Nga: Luan Shllaku-KFOS
Pse energjia elektrike e prodhuar nga qymyri, i kushton shumë më shumë Kosovës se sa energjia e rinovueshme, sipas Luan Shllakut? Tashmë është e dokumentuar se 29% e popullatës qe jetojnë afër TC ‘Kosova A’ dhe ‘B’, e kanë ndonjërën formë të sëmundjeve respiratore. Një grup i tillë krahasues nga Peja dhe Gjakova, kishte vetëm 7% të së njëjtave sëmundje! Miksi i burimeve energjetike do të ishte kompatibil me politikat energjetike evropiane, vlerëson Shllaku, duke nënvizuar se Kosova duhet te ndërtojë një hidrocentral mbi një lum të Shqipërisë, së bashku me Shqipërinë apo e vetme.
Luan Shllaku, një ndër njohësit e mirë të zhvillimeve energjetike dhe atyre ambientaliste, e ka shkoqitur më gjerësisht për Buletinin Ekonomik domethënien e mendimit të shpërfaqur nga vetë ai në diskutimin e ‘Green Action Space’, iniciativë kjo e përbashkët ndërmjet Institutit ‘Riinvest’ dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS): “Shumë qymyr kemi, në anën tjetër e duam shumë Evropën”, kishte thënë Shllaku aty, duke pyetur se si t’i bashkojmë këto, një fakt ky i padiskutueshëm me të cilin po përballen dhe sfidohen kosovarët.
Marrëveshja e Gjelbër Europiane, paradigma më ambicioze e disa dekadave të fundit
Sipas Shllakut, rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit në BE është i përcaktuar nga shumë sfida që na vijnë në formë të detyrave që duhet bërë për të merituar statusin e kandidatit fillimisht, e më vonë edhe anëtarësimin. Ai shton se ka kohë që Kosova është përcaktuar të shkojë në Europë.
“Zhvillimet sot tregojnë se përcaktimi ynë është i drejtë dhe, ta përdori një fjalë më të fortë, i shenjtë. E tash, nga BE nganjëherë na vijnë politika zhvillimore që mund të mos na pëlqejnë, ose mund të mendojmë se nuk janë adekuate për ne! Politikat europiane janë shumë mirë të argumentuara dhe synojnë të sjellin një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e saj, ku jemi edhe ne. Por shpeshherë, shtetet pjesëmarrëse duhet edhe të sakrifikojnë pak, apo më shumë, për t’i qëndruar politikave zhvillimore që në pikë të fundit, i sjellin Europës por edhe globit, më shumë drejtësi dhe më shumë begati”, thotë Shllaku.
E duke iu kthyer shpjegimit të idesë së shprehur në tryezën e ‘Green Action Space’, se “ne kosovaret e duam qymyrin (!) por e duam edhe Europën, pra, nga njëra duhet të qojmë dorë, së shpejti!”, ai tha se Europa është përcaktuar qartazi për politikat energjetike dhe ato mjedisore kur e ka adoptuar paradigmën zhvillimore te radhës ‘Europe Green Deal’ (Marrëveshja e Gjelbër Europiane), e cila, kisha thënë, është paradigma më ambicioze e disa dekadave te fundit.
Shllaku thotë se kjo marrëveshje synon që njëherë e përgjithmonë ta shpëtojë globin nga ndryshimet klimatike që tashmë kanë filluar ta rrezikojnë ardhmërinë e të paktën fëmijëve tanë! Sa më i ulët të jetë niveli i qytetërimit të shoqërive tona, aq më pak do ta kuptojmë seriozitetin e këtij zhvillimi global, thekson ai.
Sipas tij, shoqëritë e “pa ardhura sa duhet” zakonisht nuk i pranojnë proceset derisa nuk goditen nga ato – derisa nuk i ndiejnë efektet negative ne shpinë të tyre, duke thënë se “këtu qëndron arsyeja për mospërfilljen e këtij aksioni të madh europian nga shoqëria dhe politika kosovare, dhe shumë shoqëri të tjera që janë duke u përgatitur të bëhen pjesë e Europës, por nëse mundet, pa i ndryshuar konceptet lokale.
“Nuk e besoj se Europa do ta tolerojë një çasje të tillë, sepse e ka edhe shkopin në dorë, për ata që nuk dëgjojnë. Jemi mësuar vetëm me karotat europiane, por duket se së shpejti mund ta ndiejmë edhe shkopin në shpinën tonë!”, thekson Shllaku.
29% e popullatës që jeton afër TC Kosova A dhe B, ka ndonjë formë të sëmundjeve respiratore
Shllaku ka shpjeguar për Buletinin Ekonomik se pse shfrytëzimi i thëngjillit për prodhimin e rrymës është më i shtrenjtë se çdo alternativë tjetër. Dhe se pos taksës së karbonit të vendosur nga BE-ja, edhe çka tjetër ka ndikim në koston e lartë të shfrytëzimit të qymyrit për të prodhuar energji elektrike?
Sipas tij, ideja për të vazhduar me djegje të qymyrit për të prodhuar energji elektrike do të duhej të ishte e sanksionuar dyfish: (1) në rrafshin lokal, do të duhej të shohim se përdorimi i thëngjillit në termocentralet tona ka shkatërruar tashmë shumë vendbanime përreth termocentraleve – 16 fshatra gjinden pothuajse nën tymtarë dhe fare afër eskavatorëve, që ka bërë që shpeshtësia e sëmundjeve respiratorike deri në kancer është shumë më e lartë se sa në vendet ku TC-të nuk kanë ndikim.
Tashmë është e dokumentuar se 29% e popullatës që jeton afër TC Kosova A dhe B, e kanë ndonjërën formë të sëmundjeve respiratore. Një grup i tillë krahasues nga Peja dhe Gjakova, kishte vetem 7% sëmundje të tilla.
Dhe, thotë Shllaku në vazhdim, se nëse ky realitet i hidhur nuk na lë mbresë, atëherë duhet të ballafaqohemi me sanksionet e BE-së, e cila, duke futur taksat e karbonit, e shtrenjton shumëfish prodhimin e energjisë elektrike nga djegia e qymyrit. Kur t’i shtohen këto taksa kostos së prodhimit, do të dalë se çmimi i një kilovati orë do të dalë më i madh se çmimi i të njëjtës të prodhuar nga burime tjera alternative. Aq më shumë, Europa, nuk do ta lejojë eksportin e prodhimeve kosovare, nëse janë prodhuar me energji qe ka dalë nga TC-të me qymyr.
Shllaku, pasi që bindshëm dhe me fakte të forta ka argumentuar se përdorimi i qymyrit, do të na dalë “një investim jo i qëlluar” dhe si i tillë “investimi në qymyr sot mund të jetë investimi më i shtrenjtë për një kilovat orë, e cilën do të prodhohej për qytetarin”, bën të ditur pikëpamjet e tij se çka duhet të ndërmerret për të pasur më urgjentisht dhe pa humbur kohë ndonjë kapacitet të efektshëm elektro-energjetik, të pranueshëm edhe nga komuniteti ndërkombëtar energjetik dhe me legjislacionin të pritshëm ndërkombëtar anti-qymyr.
Kosova, ka vënë në dukje Luan Shllaku, si të gjitha vendet tjera përreth, duhet që sa më shpejte të krijojë një miks të saj të burimeve energjetike, që do të jetë kompatibil me politikat energjetike europiane. Nuk do mend se së pari, dhe para së gjithash, duhet të zhvillojmë impiantet e gjenerimit të energjisë së ripërtëritshme – nga dielli, era, uji. Por kjo s’do të jetë e mjaftueshme.
Shllaku vlerëson se Kosova duhet që sa më parë të përcaktohet për gazin, cilindo, të importuar apo prodhuar nga gazifikimi i thëngjillit tonë, gjë që e kemi bërë nga viti 1970-1988, si dhe të shyrtojë mundësitë që ta ndërtojë një hidrocentral mbi një lum të Shqipërisë, së bashku me Republikën e Shqipërisë apo e vetme, dhe të shohë se çka do të funksiononte më mirë për sektorin energjetik të saj.
“Duhet parë se si eventualisht mund ta rikonstruktojmë Kosovën B për t’ia zgjatur jetën edhe për ndonjë vit, dhe Kosovën A duhet ta mbyllim sa më parë që mundemi”, thotë Shllaku.
Ky miks, sipas tij, i kombinuar me shkarkimin e ngarkesës së energjisë së konsumuar, duke sjellur gazin për t’i mbuluar të gjitha nevojat e operatorëve të mëdhenj industrial dhe nxehjeve rajonale në 6-7 qytetet e mëdha, jo vetëm që do të mbulonte konsumin tonë, por në periudha sidomos ato verore, do të mund edhe të eksportonim rrymë.
Kosova të fillojë
shpejt të studiojë mundësinë e gazifikimit të linjitit
Këto investime, siç thotë Shllaku për Buletinin Ekonomik, definitivisht ia vlejnë edhe financiarisht, sikundër që do të ishte e vlefshme që Kosova ta provojë edhe njëherë gazifikimin e thëngjillit të vet, që e ka me bollëk dhe thuaja në sipërfaqe të tokës, apo të përdorë këtë thëngjill për të prodhuar edhe produkte të tjera, të cilat janë më pak të dëmshme për mjedisin në krahasim me djegien e tij për të prodhuar energji elektrike.
“E thash më lartë, se Kosova duhet pa pritur fare të fillojë të studiojë mundësinë e gazifikimit të linjitit, që e kemi bërë dikur, se kjo mund të jetë një zgjidhje e mirë – shumë më e mirë se të ndërtojmë termocentrale të reja ose t’i rikonstruktojmë të vjetrat”, tha ai.
Bashkimi Europian (BE), tash pas krizës së luftës në Ukraine, e ka përgatitur një pasaaportë të gjelbër për gazin, duke e renditur në karburant “të lejueshëm” dhe që përdoret në kohën e tranzicionit deri më 2050, duke pasur parasysh faktin se është ndotës dyfish më i vogël se karburantet e tjera fosile. Dhe, Shllaku thotë se duhet studiuar sa me pare ky opsion, dhe pastaj “shohim e bëjmë!”.
“Befasia e ime më e madhe është se sot për gazifikimin e linjitit, që është një impiant i madh, që shtrihet në 32 hektarë, fare afër Prishtinës, në kompleksin e KEK, shumë pak njerëz dinë. Edhe më pak politikanë! Mos të harrojmë se Kosova ende sot e ka gazsjellësin e vjetër që shkonte deri në Shkup, Elez Han, Kaçanik, Prishtinë, Obiliq, Gllogoc dhe Mitrovicë. Traseja është aty, gypat s’mund të përdoren. Por, a nuk jemi bindur kur kemi ndërtuar autostrada se pjesa më e vështirë dhe e kushtueshme ishte sigurimi i trasesë ku do të kalonte autostrada?! E në rast të importit të gazit amerikan traseja është aty!”, ngulë këmbë Shllaku në opsionet e tij për t’i favorizuar alternativat e energjisë së ripërtëritshme për të ardhmen e Kosovës.
No comments:
Post a Comment