Sunday, May 1, 2022

Ndryshimet klimatike mund të dëmtojnë 4% të PBB në nivel global deri në 2050

Ndryshimi i klimës mund të dëmtojë rreth 4% të prodhimit vjetor ekonomik global deri në vitin 2050, si dhe të godasë në mënyrë disproporcionale shumë vende të varfra të botës, sipas rezultateve të një studimi të ri që përfshiu 135 vende. Firma S&P Global, e cila bën vlerësime të kreditit për ҫdo vend bazuar te situatën aktuale ekonomive të tyre, publikoi një raport të martën që shqyrtonte ndikimin e mundshëm të rritjes së nivelit të detit dhe të valëve më të shpeshta të të nxehtit, të thatësirave dhe të stuhive. Në një skenar bazë ku qeveritë i shmangen politikave të reja të ndryshimeve klimatike – të njohura si ‘RCP 4.5’ nga shkencëtarët – vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të ulëta ka të ngjarë të kenë një humbje mesatare të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) rreth 3.6 herë më të lartë sesa vendet më të pasura.

Ekspozimi i Bangladeshit, Indisë, Pakistanit dhe Sri Lankës ndaj zjarreve, përmbytjeve, stuhive të mëdha dhe gjithashtu mungesës së ujit nënkupton se Azia Jugore ka 10%-18% të PBB-së së saj në rrezik, afërsisht trefishin e pjesës së PBB-së që rrezikohet në Amerikën e Veriut dhe 10 herë më shumë se rajoni më pak i prekur nga këto fenomene, Europa.

Azia Qendrore, Lindja e Mesme, Afrika Veriore dhe rajonet e Afrikës Sub-Sahariane përballen gjithashtu me humbje të konsiderueshme. Vendet e Azisë Lindore dhe të Paqësorit kanë nivele të ngjashme ekspozimi me ato të Afrikës Sub-Sahariane, por kryesisht për shkak të stuhive dhe të përmbytjeve, të valëve të të nxehtit dhe të thatësirës në vend.

“Megjithëse në shkallë të ndryshme, ky është një problem për të gjitha vendet e botës,” tha analisti i kredive të qeverive në S&P, Roberto Sifon-Arevalo. “Një nga rezultatet më të rëndësishme të këtij studimi është identifikimi i nevojës për mbështetje ndërkombëtare për shumë nga vendet më të varfra të botës”.

Vendet rreth Ekuatorit ose ishujt e vegjël janë më të rrezikuarat, ndërsa ekonomitë që varen më shumë nga sektorë të tillë si bujqësia janë më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike, krahasuar me vendet që kanë sektorë të mëdhenj të shërbimeve.

Për shumicën e vendeve, ekspozimi ndaj ndryshimeve klimatike dhe kostot që vijnë nga këto ndryshime janë duke u rritur. Gjatë 10 viteve të fundit, vetëm stuhitë, zjarret dhe përmbytjet kanë shkaktuar humbje prej rreth 0.3% të PBB-së në bazë vjetore në nivel global, sipas firmës së sigurimeve Sëiss Re.

Organizata Botërore e Meteorologjisë llogarit gjithashtu se gjatë 50 viteve të fundit ka ndodhur mesatarisht çdo ditë diku në botë një fatkeqësi natyrore që lidhet me motin, klimën ose ujin, duke shkaktuar 115 vdekje ditore dhe mbi 202 milionë dollarë humbje në ditë.

Sifon-Arevalo nga S&P tha se disa vende kanë pësuar tashmë një rënie në vlerësimin e tyre të kreditit për shkak të motit ekstrem, siҫ është rasti i disa ishujve në Karaibe pas uraganeve të mëdha që i goditën ato. Por, ai tha se të dhënat e reja nuk do të bëheshin pjesë e modeleve të vlerësimit të firmës, pasi kishte ende shumë pasiguri, si për shembull mënyra se si vendet mund të përshtateshin me këto ndryshime.

Një studim vitin e kaluar nga një grup universitetesh në Mbretërinë e Bashkuar të cilët shqyrtuan mundësinë e një rritjeje më ekstreme të temperaturave globale, parashikoi se mbi 60 vende mund të pësojnë një rënie në vlerësimet e tyre për shkak të ngrohjes globale deri në vitin 2030.

Disa ekspertë kanë sugjeruar gjithashtu zbatimin e një shkallë të ndryshme për vlerësimet, ku vendet me ekspozim të lartë do të kenë një vlerësim krediti për 10 vitet e ardhshme dhe një tjetër vlerësim për pas 10 viteve, kur problemet ka të ngjarë të bëhen më shqetësuese. “Ne përpiqemi të tregojmë se çfarë është e rëndësishme dhe cilat janë vendet që do të preken,” tha Sifon-Arevalo. “Por, ne nuk i bëjmë vlerësimet sipas skenarit të rastit më të keq, ne vlerësojmë sipas skenarit bazë. 

No comments:

Post a Comment