Nga Donjeta Murselaj, Eriona Hoti
Drini i Bardhë është lumi më i dëmtuar në Kosovë për shkak të eksploatuesve ilegalë të rërës dhe zhavorrit. Banorët e fshatrave përreth po i vuajnë më së shumti pasojat. Ata janë të rrezikuar nga gropat e mëdha që janë hapur afër shtratit të lumit dhe nga vërshimet. Institucionet kompetente nuk kanë arritur ta mbrojnë këtë lumë. Ato në të shumtën e rasteve nuk ua konfiskojnë makineritë operuesve ilegalë, të cilët po vazhdojnë degradimin e lumit Drini i Bardhë me gjatësi prej 112 kilometra është lumi më i gjatë në Kosovë dhe më i degraduari. Mbiemri që e shoqëron emrin e këtij lumi, nuk e përcolli edhe fatin e tij. Ai u bë shënjestra dhe terreni më i kërkuar nga eksploatuesit ilegalë të rërës dhe zhavorrit, të cilët që nga paslufta vendosën makinerinë e rëndë përgjatë lumit. Për pasojë sipërfaqe të mëdha të shtratit të këtij lumi janë degraduar.
Sipas raportit të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), sipërfaqja e degraduar e Drinit të Bardhë në vitin 2012, arriti në 1011.75 hektarë.Që nga ai vit, asnjë institucion shtetëror nuk
ka bërë vlerësim të dëmeve që u janë shkaktuar lumenjve të Kosovës nga
eksploatuesit. Por ajo që dihet është se operimet ilegale kanë vazhduar në
vitet paraprake dhe po vazhdojnë edhe sot, e që për pasojë edhe shumë hektarë
të këtij lumi janë degraduar.
Të dhënat e Komisionit të
Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) tregojnë se që nga paslufta ky
institucion nuk ka dhënë shumë licenca për nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit në
lokacionet ku rrjedh Drini i Bardhë. Në Komunën e Rahovecit janë dhënë 17
licenca për shfrytëzim dhe pesë për hulumtim, ndërsa në atë të Prizrenit janë
dhënë shtatë licenca për shfrytëzim dhe pesë për hulumtim.
Këto të dhëna tregojnë se operimet,
përkatësisht degradimet në këto dy komuna në masë të madhe janë bërë nga
operuesit ilegalë.
Sipas të dhënave të KPMM-së, në Komunën e
Prizrenit janë evidentuar 89 operime ilegale të nxjerrjes së rërës dhe
zhavorrit, ndërsa në atë të Rahovecit 70. Fshatrat në të cilat janë evidentuar
më së shumti operime ilegale janë Kramoviku me 35 dhe Krusha e Madhe me 24.
Por këto të dhëna tregojnë vetëm për disa nga
rastet kur KPMM i ka zënë operatorët duke nxjerrë rërë dhe zhavorr ilegalisht,
pasi që gjendja në terren tregon se ka pasur shumëfish më shumë operime tjera
ilegale.
Ekipi i Preportr gjatë qershorit dhe korrikut të këtij viti ka vizituar fshatrat e Rahovecit dhe të Prizrenit, nëpër të cilët kalon Drini i Bardhë, nga Kramoviku deri në Vërmicë, për të parë nga afër gjendjen e shtratit të lumit. Gjendja në terren tregon se shtrati i lumit është degraduar shumë. Operatorët ilegalë, pas gërmimeve kanë lënë pas shumë gropa dhe e kanë devijuar edhe shtratin e lumit.Këto devijime shihen më së miri nga pamjet që Preportr i ka marrë përmes përdorimit të dronit. Pamjet tregojnë se lumi ka devijuar nga shtrati në shumë drejtime.
Çifllak, gropat e mëdha që janë hapur nga
eksploatuesit ilegalë rreth lumit, tani janë shndërruar në deponi të
mbeturinave.
Në fshatin Kramovik të Komunës së Rahovecit,
eksploatuesit e rërës dhe zhavorrit janë duke vazhduar operimet fare pranë
shtratit të lumit, madje edhe në shtratin e tanishëm të lumit, pasi që për
shkak të nxjerrjes së këtyre materialeve, Drini i Bardhë në atë fshat nuk
rrjedh në shtratin natyral të tij, por ka devijuar rreth 50 metra më larg.
Gjatë vizitës në këtë fshat, ekipi i Preportr
ka hasur në një ekskavator, i cili po nxirrte rërë e zhavorr rreth 50 metra
larg nga shtrati natyror i lumit, ndonëse Ligji për
Ujëra e parasheh që një veprimtari e tillë për operuesit e licencuar
duhet të zhvillohet në një distancë prej 150 metrash.
Gjithashtu, në mes të fshatit Çifllak dhe
Dobidol të Rahovecit është parë një ekskavator tjetër i cili ishte ndalur buzë
shtratit të lumit. Afër tij shiheshin vende ku është gërmuar.
Në fshatin Çifllak, gropat nga ku janë nxjerrë
këto materiale kanë mbetur ende të hapura. Tashmë ato janë shndërruar në deponi
ilegale për shkak se në disa pjesë të shtratit të lumit “mbylljen” e gropave e
kanë bërë mbeturinat e ndryshme nga ato të ndërtimtarisë, amvisërisë e deri të
mbetjet shtazore, të cilat kanë formuar pirgje bri lumit.
Për më tepër, këto mbeturina kundërmojnë erë
të keqe dhe banorët kanë frikë nga shfaqja e ndonjë sëmundje.
Viktimat e eksploatimeve ilegale
Në Çifllak banorët hezitonin të tregonin
identitetin e tyre kur flisnin për dëmet që u janë shkaktuar ndër vite nga
eksploatuesit ilegalë të rërës dhe zhavorrit. Kjo edhe për faktin se në këtë
fshat kishte ndodhur një incident i rëndë në vitin 2004.
Për shkak se institucionet përkatëse nuk
kishin bërë asgjë për të ndalur operuesit ilegalë, një gjë të tillë kishin
vendosur ta bëjnë banorët e fshatit.
Ata kishin tentuar t’i ndalnin ekskavatorët që
po gërmonin në shtratin e lumit, por hasën në rezistencë të armatosur nga
operuesit ilegalë, të cilët ishin nga fshati Kramovik.
Nga ky konflikt mbeti i vdekur Q.Th rreth të
40’ave, i cili ishte njëri nga pronarët e kompanisë dhe u plagosën dy fëmijë të
fshatit Çifllak.
Lidhur me këtë rast, Preportr ka tentuar të
intervistojë familjarët e viktimave, por ata nuk janë prononcuar, duke thënë se
kjo tashmë është një “çështje e mbyllur” dhe se ata nuk duan që të publikohen
detaje rreth këtij incidenti, duke u frikësuar se një konflikt i tillë mund të
përsëritet.
Edhe në hulumtimet tjera që ka realizuar
Preportr lidhur me këtë çështje, banorët nuk kanë guxuar të flasin nga frika e
operuesve ilegalë të cilët i kanë kërcënuar.
Ish-ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, në një
prononcim të mëhershëm për Preportr pati deklaruar se operuesit ilegalë kanë
qenë të dhunshëm edhe ndaj inspektorëve.
“E kemi pasur shumë të vështirë pasi në fillim
inspektorët tanë janë pritur me kallashnikovë prej pronarëve të kompanive, ata
(kompanitë) njëjtë kanë pasur probleme me banorët”, pati thënë Gashi.
Incidenti i vitit 2004 nuk ishte i fundit në
fshatin Çifllak, kjo për faktin se operimet ilegale nuk u ndalën asnjëherë. Në
vitin 2015, L.L., banor i fshatit Çifllak, rreth të 50’ave, humbi jetën pasi që
ra me traktor në njërën nga gropat që ishin hapur nga ekskavatorët afër lumit.
Gropat e tilla vetëm sa janë shtuar ndër vite në këtë fshat, ndërsa banorët
shprehen të shqetësuar se aty mund të pësojnë sidomos fëmijët e tyre.
Përveç këtij rreziku, ata thonë se afër lumit
ka qenë një natyrë piktoreske e cila është shfrytëzuar për rekreacion, por tani
çdo gjë është shkatërruar.
“Këtu më nuk ka mbetë kurgjo e mirë. Unë e
mbaj mend, kur kemi qenë në shkollë fillore, jo vetëm ne, por edhe nxënësit nga
Gjakova kanë ardhë për piknik afër lumit, në Çifllak. Uji ka qenë shumë i
pastër, i rrethum me gjelbërim”, thotë S.M., banor i këtij fshati.
E këtë situatë po e vuajnë edhe peshkatarët.
Sokol Sahitaj, banor i këtij fshati dhe peshkatar, thotë se operimet ilegale
kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në florën dhe faunën e lumit.
“Nuk ka peshk ma. Edhe nëpër ata bazenat që
janë afër Drinit, nuk ka më kurgjo. Ne peshkatarët dalim nga pak aty sa me kalu
kohën. E kanë dëmtu operuesit ilegalë duke nxjerrë rërë dhe zhavorr ditën dhe
natën. Drini po ndryshon çdo ditë e më keq”, u shpreh Sahitaj.
Për vite me radhë, kompani të shumta kanë
nxjerrë rërë dhe zhavorr nga Drini i Bardhë. Eksploatimet e tyre ilegale jo
vetëm që shkatërruan hektarë të tërë të shtratit të lumit, por nga dëmet që
lanë pas po rrezikohet edhe jeta e banorëve përreth
Përveç dëmeve të lartpërmendura, banorët thonë
se për shkak të dëmtimit të shtratit të lumit, gjatë stinës së vjeshtës dhe të
dimrit shtëpitë dhe arat e tyre janë të rrezikuara nga përmbytjet.
Pa specifikuar ndonjë afat kohor, në këtë
ministri thonë se do të fillojë faza vijuese për krijimin e hartave të rrezikut
nga vërshimet.
Nga kjo ministri vlerësojnë se ekzistojnë
rreziqe nga përmbytjet përgjatë rrjedhës së Lumit Drini i Bardhë, nga fshati
Kramovik deri në Vërmicë.
“Rreziku ekziston, përderisa veprojnë
eksploatimet nga operatorët e papengueshëm të inerteve. Pas përfundimit të
hartave të rrezikut, do të bëhet plani i menaxhimit të rrezikut nga vërshimet
dhe me të propozimi i masave të cilat duhet të ndërmerren”, thuhet në
përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit.
Kjo ministri ka bërë të ditur se janë
rehabilituar/rregulluar dhe pastruar 11 shtretër të disa lumenjve, për pellgun lumor Drini
i Bardhë. Ky investim i kushtoi buxhetit të shtetit 4 milionë e 248 mijë e 990
euro.
Deri më tani asnjë institucion nuk ka bërë
ndonjë vlerësim të dëmeve që janë shkaktuar në Drinin e Bardhë e as në nivel
vendi, e rrjedhimisht nuk ka ndonjë vlerësim se sa do t’i kushtojë buxhetit të
Kosovës rehabilitimit i këtyre dëmeve.
Institucionet kanë dështuar ta mbrojnë lumin
Për më shumë se dy dekada eksploatuesit e
rërës dhe zhavorrit kanë operuar ilegalisht pothuajse para syve të
institucioneve shtetërore, të cilat do të duhej ta mbronin mjedisin duke
parandaluar, por edhe duke i ndëshkuar degraduesit.
Në Ministrinë e Mjedisit e pranojnë se Drini i
Bardhë u dëmtua nga operatorët ilegalë. Kjo ministri, por edhe KPMM-ja i kanë
inspektoratet përkatëse që dalin në terren për të verifikuar dhe monitoruar
gërmimet që bëhen qoftë nga gurthyesit apo edhe nga eksploatuesit e rërës dhe
zhavorrit.
Kryeinspektori i Inspektorati të Ministrisë së
Mjedisit, Bedri Halimi, thotë se ky institucion ka nevojë për më shumë
inspektorë pasi që aktualisht kanë vetëm 12 të tillë dhe vetëm tre prej tyre
janë të ujërave.
“Në shumë raste inspektorët e ujërave apo
natyrës, madje edhe ndërtimit e planifikimit, detyrohemi t’i përdorim edhe për
inspektime që nuk janë të fushës profesionale të tyre. Krejt kjo për shkak se
kemi staf shumë të vogël të inspektorëve”, thotë Halimi.
Ai thotë se kur hasin në operues ilegalë,
rastet i procedojnë në gjykatat kompetente. Por shprehet i pakënaqur me
trajtimin e lëndëve nga gjykatat, pasi që sipas tij, një numër i konsiderueshëm
i lëndëve parashkruhen, ndërsa edhe dënimet që shqiptohen ndaj operuesve
ilegalë janë shumë të vogla.
Parashkrimi konsiston në atë se për shkak të
kalimit të afatit të caktuar me ligj, shteti e humbë të drejtën e ndjekjes së
personave apo kompanive dhe rrjedhimisht nuk mund t’u shqiptohet dënim për
veprat e kryera.
Halimi thotë se përmes parashkrimit të një
numri të madh të lëndëve që ata i dërgojnë në gjykata po amnistohen degraduesit
e mjedisit, të cilët në të shumtën e rasteve i përsërisin veprat.
“Vlen për t’u theksuar fakti se te lëndët e
parashkruara, gjykatësi gjen hapësirë dhe kohë për të shkruar dy-tri faqe tekst
si arsyetim sesi është parashkruar lënda, por nuk gjen kohë për ta shkruar
gjysmë faqe për ta dënuar simbolikisht kryerësin e veprës”, thotë Halimi.
Kundër eksploatuesve që nxorën ilegalisht rërë
dhe zhavorr në Rahovec dhe Prizren, që nga viti 2015 e deri në korrik të vitit
2021, KPMM ka dërguar në prokuroritë përkatëse 388 kallëzime penale.
Sipas Ligjit për
Miniera dhe Minerale, nëse një person zhvillon aktivitete të hulumtimit,
shfrytëzimit ose aktivitete të veçanta pa poseduar licencën ose lejen e
nevojshme, gjobitet duke filluar nga pesë mijë euro për secilin aktivitet të
tillë.
Por edhe në këtë institucion shprehen të
pakënaqur me trajtimin e këtyre rasteve nga gjykatat.
Selvete Grajqevci-Pllana, kryesuese e
departamentit Ligjor në KPMM, ka thënë për Preportr se parashkrimet po ndodhin
për shkak të neglizhencës së institucioneve të drejtësisë.
ME LIGJIN PËR MINIERA DHE MINERALE, ËSHTË
PARAPARË QË PËRVEÇ DËNIMIT ME GJOBË TË SHQIPTOHET EDHE MASA E BURGIMIT DERI NË
GJASHTË MUAJ, E QË NUK ZBATOHET ASNJËHERË.
Ajo thotë se dënimet e shqiptuara nga gjykatat nuk janë në proporcion me veprat penale që janë kryer në terren, sepse asnjëherë nuk shqiptohet masa dënim me burgim ose sekuestrim të mjeteve të punës me të cilat është kryer vepra penale. Sipas saj, në raste të tilla operatorët e vazhdojnë punën ilegalisht.
Grajqevci-Pllana thotë se në shumë raste
shqiptohen dënime shumë të ulëta, 200 - 300 euro, apo dënime me kusht për të
cilat ajo konsideron se nuk e arrijnë efektin e duhur për veprën që e kanë
kryer operatorët ilegalë.
“Me Ligjin për Miniera dhe Minerale, është
paraparë që përveç dënimit me gjobë të shqiptohet edhe masa e burgimit deri në
gjashtë muaj, e që nuk zbatohet asnjëherë. Ka raste kur lirohen gjoja në
mungesë të provave ose ju shqiptohet një gjobë simbolike sa për të thënë kemi
marrë masa”, thotë Grajqevci-Pllana.
Një nga problemet me operatorët ilegalë të
cilëve nuk u sekuestrohen mjetet e rënda të punës siç janë ekskavatorët, është
fakti se pavarësisht gjobave të cilat KPMM ua shqipton atyre, të njëjtit i
heqin shiritat që vendosen përreth nga inspektorët dhe vazhdojnë të operojnë
ilegalisht në ato lokacione, duke e degraduar mjedisin.
Se nuk po konfiskohen këto mjete të punës e
kanë konfirmuar edhe nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar
dhe të Konfiskuar. Nga ky institucion kanë thënë se në periudhën 2015 – korrik
2021, kjo agjenci ka administruar vetëm një rast të konfiskimit të mjeteve të
tilla, e që për më tepër, nuk ka ndodhur në zonën e Rahovecit ose të Prizrenit,
që janë fokus i këtij hulumtimi.
Mirëpo, me vendim të gjykatës, me urdhër të së
cilës bëhet sekuestrimi, pasuria e sekuestruar në këtë rast, i është kthyer
sërish pronarit.
Siç duket, ky mosefikasitet i institucioneve
ka ndikuar që degradimi i mjedisit të bëhet në mënyrë të vazhdueshme, siç po
ndodh edhe në Lumin Drini i Bardhë.
Pasojat shumëdimensionale të operimeve ilegale
Operimet ilegale në shtratin e Lumit Drini i
Bardhë kanë shkaktuar pasoja të shumta. Zeqir Veselaj, profesor dhe njohës i
fushës së mjedisit, i sheh si shumë shqetësuese dëmet që janë bërë në këtë
lumë.
Ai thotë se pasojat nuk janë vetëm në vendin
ku eksploatohet, por edhe shumë kilometra më larg në drejtim të rrymës ujore,
duke bartur dhe grumbulluar inertet e shtratit që në vende të caktuar rrisin
mundësitë e vërshimeve. Sipas tij, pasojë tjetër, jo më pak e rëndë, është
ndotja e ujit nga rrjedhjet e makinerive (derivate, vajra etj.) që përdoren për
eksploatim.
“Gërryerja e shtratit gjithashtu provokon
erozionin lumor që dëmton tokat bujqësore rreth lumenjve. Lumi përmes
vërshimeve dhe erozionit ‘hakmerret’ kohë pas kohe për abuzimin që po ua bën
faktori njeri”, thotë Veselaj.
Ai thotë se gërryerja e substratit të shtratit
të lumit ndryshon karakteristikat fizike të ujit (tejdukshmërinë, turbullirat
etj.) që e vështirësojnë jetën e organizmave akuatikë bimorë, e sidomos atyre
shtazorë.
GËRRYERJA E SHTRATIT PROVOKON EROZIONIN LUMOR
QË DËMTON TOKAT BUJQËSORE RRETH LUMENJVE. LUMI PËRMES VËRSHIMEVE DHE EROZIONIT
“HAKMERRET” KOHË PAS KOHE PËR ABUZIMIN QË PO UA BËN FAKTORI NJERI.
Profesori Veselaj thotë se gropat e krijuara
buzë lumenjve ndikojnë që uji të akumulohet dhe gjatë muajve të thatësisë të
ketë shkëputje të rrymës ujore që rrezikon peshqit dhe organizmat e tjerë
ujorë, të cilët duhen të jetojnë në “pellgjet” e krijuara nga ekskavatorët.
“Gërryerja e lumenjve e ulë edhe syprinën e
lumit, duke vështirësuar shfrytëzimin e ujit për ujitje përmes kanaleve
ujitëse”, thotë ndër të tjera Veselaj.
Të gjitha këto pasoja që i thekson Zeqir
Veselaj, shihen edhe në terren në fshatrat e Rahovecit dhe Prizrenit.
Në fshatin Piranë të Prizrenit shtrati i Lumit
Drini i Bardhë është shumë i dëmtuar. Afër tij ka mbetur e hapur një gropë e
madhe, e cila është krijuar nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit.
Tashmë kjo gropë është e mbushur me ujë dhe
ndodhet shumë afër shtëpive. Banorët e Piranës shprehin shqetësimin e tyre dhe
frikën se mund ta pësojnë nga kjo gropë gjigante.
“Kemi frikë për fëmijët, të cilët mund t’u
afrohen atyre gropave të mëdha. Drini ka qenë shumë mirë, por këto kompanitë me
bagera e kanë dëmtu shumë. Ata kanë thanë që kanë me i mbulu gropat, po nuk i
kanë mbulu”, thotë një banore e këtij fshati.
Edhe Hamit Morina, banor i këtij fshati, na
tregon se më herët ka pasur më shumë gjallesa ujore dhe në përgjithësi toka të
mira, me rendimente të larta, para se aty të fillojë gërmimi nga ekskavatorët.
“Ka pasë edhe ngjalë, tashmë s’ka. Është dëmtu
shumë shtrati, edhe tokën e kanë dëmtu shumë. Me mijëra hektarë janë dëmtuar”,
ka thënë ai.
Degradime të mëdha të shtratit të lumit janë
bërë edhe në fshatrat Dejnë, Dobidol dhe Xërxë të Komunës së Rahovecit. Në të
tri këto fshatra, gropat që janë lënë pas nga operuesit ilegal janë kthyer në
deponi ilegale, ku tashmë po hedhen mbeturina të ndryshme, të cilat po e ndotin
mjedisin përreth.
Ndërkaq, në fshatin Gexhë dhe Malësi e Vogël
të Rahovecit, nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit janë formuar pellgje të gjata
të cilat shkojnë paralel me lumin.
Një banor i fshatit Malësi e Vogël, i cili
kërkoi të mbetet anonim, thotë se në tokat ku është nxjerrë rëra dhe zhavorri,
nuk mund të kultivohet më asnjë kulturë bujqësore, pasi që ato janë mbushur me
ujë dhe me bimë ujore.
“Vetëm kjo rrugë i ndan. Ti po thua që duhet
150 metra sipas ligjit me operu kompanitë. Po, kqyre sa metra kanë punu këta,
veç një rrugë 3-4 metra e ndan prej lumin pjesën ku kanë marrë zallë me bagera.
Tash kjo tokë ka mbet batall”, thotë ai.
Në situatën aktuale kur institucionet
shtetërore nuk janë sa duhet të fuqishme për t’i ndalur operuesit ilegalë në
Lumin Drini i Bardhë, banorët e fshatrave që shtrihen përreth, do të jenë të
rrezikuar vazhdimisht nga gropat e mëdha që janë krijuar afër lumit dhe nga
përmbytjet e shpeshta që shkaktohen për shkak të devijimit të shtratit të tij.
Ky
hulumtim është realizuar në kuadër të pjesës praktike të “Shkollës
për Gazetari Hulumtuese” e cila organizohet nga Organizata ÇOHU! dhe
mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Redaktuar nga: Besnik Boletini
Burimi i informacionit: http://preportr.cohu.org/sq/hulumtime/Fati-i-zi-i-Drinit-te-Bardhe-347
No comments:
Post a Comment