Sunday, March 20, 2022

Komuna e Prishtinës anulon pëlqimin për xhirime dhe instalimin e një shtëpie druri në parkun e Gërmisë

Organizata ‘Qytetarët aktivë’ kanë bërë të ditur se Drejtoria e Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës ka anuluar pëlqimin për xhirime dhe instalimin e një shtëpie druri në peisazhin e mbrojtur të Gërmisë, pas kërkesës së shoqërisë civile. Në njoftimin e organizatës  potencohet se nga komuna u është bërë e ditur se  tani e tutje të gjitha vendimet dhe pëlqimet do të trajtohen nga Drejtoria e Parqeve dhe të gjitha procedurat ligjore, rregullat dhe udhëzimet do të respektohen në mbrojtje të Parkut të Gërmisë florës dhe faunës. Një produksion i filmit në Kosovë ka zgjedhur Parkun e Gërmisë për montimin e një shtëpize prej druri, për të kryer disa xhirime filmike.

Lokacioni, sipas produksionit ‘Circle Production’, është në një pjesë ku ka qenë një ndërtesë qeveritare aty dhe shtëpiza është një konstruksion, që sipas tyre, nuk do të dëmtonte ambientin. ‘Circle Production’ e kishte marr pëlqimin për shtëpizën nga ana e Komunës së Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike.

Por, organizata të shumta për mbrojtjen e ambientit në shkurt të këtij viti kishin ngritur dyshime me mënyrën si ishte dhënë kjo leje në zonën që kategorizohet si peisazh i mbrojtur.

Lëshimin e pëlqimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike e kishte bazuar në ‘Rregulloren për Vendosjen, Ndërtimin dhe Largimin e Objekteve të Përkohshme në Pronën Publike’, e jo në ndonjë Ligj të veçantë.

Ndërsa Besnik Krapi, udhëheqës i produksionit filmik ‘Circle Production’, ka thënë për KALLXO.com se projekti ka kohë që ka filluar dhe sipas tij, janë ndjekur të gjitha procedurat për marrjen e pëlqimit.

Parku i Gërmisë për shkak të bukurive natyrore dhe vlerave të florës dhe faunës, është Peisazh i Mbrojtur me Ligj. Me Parkun menaxhon ‘Hortikultura’ ndërsa mbikëqyrjen profesionale e bën Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës. Gjithashtu, Parku i Gërmisë është i evidentuar në listën ndërkombëtare të zonave të mbrojtura.

Edhe vitin e kaluar, Parku i Gërmisë ishte bërë temë në kryqytet, pasi që aty synohej të ndërtohej një ‘Park i Aventurave’. Ky projekt që financohej nga Komuna e Prishtinës dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, gjithashtu pati kundërshtim nga shoqëria civile, të cilët thonin se kishte shkelje ligjore dhe se lokacioni nuk ishte i duhuri.

Burimi i informacionit: Kallxo.com

No comments:

Post a Comment