Sunday, January 16, 2022

In memoriam Selvete Hoxha Krasniqi - Mjeke, ekologe humane, profesor universiteti

Lindi në Kaçanik më 25.02.1953, shkollimin e kreu në Prishtinë, ku mbaroi edhe studimet në Fakultetin e Mjekësisë (1978). Që nga periudha pas diplomimit, më 1978, ka punuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë. Në vitin 1985 emërohet asistente për lëndën e higjienës. Specializimin në lëmin e higjienës e vijoi në Prishtinë dhe në Zagreb në Departamentin e Higjienës të Shkollës së Shëndetit Publik “Andrija Shtampar” në Zagreb të Kroacisë. Tezën e magjistraturës me titull: “Korelacioni mes kualitetit të ujit të pijshëm dhe sëmundjeve ngjitese të tubit tretës në Kosovë 1979-1988” e mbrojti më 1988.


Në vitin 1991 largohet me dhunë nga puna dhe për një kohë qëndroi në Gjermani, Tiranë dhe Londër.

Tezën e doktoratës me titull: “Ekzaminimi i kualitetit të ujit të pijshëm në regjionin rural, ndikimi i tij në paraqitjen e sëmundjeve gastrointestinale 1988-1991” e mbrojti në Prishtinë (1995) dhe emërohet docente për lëndën e higjienës.

Në vitin 2000-2001 ishte këshilltare e lartë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për normativat dhe cilësinë e ujit të pijshëm për Kosovë. Kreu detyra me përgjegjësi në institucionet shëndetësore dhe arsimore të Kosovës. Për perfeksionim profesional qëndroi në Jordani, Kroaci, Britani të Madhe, SHBA etj.

Bashkautore e dy teksteve universitare, ka të botuar një sërë punimesh profesionale dhe ka marrë pjesë në disa kongrese dhe simpoziume ndërkombëtare. Ka shërbyer si mentor i shumë temave të specializimit, magjistraturës dhe doktoratës në fushën e shëndetësisë publike.

Profesoresha Selvete ka qenë mësimdhënëse në Fakultetin e Mjekësisë për dekada të tëra dhe mbante titullin profesor i rregullt i lëndës së higjienës. Ajo ka kontribuar në ngritjen e brezave të tërë të profesionistëve të shëndetësisë në vendin tonë.Për një kohë të gjatë deri në pensionim ajo ka qenë Zëvendës Drejtoreshë e IKSHPK.

Prof. Selvete Hoxha Krasniqi ka qenë Zëvendës Drejtoreshë e IKSHPK që nga viti 2001 e deri në pensionim në vitin 2018. Poashtu ka qenë Prorektore për Marrëdhënie me Jashtë e Universitetit të Prishtinës në periudhën 2006-2007. Ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe simpoziume ndërkombëtare dhe ka publikuar një sërë punimesh profesionale-shkencore e tekstesh universitare, si autore dhe koautore.

Puna e saj e palodhshme dhe e përkushtuar, për dekada të tëra, në fushën e shëndetësisë publike, vecanërisht në mbikeqyrjen e cilësisë së ujit të pijshëm ka qenë jetike për shëndetin e popullatës së Kosovës - për çka edhe ishte nderuar me titullin Ambasadore e Ujit! Vepra dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Profesoreshës Selvete Hoxha Krasniqi do të mbeten përherë të shënuara në historikun e zhvillimit të shëndetësisë publike në vendin tonë.

Profesoresha Selvete ishte një personalitet shembullor, dhe humaniste e madhe. Ajo vdiq ne 11 janar 2022.

Burimi i informacionit: Fjalori Enciklopedik i Kosovës dhe IKSHPK

No comments:

Post a Comment