Monday, May 9, 2022

Australia zotohet se do të përgjysmojë mbetjet nga ushqimi deri në vitin 2030

Ushqimi i hedhur në plehra, nuk është vetëm humbje, por është gjithashtu i dëmshëm për mjedisin. Në Australi, qeveria federale dhe autoritetet lokale, po përpiqen ta trajtojnë problemin, por ekspertët thonë se është mënyra jonë e trajtimit të ushqimit ajo që duhet përfundimisht të ndryshojë. Shumë prej nesh shkojnë në dyqan, blejnë ushqime dhe e përsërisin këtë ritual çdo 3 deri në 7 ditë. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë çdo vit, një e treta e ushqimit në botë hidhet në plehra. Kjo humbje i kushton ekonomisë: 27.5 miliardë dollarë në vit vetëm në Australi. "Njerëzit jo domosdoshmërisht e kuptojnë ndikimin që kanë veprimet e tyre, në mos trajtimit si duhet të mbetjeve ushqimore që krijojnë”, thotë aktivistja Melita Jazbec. Shpërdorimi i ushqimit shkakton gjithashtu 8 për qind të gazeve që dëmtojnë atmosferën kur këto mbetje dekompozohen.

Në Sidnei, po ndërmerren nisma pozitive për të trajtuar problemin.

Këtu përfshihen programe riciklimi të drejtuara nga qeveria vendore të cilat përqendrohen në krijimin e humusit nga mbetjet ushqimore. Shumë nga zgjidhjet e paraqitura janë krijuese dhe të thjeshta për t'u zbatuar.

Michael Mobbs është një ambientalist i njohur në Sidnei. Dy dy vjet më parë, ai krijoi ato që ai i quan 'stolat e së ardhmes', të bëra nga materiale të ricikluara. Ato janë pjesërisht ndenjëse, pjesërisht shtretër për mbjellje dhe më e rëndësishmja, pjesërisht kosha plehrash për të gjitha mbetjet ushqimore që vijnë nga kafenetë dhe restorantet. “Zbulova se gjëja më e madhe që mund të bëj, që do të ketë më shumë ndikim, është të ricikloj ushqimin dhe ta kthej atë në tokë”, thotë Mobbs.

Pesë kafene në zonën qendrore të Sidneit dhe pesë kafene të tjera në vend janë regjistruar në këtë projekt. "Nuk ndjen aromë të keqe, njerëzve u pëlqen pamja, kafeneve u pëlqen. Tani do ta kthejmë në biznes dhe dëshiroj që ky projekt do të zgjerohet në mbarë botën", shprehet ambientalisti Mobbs.

Në kafenenë Giulia, një nga pjesëmarrëset në projekt, tashmë po shihen përmirësimet, si ato financiare ashtu edhe ato mjedisore. "Ne kemi kaluar nga një marrëveshje për heqjen e mbeturinave që ishte shtatë ditë në javë, në afërsisht tre ditë në javë. Pra është një kursim i konsiderueshëm i kostos, një kursim i konsiderueshëm i landfillit", tha pronari i Café Giulia Stefan Stavropoulos.

Mbajtja e procesit të riciklimit në kafene do të thotë gjithashtu se ka më pak gjurmë karboni me më pak kamionë plehrash që udhëtojnë në distanca të gjata drejt landfillëve.

Compost Revolution është një tjetër nismë për riciklimin e mbetjeve ushqimore që ka punuar në bashkëpunim me këshillat lokale për 10 vitet e fundit. Qëllimi i tyre është të inkurajojnë më shumë njerëz të bëjnë riciklimin e mbetjeve për të prodhuar humusin duke ua lehtësuar këtë proces. Nga pajisjet e riciklimit të dorëzuara në derën e shtëpisë e deri te udhëzimet dhe këshillat vijuese, gjithçka është e disponueshme në internet. "Ne nuk duam t'i hedhim këto fruta dhe perime në kosha thjesht për të shkuar në landfille dhe për t'u bërë të tepërta, ne fakt toksike për mjedisin dhe atmosferën tonë”, thekson Alexandra King me projektin Compost Revolution.

Sipas Compost Revolution, 80,000 familje i janë bashkuar programit dhe në total, ato kanë ndihmuar në heqjen e 23,000 tonë mbeturinave ushqimore nga landfillët. Siç thekson Melita Jazbec, bota prodhon më shumë ushqim sesa ka nevojë dhe për ta bërë këtë, ne përdorim plehra të panevojshëm. Përfundimisht, për të bërë vërtet një ndryshim, ekspertët thonë se ne duhet të ndryshojmë mënyrat tona dhe të riedukojmë brezat e ardhshëm në artin e menaxhimit të ushqimit. "Unë mendoj se mesazhi kryesor është se ne duhet të përpiqemi të mos prodhojmë mbetje ushqimore në radhë të parë dhe kjo është një çështje që ne duhet ta trajtojmë më së shumti nëse duam të bëjmë diçka për ndikimin që mbetjet ushqimore po i shkaktojnë planetit”, thotë Jazbec.

Objektivi aktual i qeverisë australiane është përgjysmimi i mbeturinave ushqimore deri në vitin 2030.

Burimi i informacionit:VOA

No comments:

Post a Comment