Sunday, July 3, 2022

Lansohet herbariumi digjital i Universitetit të Prishtinës

Përmes këtij projekti, synohet qasja më e lehtë në arkivin zyrtar botanik të UP-së, si dhe konservim sa më afatgjatë i mostrave të herbariumit. Aktualisht, në herbarium gjenden mbi 1 mijë herbarë nga flora e Kosovës të ekspozuar në këtë platformë. I pranishëm në këtë organizim ishte rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Në fjalën e tij, rektori Sahiti tha se kjo është një ngjarje e rëndësishme, e cila reflekton punën e palodhshme dhe vullnetin e studentëve, që së bashku me profesorët, të sjellin projekte të rëndësishme dhe kreative.  "Krahas punës së madhe që është bërë në realizimin e këtij projekti, janë vënë në pah edhe dy aspekte të rëndësishme: vetiniciativa dhe aktivizmi studentor, si dhe kultivimi i vullnetarizmit, me ç’rast edhe të diplomuarit tanë kanë kontribuar në këtë projekt,” tha rektori Sahiti. Rektori shtoi që ky projekt ka rëndësi të veçantë dhe se do të vazhdojë të ketë përkrahjen e rektoratit.

Ndërkaq, studentja Dafina Sylaj tha se përmes këtij projekti, është paraparë krijimi i një databaze digjitale, duke paraqitur diversitetin e madh që ka flora e Kosovës. Sipas saj, kjo platformë ofron një qasje të lehtë për të gjithë përdoruesit. “Kemi vendosur që herbariumin digjital ta përshkruajmë sikur portë të mijëra ekzemplarëve të florës së Kosovës, për shkak që vendi ynë paraqet 11% të bimësisë endemike të Ballkanit, ndërkaq nga sipërfaqja zëmë vetëm 2% të sipërfaqes së përgjithshme,” tha ajo.

Detajet nga projekti i prezantoi për të pranishmit studenti Behar Rexhepi, i cili ofroi edhe instruksione se si do të mund të përdoret kjo platformë. Ky projekt është financuar nga dega e Ambasadës Amerikane në Kosovë, KUSA, dhe deri më tani, janë publikuar mbi 1096 herbare.

Për më shumë rreth projektit, shfletoni uebfaqen e tij: https://herbarium.uni-pr.edu/


No comments:

Post a Comment