Nga: Nora Simitçiu, Ekologe
Raporti i Komisionit Europian deklaron se edhe këtë vit autoritetet e Kosovës kanë dështuar të miratojnë dhe zbatojnë masa për të përmirësuar cilësinë e ajrit duke ardhur në përfundimin që ky dështim përbën një kërcënim të madh për shëndetin e popullatës. Edhe pse Kosova ka nevojë të madhe për investime ekologjike meqenëse sot ballafaqohet me ndotje të pakontrolluar nga termocentralet e vjetruara dhe emetimet toksike që vijnë nga burime të shumta, qeveritë e ndryshme për vite me radhë kanë dështuar të zbatojnë intervenime të qëndrueshme edhe pse në dispozicion kanë pasur buxhet specifik i cili ka rrjedhur nga taksa ekologjike.
Që nga viti 2012 qytetarët e Kosovës paguajnë taksën ekologjike e cila për tërë këto vite është mbledhur në emër të mbrojtjes së mjedisit. Republika e Kosovës në vitin 2012 ka miratuar Ligjin Nr. 04/L-117 për Taksën Rrugore dhe Ekologjike të Automjeteve dhe sipas këtij ligji qytetarët obligohen që të paguajnë një taksë vjetore për regjistrimin e automjeteve në një shumë nga 10 deri 30 Euro në varësi të tonelatës së makinës.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës vetëm në vitin 2020 në Kosovë janë regjistruar 355,829 mjete motorike dhe rrjedhimisht kanë gjeneruar në buxhetin e Kosovës me anë të taksës ekologjike një shumë prej 4.261.350 Euro. Nëse shohim numrin e makinave të regjistruara që nga viti 2012 kur ky ligj është miratuar atëherë del se në Kosovë që nga viti 2012 deri në vitin 2019 janë regjistruar 2.469.443 automjete me peshë nën dhe mbi 3.5 tonë e që i bie se në buxhetin që i është dedikuar mbrojtjes së mjedisit janë derdhur 28.025.670 Euro. E investimet e ditura e të realizuara nga kjo shumë për mbrojtje të mjedisit deri më sot janë zero. Madje, Qeveritë e Kosovës, duke pasur në shfrytëzim një shumë të tillë kanë lejuar që Kosova të njihet në botë me Prishtinën e cila zuri vendin e parë për ndotje të ajrit në gjithë globin.
Ligji për Taksën Rrugore dhe Ekologjike të Automjeteve ka të meta të mëdha në vetvete. Ky ligj i obligon pronarët e makinave hibride të paguajnë taksën ekologjike - gjë që është mjaft paradoksale. Në vend se pronarët e automjeteve që nuk bëjnë emetim apo bëjnë emetim të ulët të gazrave ndotës të mbështeten nga politikat shtetërore, ata përkundrazi detyrohen të paguajnë një taksë të tillë që është mjaft dekurajuese.
Qeveria e Kosovës duhet të tregojë seriozitet institucional dhe të ndërmerr hapa konkret në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë. Tani jemi në një periudhë ku jeta e qytetarëve po vështirësohet edhe më shumë. Pandemisë COVID-19 po i shtohen edhe gazrat kimik që po shkaktojnë ndotje të madhe të ajrit dhe përkeqësim të shëndetit publik.
Institucionet shtetërore duhet të fillojnë punën për ofrimin e një zgjidhje të qëndrueshme ndaj këtyre problemeve shumëvjeçare të ndotjes përmes rritjes së transparencës në menaxhimin e buxhetit të grumbulluar nga taksa ekologjike, të rishikojnë Ligjin Nr. 04/L-117 për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve, si dhe të shtojnë investimet direkte dhe emergjente duke bashkëpunuar me ekspertët mjedisor në mënyrë që të përmirësohet cilësia aktuale e ajrit dhe e jetesës së qytetarëve.
No comments:
Post a Comment