Monday, January 10, 2022

Kosova përballë rrezikut dhe rrezikshmërisë sizmike

Tërmetet janë rreziqe natyrore të pandalshme, por rrezikshmërinë nga tërmetet e krijon faktori njeri me ndërtim të dobët dhe mënyrë joadekuate të ndërtesave, infrastrukturës dhe sistemeve të shpëtimit. I vetmi objekt që shfrytëzohet nga qytetarët pa një testim është ndërtesa, në pa mundësi testimi, marr parasysh që tërmeti ka disa parametra që gjithmonë është një hap përpara X-së programeve projektuese të përdorura, goditja nga tërmeti është i vetmi test për ndërtesa, ndryshe nga produktet tjera, makineritë e rënda, të lehta dhe teknologji tjera që testohen, pastaj jepen në shfrytëzim. Prandaj çdo tërmet i ri dëmtues ka ofruar gjithmonë surpriza. Shqetësimi i qytetarëve është i arsyeshëm dhe me vend, sepse çdo herë që godet tërmeti ata e mendojnë objektin ku jeton, a ka siguri a jo, si është ndërtuar, a është i përballueshëm ndaj tërmetit. Prandaj duhet shumë kujdes gjatë projektimeve dhe realizimeve të këtyre projekteve.


Kur godet një tërmet, ndërtesat e projektuara dhe të ndërtuara dobët janë faktori kryesor kontribuues në rritjen e riskut sizmik deri në katastrofë. Në shumë mënyra, mund të thuhet se nuk janë tërmetet që shkaktojnë lëndime njerëzore dhe humbje të jetës, por përkundrazi janë ndërtesat që janë projektuar dhe ndërtuar me rezistencë të dobët ndaj tërmeteve.

RREZIKU SIZMIK

Kosova paraqet një rajon me aktivitet sizmik relativisht të lart, është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmetet autoktone shumë të fort. Duke qenë se jetojmë në një zonë aktive sizmike, do përpiqemi të sqarojmë se sa jemi të kërcënuar nga tërmetet sipas hartës së rrezikut sizmik në të ardhmen, por edhe sa është rrezikshmëria nga ndërtimet në vendin tonë, ndërtesat vjetra dhe të reja, në çfarë mase u respektuan standardet e ndërtimit dhe në çfarë mase ato harmonizohen me ndërtimet në zonat sizmike.

Kosova gjeografikisht është në zonën e kontaktit së dy pllakave të mëdha tektonike, në njërën anë të Afrikës që shtyn Euro-Aziatiken dhe qëndron në themel të saj. Për këto arsye, vendet në zonën mesdhetare i përkasin vendeve me rrezik të lartë sizmik duke përfshirë edhe zona përreth.

Tërmeti më i fortë i regjistruar dhe i dokumentuar në Kosove është tërmeti i vitit 1921, në zonën Viti-Ferizaj- Gjilan me një magnitud prej 6.1 në shkallën Richter dhe një intensitet prej 8.5 ballë Mercali.

Meqenëse nuk ka ende pajisje për parashikimin e tërmeteve të saktë për kohën, lokacionin dhe madhësinë, karakteristikat themelore të rrezikut sizmik përcaktohen në bazë të të dhënave për tërmetet që kanë ndodhur në të kaluarën dhe ato tërmete jashtë territorit të Kosovës, të cilat kanë efekte të konsiderueshme në territorin tonë . Në përgjithësi nuk ekziston asnjë rregull i tërmeteve si peridotitet, por vetëm për sa i përket probabilitetit të ndodhjes së ngjarjeve në një vend të caktuar, bazuar në katalogun e tërmeteve dhe disa faktor, si tektonik, gjeologjik si dhe topografik, të studiuara dhe të llogaritura në përpilimin e hartave të Rrezikut Sizmik.

Zonat me rrezikun më të lartë sizmik në territorin e Kosovës janë; zona sizmogjene Pejë-Istog, ZS Ferizaj-Viti-Gjilan, ZS Kopavnik, ZS Prizren-Gjakovë, këto janë zona që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.5 shkallë të richterit, kurse zonat me rrezik më të ulët, ZS Drenicë, ZS Prishtinë-Mitrovicë, këto janë zonat që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.1 shkallë të richterit.

Pra, ne nuk mund të ndikojmë në shfaqjen, forcën, ndryshimin e parametrave të tërmeteve, por ne mund të ndërtojmë në mënyrë që tërmeti të mos shkatërrojë objektet e ndërtuara, sepse kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur jetën e njerëzve. Tërmeti nuk vret njerëz, ata vriten nga ndërtesat që janë projektuar dhe ndërtuar me rezistencë të dobët ndaj tërmeteve.


RREZIKSHMËRIA (RISKU) SIZMIK

Megjithëse aktiviteti sizmik në zonat tona është relativisht i lartë, efektet e forta të tërmeteve nuk ishin marrë parasysh më parë gjatë llogaritjes dhe projektimit të strukturave, kështu që në ish-Jugosllavi, rregulli i parë i përkohshëm për dizajni sizmik u miratua në fund viteve të 1960-ta.

Ndërtesat e vjetra

Sa i përket strukturave ekzistuese, dhe posaçërisht ndërtesave të muraturave, rrezikimi i tyre është më i madh. Shumica e këtyre ndërtesave u ndërtuan midis viteve 56 dhe 81 të shekullit të kaluar pa zbatimin e ndonjë rregullore sizmike apo duke mos përfshirë komponentin sizmik në tërësi të rregullores së parë. Një numër i madh i stokut ekzistues të ndërtesave në Kosovë dhe disa zona më gjerë nuk përmbushin disa nga parimet themelore të projektimit dhe ndërtimit të strukturave rezistence sizmike. Ndërtesat e vjetra të muraturave janë veçanërisht të rrezikuara, sepse, përveç mangësive në ndërtim, ato janë dobësuar me kalimin e kohës për shkak të mirëmbajtjes së dobët dhe shkatërrimit të materialeve . Gjithashtu, shumë struktura nëpër zona urbane të ndërtuara para luftës, përdheset e bodrumet janë adaptuar për shfrytëzime komerciale, duke ua cenuar ose larguar në tërësi elementet mbajtëse, ndërsa në nivel të kulmit janë bërë mbindërtime. Të gjitha këto pa ndonjë analizë, projekt apo miratim nga institucione relevante, këto ndërtesa fshehin rreziqe të mundshme në shkallë të ndryshme në rast të tërmeteve në të ardhmen. Disa tërmete katastrofikë që goditen në të kaluarën, në Shkup në 1963, në Banja Llukë në 1969 dhe Mal të Zi në 1979, treguan qartë mangësitë dhe gabimet në projektimin dhe ndërtimin e këtyre strukturave. Pikërisht këto tërmete ishin arsyeja pse Rregullorja për normat teknike për ndërtimin e ndërtesave shumëkatëshe në zonat sizmike u miratua në 1981, e cila kishte kushte shumë më të rrepta krahasuar me rregulloren e parë të vitit 1965.

Do të ishte e nevojshme të krijohej një bazë të dhënash në të gjithë territorin e Kosovës mbi strukturat e vjetra, gjendjen e dëmtimit të tyre, në aspektin e rrezikshmërisë (Riskut Sizmik) nga rreziku sizmik, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të gjendjes aktuale të ndërtesave.

Ndërtesat e reja

Siç është praktikë, koncentrimi i popullatës si dhe zhvillimi i zonave të banuara zakonisht është bërë përgjatë lumenjve apo zonave të ulëta të karakterizuara me depozitime më të mëdha të shtresave të shkriftë të dheut. Në këto raste, nxitimi sizmik i paraqitur në hartat e rrezikut sizmik për kushte trualli shkëmb amplifikohet dukshëm dhe si rezultat në sipërfaqe mund të paraqitet me karakteristika tërësisht të modifikuara (amplituda, frekuenca, kohëzgjatja).

Shumë objekte shumëkatësh janë ndërtuar pa studim gjeologjik, gjeofizik dhe gjeomekanik të truallit, proces që në shumë vende është i detyrueshëm. Injorimi i kësaj procedure mund të sjellë pasoja të paparashikueshme në të ardhmen për shkak se shumë zona në vendin tonë janë zona aktive sizmike.

Në 20 vitet e fundit situata është pak kaotike, sepse dendësia midis ndërtesave pa një arkitekturë të mirëfilltë e cila luan një rol të madh në aspektin sizmik është aq e lartë sa në rast të një tërmeti, nëse ndërtesat shemben, do të ketë pasoja të mëdha duke marr jetën e qytetarëve. Gjithashtu, ndërtesat me një numër të madh të kateve mund të jenë problem për shkak të hapësirave. Anashkalim i Arkitekturës dhe Arkitektëve duke mos marr parasysh thjeshtësinë konfiguracionin, simetrinë e ndërtesave, parametra që luajnë rol të madh në aspektin sizmik. Më parë ndërtoheshin ndërtesa të mëdha me një hapësirë të madhe dhe parqe midis ndërtesave. Në atë kohë, distanca e parashikuar me ligji duhej të përcaktohej, domethënë zonë e lirë për shembje.

Situata është veçanërisht e rënd kur bëhet fjalë për praktikën e ndërtimit të tepërt të ndërtesave e cila ishte aktuale në Kosovë pas viti 1999, e sidomos periudha 1999-2010, edhe pse si rregull ato duhet të jenë shumë cilësore, ndërtimi i tyre shoqërohej me një numër mangësish, dhe ekzistonte një ndjenjë e pamjaftueshme e përgjegjësisë dhe shpërfilljes për pasojat nga rreziku sizmik. Gjatë projektimit, dëshirat e investitorëve zakonisht viheshin në plan të parë, jo të gjitha, gjë që çon në probleme të shumta konstruktive në fillim, pra kushtet urbane dhe teknike zakonisht rregulloheshin ndaj dëshirave të investitorëve pastaj projektuesit gjithashtu iu janë përshtatur dëshirës së investitorëve.

Shpesh kati i parë apo përdhes është i hapur për shkak të kërkesave të mëdha komerciale, kanë krijuar hapësira të mëdha mes shtyllave jashtë standardit, e cila kushtëzon rritjen prerjes tërthore të trarëve në raport me shtyllat duke krijuar të ashtuquajturën kat përdhes fleksibël ose kate të dobët, në kontrast me dyshemetë e ngurtë të ngjeshur me mure, ku mund të çojnë në shembjen e strukturës në nivelin e katit përdhes.

Evidente kanë qenë edhe problemet te mënyra e ndërtimit, sepse është shumë e qartë se punëtorët shpejt zëvendësoheshin, punësoheshin dhe pushoheshin nga puna, staf të pamjaftueshëm artizanal, ku të gjithë bënin gjithçka, dhe atëherë shpesh ishte joprofesionale dhe pa përgjegjësi.

Gjithashtu me rëndësi është testimi mbi cilësinë e materialeve të përdorura për ndërtime. Sa është bërë kontrolli i cilësisë gjatë ndërtimit në pjesën dërrmuese të ndërtesave të rëndësishme dhe inxhinierisë civile, sa ishte numri i testimeve, sa është aplikuar në terren qëndrimi ndaj sistemit të kontrollit të cilësisë i cili duhet të dokumentohet në vendin e ndërtimit me përgjegjësi të qarta, të përshkruara gjatë mbikëqyrjes dhe kontrollit, i cili duhet të plotësojë kriteret sipas rregulloreve, dhe standardeve në fuqi.

Kërkesat themelore për prodhimet ndërtimore, cilësitë e tyre teknike dhe kërkesat tjera teknike, doemos duhet të jenë në pajtim me ligjin dhe me dispozita tjera, me të cilat rregullohet kualiteti i prodhimeve ndërtimore. Sa janë inspektuar nga organet kompetente për çështjen e sigurisë në ndërtim, dhe mbi të gjitha, forcimi i kontrolleve në të gjitha nivelet, vendosja e rendit në ndërtimin e objekteve.

Për këto 20 vitet e fundit ishte krijuar mendimi mbizotërues se një katastrofë natyrore nuk do të na ndodhë kurrë dhe me këtë përmbytje të kompanive ndërtuese dhe jo aplikimit të standardeve, ishte bërë e rëndësishme vetëm marrja dhe ngarkimi i punës. Sidoqoftë, se sa dëm do të bëhet dhe çmimi i riparimit pas tërmetit, dhe kush do të garantojë pronarët e apartamenteve që ndërtesa e tyre do të jetë e përdorshme, është ende një e panjohur e madhe.

Një numër i madh i objekteve të ndërtuara në dekadën e fundit kanë filluar të projektohen sipas Eurocode 8, por është e rëndësishme të theksohet se nuk mjafton vetëm për të hartuar strukturën ose objektin, por për të kryer në mënyrë adekuate të gjitha kontrollet e nevojshme gjatë ndërtimit, pastaj mbikëqyrja ose kontrolli i mirë në vendin e ndërtimit dhe pas përfundimit të tij.

Tani jemi hy në një fazë të legalizimit të ndërtesave kush do merr përgjegjësinë e legalizimeve aktuale që është një problem shumë i komplikuar në aspektin sizmik. Qytetarët tani veç i kanë në shfrytëzim apartamentet të ndërtuara, ashtu si janë ndërtuar, me apo pa kritere, nuk dua te paragjykoj në aspektin e ndërtimeve se sa janë rezistence ndaj tërmeteve të pritshme, këtë me se miri e dinë ata që kane bërë projektet dhe i kane realizua gjatë ndërtimeve. Por dekadën e pare, pas vitit 1999, kanë projektua të gjithë, vetëm njohuri në një program dhe deri me sot nuk ka asnjë kriter, se kush ka të drejt projektimi, të pa diplomuar, me Bachelor apo me Master, ende nuk është specifikuar mirë nga institucionet përgjegjëse për licencim të projektuesve duke i dhënë drejt të gjithëve nga pak.

Organet kompetente për legalizim tani ka një punë shumë të komplikuar për legalizimet e ndërtesave në aspektin sizmik , situata është veçanërisht e rëndë kur bëhet fjalë për praktikën e ndërtimit të tepërt të ndërtesave, e cila ishte aktuale për një dekadë në Kosovë pas vitit 1999. Këto organe nuk duhet të mundësoj lehtësira për legalizimet e tilla, sepse ato paraqesin rrezik për qytetaret dhe shteti do të ishte përgjegjës. Njëkohësisht, kompanitë e sigurimeve duhen të kenë kujdes për sigurimet e ndërtesave të tilla. Gjithashtu, objektet që rrezikojnë infrastrukturën dhe nuk plotësojnë kushtet, siç janë ato pranë urave dhe rrugëve të rëndësishme, duhet me pas kujdes në legalizimin e tyre.

Së fundmi, mund të konkludojmë se duhet bërë shumë në lidhje me sigurinë e ndërtimit në vendin tonë, dhe mbi të gjitha, forcimi i kontrolleve në të gjitha nivelet, vendosja e rendit në ndërtimin e objekteve, por gjithashtu futja e standardeve evropiane. Siç jemi në dijeni, Agjencia kompetente është duke punuar në këtë drejtim, Paketa Eurokodeve e cila përbëhet nga 10 Standarde Evropiane, pas miratimit të gjitha standardeve, situata me ndërtimin në zonat sizmike do të jetë dhe duhet të jetë shumë më e mirë, natyrisht nëse respektohet:

Çdo ndërtim, varësisht nga dedikimi, duhet t’i plotësojë kërkesat themelore për ndërtimin, të parapara me parametrat e planit urbanistik ose dokumentacionit të planit urbanistik shtetëror, përkatësisht lokal ose projektit të infrastrukturës dhe kushtet tjera të përcaktua me ligj dhe me ligjet e veçanta të mbrojtjes sizmike.

Ndërtimi duhet të jetë i projektuar dhe i kryer në atë mënyrë që gjatë punëve ndërtimore dhe gjatë përdorimit, nuk do të vijë te çrregullimi i rezistencës mekanike, stabilitetit dhe mbrojtjes sizmike. Shkalla për realizimin e rezistencës mekanike, stabilitetit dhe mbrojtjes sizmike të ndërtesës duhet të sigurohet nga realizuesi gjatë ndërtimit dhe pas ndërtimit të tërë sistemit konstruktiv të ndërtimit.

Realizimi sipas këtyre parametrave do të ndikon drejtpërdrejtë në tri aspekte: Sigurimin e jetës së shfrytëzuesve; Zvogëlimin e humbjeve ekonomike dhe Zvogëlimin e mundësisë së humbjes së funksionit të strukturave pas tërmetit.

Nga: Shemsi Mustafa, Sizmolog Ligjërues në Sizmologji Inxhinierike dhe Inxhinierinë e Tërmeteveë, UBT & Udhëheqës i sektorit të Gjeofizikës, Rrjetit Sizmologjik në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës

No comments:

Post a Comment