Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka njoftuar se në Komunën e Rahovecit do të realizohet investimi prej mbi 90 milionë euro në energji të ripërtërishme. Ndërtimi i Parkut Energjetik nga era me kapacitet prej 70MW do të realizohet pas propozimit që është dhënë në Kuvendin Komunal në Rahovec dhe me votimin unanim të asamblistëve, ku është marrë vendim për shpallje të interesit publik të pronave në Zatriq të kësaj komune. “Me propozim të Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Rahovec, z. Dëfrim Kafexhiu dhe me votim unanim të kuvendarëve është marrë vendim për shpallje të interesit publik të pronave në Zatriq të Rahovecit për Ndërtimin e Parkut Energjetik nga era me kapacitet prej 70MW. Investimi realizohet nga kompania Eurokos Holding”, ka thënë Korenica në një postim në Facebook të mërkurën.
Vendosja e turbinave me erë, sipas Korenicës, do të shërbejë për zhvillimin e energjisë së pastër, në veçanti zhvillimin e sektorit energjetik që do të ndikojë drejtpërdrejt në stabilitet të furnizimit me energji elektrike në këtë komunë. Në tetor të vitit 2018, është përuruar centrali i parë i energjisë me erë në Kitkë të Kamenicës. Ky central përbëhet prej nëntë turbina 3.6 MW, me lartësi 110 metra dhe me diametër prej 137 metra. Një tjetër investim për prodhimin e energjisë elektrike nga fuqia e erës, me kapacitet prej 105 MW, është bërë kohë më parë në Bajgorë. Ky central është parku më i madh i turbinave të erës, njëkohësisht prodhuesi më i madh i energjisë së rinovueshme në Kosovë.
No comments:
Post a Comment