Thursday, November 19, 2020

Kosova në Rrjetin Evropian të Indeksit të Cilësisë së Ajrit

Pas një angazhimi të vazhdueshëm të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, në kuadër të programit të bashkëpunimit me Agjencinë e Mjedisit të Evropës, dhe me mbështetje të projekteve nga donatorët, Kosova ka arritur të bëhet pjesë e Rrjetit Evropian të Indeksit të Cilësisë së Ajrit. Në kuadër të këtij rrjeti, krahas të dhënave të monitorimit nga të gjitha vendet e Evropës, tani prezantohen të dhënat në kohë reale edhe nga stacionet e rrjetit nacional të Kosovës për monitorimin e cilësisë së ajrit. Të dhënat ofrohen për 12 stacione dhe përfshijnë 5 parametrat kryesorë të cilësisë së ajrit: Grimcat PM10, Grimcat PM2.5, Oksidin e Azotit (NO2), Ozonin (O3) dhe Dyoksidin e Sulfurit (SO2). 


Wednesday, November 18, 2020

Taksa ekologjike që kurrë nuk kontribuoi për mjedisin!

Nga: Nora Simitçiu, Ekologe 

Raporti i Komisionit Europian deklaron se edhe këtë vit autoritetet e Kosovës kanë dështuar të miratojnë dhe zbatojnë masa për të përmirësuar cilësinë e ajrit duke ardhur në përfundimin që ky dështim përbën një kërcënim të madh për shëndetin e popullatës. Edhe pse Kosova ka nevojë të madhe për investime ekologjike meqenëse sot ballafaqohet me ndotje të pakontrolluar nga termocentralet e vjetruara dhe emetimet toksike që vijnë nga burime të shumta, qeveritë e ndryshme për vite me radhë kanë dështuar të zbatojnë intervenime të qëndrueshme edhe pse në dispozicion kanë pasur buxhet specifik i cili ka rrjedhur nga taksa ekologjike. 


Sunday, November 15, 2020

A jemi gati për Agjendën e Gjelbër Evropiane?

Nga: Afrim Berisha, Dr. i Shkencave Mjedisore

Këto ditë në Samitin e Sofjes, vendet e Ballkanit Perëndimor nën patronatin e Bashkimit Evropian, nënshkruan “Agjendën e Gjelbër”, një marrëveshje që synon përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit dhe kalimin në një ekonomi të gjelbër për vendet e rajonit. Kjo marrëveshje e shoqëruar edhe me një udhëzues për zbatim, konsiderohet si një katalizatorë drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të rajonit dhe fuqizimit të mbrojtjes së mjedisit, duke shtyrë përpara përpjekjet për dekarbonizimin dhe tranzicionin e energjisë së pastër deri në vitin 2050. Në fjalën e tij gjatë Samitit, Zëvendës Presidenti i Bashkimit Evropian, Jozef Borel tha ndër të tjera se: “Ballkani Perëndimor është në zemër të Evropës dhe e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja pse angazhimi ynë ka qenë, dhe mbetet, kaq i fortë. Ne kemi një interes të përbashkët në integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe në rritjen e prosperitetit, drejtësisë dhe sigurinë e tyre ".

Formacionet e pazakonta të borës në Ande

Penitenti ose Nieves Penitentis është emri për formacionet e pazakonta të borës që mund të gjenden në lartësi jashtëzakonisht të larta mbidetare. “Penitenti “ është fjalë spanjolle e cila përshkruan kapelën me cep të Nazaretasve, gjegjësisht atyre që pendohen për mëkatet e bëra. Charles Darwini është i pari që ka përshkruar dhe përmendur Penitentet në vitin 1839. Ai i ka vërejtur këto formacione të pazakonta në malet pranë Piuquenes Pass, në rrugën nga Santiago për në Kili kah qyteti argjentinas Mendoza.

Gouffre Berger, një prej shpellave më të thella në botë

Gouffre Berger është një shpellë në Francë, për të cilën – deri në vitin 1963, mendohej se ishte shpella më e thellë në botë. Pika më e thellë e kësaj shpelle, që është matur deri më tash, është 1.191 metra, ndërkaq, sipas të dhënave të fundit, kjo shpellë është e 28-ta më e thellë në botë dhe e katërta më e thellë në Francë.

Krateri Pingualuit – Syri i Kristaltë i Nunavikut

Në majën më të lartë të Quebec-ut verior, në Arktikun kanadez, gjendet një krater me formë të përkryer të rumbullakët, përplot me ujë të pastër si kristali – e që mund të shihet edhe nga Gjithësia. Krateri Pingualuit, nga banorët lokalë njihet dhe me emrin Syri i Kristaltë i Nunavikut. Ky krater është formuar kur një meteor e kishte goditur Tokën para 1.4 milion vjetësh, që e bën atë një prej liqeneve më të vjetra në hemisferën perëndimore.

Kazuari i madh, shpendi më i rrezikshëm në botë

Sipas Librit të rekordeve botërore Guinnes, Kazuari i madh/kazuari australian apo kazuari jugor (latinisht: Casuarius casuarius)është shpendi më i rrezikshëm në botë. Shpendi i tretë më i madh në botë dhe një prej shpendëve më të rënda, kazuari i madh mund të rritet deri në 2 metra (gjatësia mesatare 127-170 cm), meshkujt ndërkaq, mund të peshojnë deri në 55 kg, ndërsa femrat deri në 76 kg. Kthetrat e tyre, të mprehta si shpata, janë të gjata deri në 12 cm, ndërsa kazuari është dhe shpendi i vetëm në botë që ka një lloj helmete mbrojtëse në kokë – e cila e mbron atë derisa vrapon nëpër pyll. Po ashtu duhet shtuar se, ky lloj shpendi mund të vrapojë me shpejtësi deri në 50 kilometra në orë. 


Shkretëtira e njelmët, fenomeni gjeologjik më unik në botë

Dasht-e Kavir, e njohur si shkretëtira e madhe e njelmët, gjendet në mes të rrafshnaltës iraniane, rreth 300 kilometra larg Teheranit. Kjo shkretëtirë është e gjatë 800 km dhe e gjerë 320 km, ndërsa njihet si fenomen gjeologjik – pasi që përbëhet nga formacionet e baltës dhe moçalet e njelmëta.  Para miliona vjetësh kjo zonë ka qenë e mbuluar me oqean, ndërsa kur oqeani kishte shterruar, ai kishte lënë pas vetes shtresën e kripës të trashë 6-7 km. Me kalimin e kohës ndërkaq, kripa u mbulua me shtresën e trashë të baltës. Dhe, pasi që kripa ka dendësinë e vogël, gjatë viteve – ajo ka dalë në sipërfaqe, duke krijuar kupola të njelmëta.