Saturday, September 19, 2020

Kuqalashi zogu i veçantë i Parkut Gërmia

Në Parkun e Gërmisë në mesin e shumë zogjve është identifikuar edhe një zogë shumë i veçantë dhe i rrallë. Është ky Kuqalashi çafkëzi (Pyrrhula pyrrhula). Prania e tij në këtë Park është identifikuar dhe dokumentuar për herë të parë përmes fotografisë nga fotografi i botës së egër Albert Krasniqi. Në Parkun e Gërmisë deri me tani janë dokumentuar 64 lloje të zogjve. Përndryshe Parku i Gërmisë, është një nga zonat natyrore të Kosovës, që shquhet për biodiversitet të pasur. Kompleksi i biotopeve natyrore të Gërmisë siguron kushte për jetesën e një sere llojesh shtazore.


Sipas hulumtimeve të bëra deri më sot dhe sipas shënimeve të literaturës në regjionin e Gërmisë, përveç 64 zogjve janë identifikuar edhe 5 lloje ujëtoksorësh, 10 lloje të rrëshqitësve dhe 19 lloje të gjitarëve. 

Nga hulumtimet e deritashme janë të evidencuara 610 lloje të florës vaskulare të grumbulluara në 82 familje dhe 83 lloje kërpudhash duke mos llogaritur taksonet e barërave të këqija, atyre ruderale dhe bimëve tjera të ulta. 

Nga llojet e florës vaskulare, 5 lloje janë endemike dhe 12 lloje mjekësore. 

Vegjetacionin pyjor të Gërmisë e përbëjnë 4 bashkësi pyjore: Bashkësia e shpardhit dhe qarrit (prej 600– 700 m lartësi mbidetare), bashkësia e bungut dhe shkozës (800 m ), bashkësia e bungut (820– 870 m) dhe bashkësia e ahut (1000 m).

No comments:

Post a Comment