Monday, June 15, 2020

Trajtimi i çështjeve të mjedisit në mediat e shkruara

Gjatë vitit 2008, së bashku me kolegët Rizah Hajdari dhe Tone Gashi, vendosëm të bënim një hulumtim ku do të vendosnim në fokus trajtimin e problematikave mjedisore në mediat e shkruara ditore. E nisëm këtë hulumtim me qëllim që të pasqyronim kontributin e medieve të shkruara në shpërndarjen e informacionit mjedisor, të nxjerrim një pasqyrë të qartë për problematikat më të trajtuara mjedisore, sektorët, nivelin dhe karakterin e artikujve mjedisorë. 



Gjithashtu përmes këtij hulumtimi ne dëshironim që të dhënat e fituara, t’i marrim parasysh edhe gjatë aktiviteteve tona dhe mbi bazën e kësaj të zhvillonim një partneritet të qëndrueshëm me mediat për sensibilizimin e publikut për problemet mjedisore dhe ngritjen e kualitetit të informatave mjedisore. 

Paraprakisht ne e dinim se edhe problemet mjedisore trajtoheshin deri në një masë në mediat e shkruara krahas problematikave tjera, për faktin se problemet mjedisore janë probleme të shoqërisë sonë. 

Gjithashtu ishte shumë e qartë për ne se trajtimi i çështjeve mjedisore në mediat e shkruara ditore shkonte gjithnjë e me shumë duke u rritur për shkak të shtimit të numrit të gazetave por edhe për shkak të aktiviteteve që zhvilloheshin në sektorin e mjedisit. 

Megjithëkëtë ne nuk dinin aq shumë për nivelin e trajtimit të këtyre problemeve, sektorët mjedisorë që trajtoheshin më shumë, gazetat që i jepnin më shumë hapësirë çështjeve mjedisore, tipet e informative mjedisore që i servoheshin publikut, problemet më të shpeshta që zinin vend në faqet e gazetave etj. 

Kur filluam hulumtimin fillimisht vendosë edhe disa kritere bazë në të cilat do ta mbështesnim atë, kështu që artikujt mjedisorë në mediat e shkruara i identifikuam vetëm gjatë ditëve të punës, secilin artikull të identifikuar e lexuam dhe e sistemuam me kujdes, dhe më pastaj i kategorizuar ata sipas treguesve që kishim vendosur në hulumtim. Ndërkohë që nuk e trajtuam aspekti vëllimor të artikujve. 

Treguesit që i vendosëm në hulumtimi ishin: Numri i përgjithshëm i artikujve për mjedisin, numri i artikujve sipas muajve, numri i artikujve sipas problematikave të trajtuara, numri i artikujve sipas karakterit (tipit) të temës së trajtuar, numri i artikujve sipas nivelit të trajtimit dhe numri i artikujve për mjedisin sipas sektorëve. 

Rezultatet e hulumtimit ishin shumë interesante dhe në bazë të tyre ne nxorëm edhe përfundime. Konstatuam se temave mjedisore në gazetat ditore nuk iu jepet hapësirë e mjaftueshme dhe se trajtimi i mjedisit në shtypin ditor kryesisht ishte me karakter reagues ndaj problemeve mjedisore që shfaqen. 

Po ashtu hulumtimi gjeti se në gazetat tona rrallëherë gjendeshin artikuj mjedisorë në faqet e parë dhe se kishte shumë pak gazetarë të profilizuar që merreshin vetëm me trajtimin e problematikave mjedisore. 

Në krahasim me totalin e artikujve mjedisorë kishte shumë pak artikuj hulumtues dhe komente për shkaqet e problemeve dhe dominonin artikujt me përmbajtje informative, aktivitete dhe probleme të përditshme të mjedisit. 

Gjithashtu dominonin temat mjedisore me karakter lokal, ndërsa fare pak trajtoheshin ato me karakter global. Artikujt që ndërlidheshin me sektorin e ujin dhe mbeturinat ishin më të shpeshtë, ndërkohë që më të rralla ishin ato për tokën, ndërsa që energjetika dhe urbanizimi zinin vend si sektorët që më së shumti ishin të ndërlidhur me ndikimet në mjedis. 

Duke u bazuar në rezultatet dhe përfundimet e hulumtimit arritëm deri te konkluzioni se në Kosovë çështjet mjedisore shumë rrallë trajtoheshin si probleme me prioritet. 

Gazetarët që merreshin me trajtimin e çështjeve mjedisore dhe që hulumtonin temat që në fokus kishin mjedisin nuk ishin të specializuar në këtë fushë. Atyre shpeshherë iu mungonin njohuritë më të thella për problemet e trajtuara gjë që rezultonte që temat e trajtuara të mos arrinin nivelin e duhur profesional. 

Duke diture që problematikat mjedisore janë probleme multidisiplinare, trajtimi i tyre kërkon një përkushtim më të veçantë dhe një hulumtim më profesional. 

Mungesa e informacionit të mjaftueshëm, të besueshëm dhe të siguruar me kohë po ashtu është një tjetër fakt që ndikon në cilësinë e informacionit për mjedisin. 

Problemet mjedisore janë të lidhura ngushtë me njëra–tjetrën dhe çdo problem që lind në një drejtim sjell pasoja edhe në aspekte të tjera mjedisore, andaj nevojitet që çështja të trajtohet deri në fund për të pasqyruar në mënyrë sa më reale ndikimet e tij qoftë në gjendjen e mjedisit apo edhe në shëndetin e njerëzve dhe në mirëqenien e tyre. 

Shpeshherë kërkohet që trajtimi i problemeve mjedisore në media, të bëhet jo vetëm në mënyrë informative, por edhe në mënyrë analitike, kritike, hulumtuese dhe edukativ për të rritur kështu ndikimin në zgjidhjen e këtyre problemeve, dhe që të nxisë që të ndërmerren veprime më serioze në zgjidhjen e problemeve mjedisore.

Një vështrim përmbledhës mbi hulumtimin “Trajtimi i problematikave të mjedisit në mediat e shkruara ditore në Kosovë, me autorë  Afrim Berisha, Rizah Hajdari dhe Tone Gashi, botuar në numrin 6 të Revistës ANASH të Institutit Alb-Shkenca, Dhjetor 2009 dhe në web faqen e Agjencionit të Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës www.ammk-rks.net


No comments:

Post a Comment