë se nuk do të mund të kalojmë plotësisht në burime të ri-përsëritshme, sepse kemi pak potencial për një zëvendësim të tillë. Por duhet bërë çmos, dhe menjëherë që të gjenerojmë maksimumin e mundshëm nga dielli, era, fryma etj;  E dyta, do ta kem në dispozicion, një burim shtesë të energjisë, gazin pra, të cilin pastaj e përdorim sipas nevojës. Gazi mundëson që fare lehtë të përdoret vetëm atëherë kur kemi leverdi;  E treta, derisa nuk i bëjmë investimet e duhura në energji alternative, për çka nevojiten dekada nga tash, do të mund ta ndërtojmë një tranzicion me një TC të vogël të gazit i cili ndot përgjysmë me pak se TC me linjit, dhe e katërta e zvogëlojmë dukshëm konsumin e energjisë elektrike, e cila në një pjesë të madhe vjen nga ngrohja gjatë dimrit. Nëse ndërtojmë 5-6 ngrohtore rajonale me gaz, do ta zvogëlojmë dukshëm konsumin e rrymës elektrike, që është si me ndërtu një TC të ri: nëse kursejmë 300 MË energji gjatë dimrit është njëlloj si me e pas ndërtu një TC 300 MË e cila do të rrezikonte dukshëm cilësinë e mjedisit dhe shëndetin e qytetarëve.

KosovaPress - Cilat mund të jenë dëmet në rrafshin energjetik që mund t’i ketë Kosova?

Shllaku: Si çdo karburant me natyrë fosile edhe gazi është ndotës, edhe pse përgjysmë më pak se linjiti. Po ashtu, gazi kushton – duhet ta blejmë jashtë vendit. Por, mund të kushtojë më shumë nëse nuk kemi alternative të qartë për energjinë që i duhet vendit në dekadat e ardhshme, kur linjitin nuk do të mundemi ta përdorim, për shkak të restrikcioneve që i imponon BE, e ne, jam i bindur, nuk do ta kompromentojmë shansin që kemi për t’u bërë pjesë e saj.

KosovaPress - Pas raportimeve se Kosova i ka thënë jo këtij projekti, shumë zëra kritik ndaj këtij vendimi  kanë paralajmëruar për të ardhmen mundësin e varësisë energjetike të Kosovës nga vendet fqinje, konkretisht ndaj Serbisë? Si i shihni ju këto paralajmërime?

Shllaku: T’iu them të drejtën, këto reagime unë nuk i shoh aspak serioze.

Luan Shllaku është eksperti më i njohur i fushës së ambientalizmit dhe energjisë. Me vite vazhdon të jetë një avokus i zëshëm për zhvillimin e energjisë alternative në Kosovë. Është drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur/ KFOS, organizata më e madhe në Kosovë që promovon vlerat e demokracisë.

Burimi i informacionit: KosovaPress

No comments:

Post a Comment