Monday, December 27, 2021

Erozioni – problemi i madh i Shqipërisë

Nga Abdulla Diku - Ambientalist

Shqipëria është padyshim vendi më i degraduar i Evropës. Arsyet kanë të bëjnë më së shumti me ndikimin njerëzor mbi burimet natyrore. Djegia dhe prerja e pyjeve, mungesa e menaxhimit të tyre, praktikat e gabuara në kultivimin e tokave bujqësore, mbikullotja, mungesa e masava anti-erozive si dhe mungesa e kontrollit mbi territorin kanë dhënë pasojat e veta tashmë. Këtyre faktorëve kryesorë duhet ti shtojmë edhe ato të shkatërrimit të shtertërve të lumenjve për qëllime përfitimi, i cili ka çuar në pasoja shkatërrimtare në bregdetin tonë.

Erozioni i tokës shkakton për çdo vit humbje kolosale jo vetëm toke por edhe lëndësh ushqyese, duke degraduar kështu tokat tona. Është vlerësuar se vetëm nga humbja e lëndëve ushqyese të tokës prej shpëlarjes nga erozioni, humbjet llogariten në rreth 100 milion euro. Nëse do ti shtojmë kësaj shifre edhe dëmin e shkaktuar nga rrëshqitjet e tokës, dëmtimin e veprave të infrastrukturës, qendrave të banuara etj. dëmi është shumë herë më i madh.

Krahasuar me vendet evropiane, Shqipëria e ka rreth 11 herë më të lartë nivelin e erozionit. Sipas studimeve të ndryshme norma mesatare e erozionit në Shqipëri llogaritet në rreth 27.5 ton/ha/vit, (ose rreth 2.4 mm shtresë toke nga gjithë sipërfaqja e territorit shqiptar/vit), krahasuar me 2.5 ton/ha/vit që e ka Evropa. 

Por më e rëndësishmja nga të gjitha, duke keq-menaxhuar territorin tonë, kemi krijuar një disballancë të frikshme me natyrën. Krijimi i shtresës së tokës që humbet nga territoret tona prej 2.4 mm toke në vit, kërkon që natyra të punojë pareshtur për rreth 100 vjet. Ndërkohë që erozioni na e merr për një vit të vetëm atë kontribut shekullor të natyrës. Pra, lejojmë të shkatërrohet çdo vit puna 100 vjeçare e natyrës.  

Në Seman (Fier), deti ka pushtuar në 20-30 vitet e fundit rreth 1000 metra tokë. Vetëm aty, humbja e tokës mund të jetë 400-500 ha. Erozion masiv ka gjithashtu edhe në pjesën bregdetare të Rrushkullit (Durrës) dhe Kune-Vain (Lezhë). E gjitha ka të bëjë me keq-menaxhimin e baseneve dhe shtretërve të lumenjve tanë. Faktet tregojnë që me keq-menaxhimin e burimeve natyrore në basenet tona dy dekadat e fundit, ritmi i erozionit është shumëfishuar. Tashmë ka humbur balanca qindra a mijëra vjeçare e ‘ushqyerjes’ së detit me sedimente. Për rrjedhojë, deti merr nga toka atë që ne vjedhim nga shtretërit e lumenjve, sedimentet. Një problem madhor janë edhe HEC-et në kaskadat e lumenjve tanë. Digat e ndërtuara përgjatë tyre, pengojnë sedimentet të përfundojnë në det, duke i mbajtur në rezervuarët e tyre.

Tashmë është e sigurt që Shqipëria nuk e ka më sipërfaqen prej 28,748 km2. Prej erozionit bregdetar, kjo sipërfaqe është më e vogël se aq. Mosmenaxhimi i pyjeve, kullotave dhe territorit, vazhdimi i zbatimit të praktikave të gabuara në bujqësi veçse do e përkeqësojnë edhe më shumë situatën në këtë drejtim.

Përveç pjerrësisë dhe gjeologjisë së territorit, një faktor tjetër i rëndësishëm lidhur me sasinë e erozionit janë edhe ndryshimet klimatike. Thatësirat e tej zgjatura të pasuar nga reshje intensive, ndryshimet në strukturën e reshjeve, ekstremet e temperaturave etj. e rrisin shumë e më shumë erozionin e tokës. 

Prej dekadash nuk bëhen më sistemime malore apo mbjellje pyjesh.  Kjo ka sjellë shifrat e frikshme të ‘kancerit’ të ekosistemeve tona, EROZIONIT!

No comments:

Post a Comment