Saturday, April 9, 2022

Pas 20 vitesh gjenden blloqet e shënimeve të Çarls Darvinit

Dy blloqe të shënimeve të natyralistit Çarls Darvin, përfshirë një që përmban skicën e Pemës së Jetës, i janë kthyer bibliotekës së Universitetit të Kembrixhit më shumë se 20 vjet nga zhdukja e tyre. Blloqet u gjetën në gjendje të mirë më 9 mars, në një çantë që ishte braktisur në një nga dhomat e bibliotekës. Brenda ndodhej gjithashtu një mesazh i printuar ku thuhej: “Gëzuar Pashkët”. Darvini skicoi idetë e tij mbi pemën e evolucionit në vitin 1837, pasi kreu një udhëtim nëpër botë, më shumë se dy dekada para se të publikonte librin e tij “Origjina e Gjallesave”, bëri të ditur Universiteti i Kembrixhit.


“Janë disa nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e shkencës. Personalisht mendoj se teoria e përzgjedhjes dhe evolucionit natyror është më e rëndësishmja në shkencat e jetës dhe Tokës. Dhe këto blloqe janë vendi ku kjo teori u pasqyrua”, tha historiani Xhim Sekord. Blloqet njihen ndryshe si Blloqet e Mutacionit sepse Darvini përshkroi në to teorinë se si gjallesat mund të shndërrohen nga të moçme në modele më të fundit.

Blloqet u hoqën nga një dhomë sigurie të bibliotekës për t’u fotografuar nga fundi i vitit 2000 dhe u raportuan të humbura në janar të 2001-shit. Por vetëm në 2020-n biblioteka arriti në përfundimin se ato ishin vjedhur dhe jo humbur. Një hetim policor mbi zhdukjen e tyre është në zhvillim

No comments:

Post a Comment