“Kosova pavarësisht se shtet i vogël dhe jo anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) duhet të marr vetë masat për adaptim dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike” pasi sipas Profesorit Universitar i cili është njohës i fushës së mjedisit, Zeqir Veselaj, Kosova po përballet me ndryshime të dukshme klimatike. Veselaj, ka treguar se Kosova ka një plan të veprimit për ndryshime klimatike por sipas tij plani është shumë ambicioz dhe larg zbatimit në praktikë. “Kosova në vitin 2015 ka hartuar një inventar të emetimeve të gazeve me efektin serrë, i cili adreson disa nga sfidat dhe ngjashëm me kërkesat e Marrëveshjes së Parisit synon që deri në vitin 2030 të ketë 0 emisione të gazeve me efekt serrë, se a mund të arrihet ky cak tepër ambicioz për të mos thënë utopik në raport me situatën reale të shtetit, është një pikëpyetje e madhe”, ka thënë Veselaj për Albanian Post.
Profesori Universitar, ka folur edhe për kalimin nga prodhimi i energjisë prej lëndëve djegëse tek prodhimi i energjisë prej burimeve të ripërtritshme, duke shtuar se Kosova ka hartuar një Plan Kombëtar për Veprim për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë, por sipas tij edhe ky plan nuk ka zhvilluar hapa konkrete për zbatim.
Në Kosovë ka nisma të vogla private të
investimeve në energji të erës si dhe në energji solare që janë në fazën e
implementimit. Sipas Veselajt në Kosovë kryhen edhe studime të mjaftueshme për
kapacitete të energjisë së ripërtritshme si në fushën energjisë solare ashtu
edhe në energjinë e erës.
Në anën tjetër Zyrtari për ndryshime klimatike
në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Abdullah
Pirçe, ka treguar se Kosova nuk ka ndërmarrë ende masa për parandalimin e
prodhimit të energjisë nga lëndët djegëse në këtë rast thëngjilli. Me
arsyetimin se mbulimi i kërkesës për energji elektrike tani për tani nuk mund
të bëhet nga burimet egzistuese të ripërtritëshme. Ai, për Albanian Post ka
treguar se ekziston plani për dekomisionimin e Termocentralit Kosova A, mbyllja
e të cilit pritet të bëhet deri në vitin 2027, ndërsa Termocentrali Kosova B
pas përfundimit të studimit të fizibilitetit pritet të rehabilitohet dhe do të vazhdoj
me prodhim. Pirçe, tregon se duhet të shtoj kapacitetet për prodhim të
energjisë së ripërtëritshme, për t’u shmangur katastrofave klimatike. “Kosova
duhet në të ardhmen të vazhdoj me ngritjen dhe përforcimin e resurseve humane
për monitorimin dhe mbrojtjen e mjedisit nga ndotja, ngritjen e sasisë së
prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtritshme”, ka thënë Pirçe për
Albanian Post.
Ai gjithashtu ka thënë se parandalimi i
dëmtimit të pyjeve, investimi në përmirësimin e gjendjes së shtretërve të lumenjve
në zonat të cilat janë të rrezikuara nga përmbytjet, ndërmarrja e masa për
mbrojtjen e cilësisë së ujërave, do të ishin pikat kyçe që kërkon përmirësim në
luftën kundër katastrofave klimatike. Pirçe, ka treguar se Kosova e ka të
miratuar Strategjinë e Veprimit për Ndryshime Klimatike për periudhën 10
vjeçare 2019 – 2028 si dhe Planin e Veprimit për Ndryshime Klimatike për
periudhën 2019 – 2021, dy këto të parealizueshme sipas profesorit Veselaj.
Burimi i informacionit: Albanianpost.com
No comments:
Post a Comment