Nga: Dr. Zeqir Veselaj, ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës
U mbushën 5 vjet nga data e aprovimit të Marrëveshjes së Parisit, një proces ky shumë i vështirë i negociatave mes shteteve.
Shtete më të fuqishme e përkrahën e më pas 195 shtete nënshkruan marrëveshjen e cila synon mbajtjen nën kontroll të rritjes së temperaturës globale nën 1.5oC. Disa e pritën si shpëtim për njerëzimin, të tjerët e panë me skepticizëm në vazhdën e shumë të tjerave që nuk po japin rezultat në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Këtë skepticizëm e shtuan sidomos zhvillimet politike në shtetin më të fuqishëm të botës SHBA.
Vendimi i parë i administratës Trump fatkeqësisht ishte dalja e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit. Ky vendim hyri në fuqi me 4 nëntor 2020, pra një ditë pas zgjedhjeve presidenciale 2020. Era Trump filloi me Marrëveshjen dhe u përmbyll me të, por me dëme mjaft të mëdha për klimën globale. Shpresa u rikthye. Vendimi i parë i zotuar nga presidenti i zgjedhur Joe Biden, madje midis pikut të krizës Covid 19 është rikthimi i SHBA-së në këtë marrëveshje. Shoh disa arsye për këtë. E para se Biden është demokrat dhe pasues i politikave më konsekuente për luftimin e ndryshimeve klimatike të filluara nga Bill Clinton e zëvendësi i tij Al Gore (më pas fitues i çmimit Nobel për Paqe pikërishtë për këtë kauzë) e të vazhduara nga shefi i tij në Shtëpinë e Bardhë Barack Obama si nënshkrues i Marrëveshjes. E dyta, se Biden edhe si ish-zëvendës president ka marrë mesazhet nga shkenca se ndryshimet klimatike janë “e vërteta e pakëndshme” e paralajmëruar për njerëzimin e cila duhet adresuar urgjentisht. Me këto dy arsye, emërimet e administrates së re i fillo me John Kerry si i Dërguar Special për Ndryshimet Klimatike. Qarqe diplomatike e mjedisore, duke u mbështetur në karrirerën e ish-sekretarit të shtetit Kerry dhe fuqinë e tij te demokratët, këtë emërim e kategorizuan si “emërim i peshave të rënda” duke bërë një analogji me sportet luftarake.
Shkencëtari Johan Rocström, shpikësi i konceptit të kufijve planetar (nënkuptohen kufijtë që nuk mund të kalohen, në mënyrë që jeta në Tokë të vazhdoj), me të dhënat edhe nga shkencëtarët argumenton se “9 nga 15 sistemet biofizike që rregullojnë klimën globale tashmë janë në lëvizje për keq e disa kanë arritur shumë afër asaj që njihet si pika e pakthim (tipping point)”. Dekada e fundit shënoi thyrje të vazhdueshmerekordesh të ekstremeve klimatike. Nëntori që sapo kaluam u shënua si nëntori më i nxehtë në histori të matjeve, më saktëisht 0.77oC mbi mesataren e temperaturës. Zjarret në Australi, Amazonë, Siberi e Kaliforni, vërrshimet në Kinë, Bangladesh e Indi dhe valët e të nxehtit që vazhdimisht po e godasin gjithë hemisferën veriore. Para një dekade, sipas Rockström vetëm një nga sistemet kishte shenja të qarta të arritjes së pikës së pakthim: akulli i Arktikut. Tani të dhënat janë shokuese sipas Rockstrom dhe të tjerëve. Jemi vetem disa dekada larg një Arktiku pa akull, permafrosti në Siberi po shkrihet në shkallë dramatike, Grenlanda po humbet me triliona ton akullnaja, pyjet në hemisferën veriore po digjen me re tymi sa sipërfaqja e kontinentit evropian, qarkullimi i rrymave në oqeanin Atlantik po ngadalësohet, pyjet e shiut në Amazonë po dobësohen, gjysma e shkëmbijve koralor kanë vdekur, Antarktika përendimore mund të ketë arritur pikën e pakthim përderisaakullnaja më stabile në planet (Antarktika veriore) ka filluar të çahet.
Sipas të dhënave shkencore, gjysma e sasisë së gazeve serrë që kur ka filluar djegia e fosileve janë shkarkuar në 30 vjetët e fundit, pra që nga koha kur u adoptuan Konventa e Ndryshimeve Klimatike dhe Al Gore shkroi librin e tij të famshëm “An inconvinient Truth”. Sot planeti ynë është 1.1oC më “i nxehtë”se para revolucionit industrial. Dikujt edhe mund t`i duket shumë pak, por kjo është alarmante. David Wallace-Wells me të drejtë theksson se ndryshimet klimatike nuk i kemi trashëguarnga paraardhësit tanë, por është “punë” e një gjenerate të vetme,pra gjeneratës sonë. Ky është një lajm i keq. Por në të njëjtën kohë ka edhe diçka të mirë në lajmin e keq. Kjo tregon fuqinë endikimit tonë mbi klimën, që d.t.th. se kemi edhe fuqinë, dijen dhe teknologjinë që ta trajtojmë problemin që e kemi krijuar vet.
Në vitin kur unë kam lindur në Gllarevë time, klima globale duket se ka qenë ende stabile. Atëbotë ne si komb jemi marrë me gjëra ekzistencial, kurse si nxënës dhe student nuk kemi pasur burimet e informacionit që kemi sot në dispozicion. Sot jemi përballë një katastrofe klimatike thenë më së buti. Shpëtiminga pika e pakthim apo katastrofa ka një datë: viti 2030 dhe ka caqet për të na shpëtuar e të cilat derivojnë nga Konventa e Ndryshimeve Klimatike, Protokoli i Kyotos dhe Marrëveshja e Parisit.
Kosova ende në vendnumëro!
Për shumicën e kosovarëve të zakonshëm, faktet që përmendinAl Gore, Rockstrom, Wallace-Wells, IPCC, UNEP, NASA dhe shkenca elitare globale trajtohen si fantashkencë, diçka që ndodh larg nga ne apo edhe ekzagjerime alarmante të ambientalistëvenë rastin më të mirë. Për vendimarrësit kjo shiqohet edhe nga aspektet e injorimit të këtij problem në emër të nevojës së vendit për zhvillim e deri te arsyetimet patetike se “çfarë peshe ka Kosova e vogël në gjithë këtë?”. Tharja dhe ngrirja shpeshtë e Mirushës brenda muajsh, thatësirat dhe të nxehtit ekstrem gjatë verës, dimrat e ftohtë e shpesh pa borë, mungesa e reshjeve dhe ujit, vërrshimet edhe kur ka reshje, erërat e fuqishme me incidence të shtuar janë indikatorë të qartë të anomalive po që nga komunitet ende nuk konsiderohen të kenë lidhje me ndryshimet klimatike.
Inventarët e gazeve serrë në Kosovë janë përpiluar dhe kanë mbetur në letër. Strategjitë dhe planet e veprimit gjithashtu nëpër sirtarë. Bile më mirë të jenë ashtu sespse shpesh duken shumëjoserioze si dokumente. Një krahasim i thjeshtë për këtë.Strategjia dhe Plani i Veprimit për Ndryshimet klimatike 2019-28, vizionin e saj e ka për “Kosovën me zero emisione të gazeve me efekt serrë” (f.43). Pra për tetë vjet nuk ka emisione serrë në një shtet që sektorin energjetik me 90% e mbështet në derivate fosile. Në anën tjetër BE-ja në Paktin Evropian për Klimën parasheh zero emisione neto të gazeve me efekt serrë deri nëvitin 2050. Sipas kësaj logjike del se BE-ja mund të mësoi nga Kosova se si shkurtohen emisionet e gazeve serrë për tetë vjet dhe jo të na dërgoi ekspertë për të ngritur kapacitetet tonafillestare!.
Raporti i Progresit i KE për vitin 2020 konstaton ndër të tjera se “Kosova nuk ka bërë asnjë përparim në përafrimin me legjislacionin e BE-së në fushën e ndryshimeve klimatike. Këshilli për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike si dhe Koordinatori nuk ka ndërrmarrë asnjë masë konkrete për të përfshirë veprimet klimatike ose për të ngritur vetëdijen e publikut. Ka pak dëshmi të politikave që përputhen me objektivat e ndryshimeve klimatike. Strategjia dhe plani i veprimit për ndryshimin e klimës nuk janë zbatuar”. Pra gjithçka po vendnumëron.
Megjithatë mirë që po vazhdon trajnimi i zyrtarëve shtetëror për tu familjarizuar dhe përgatitur për përballje me sfidën globale. Mirëpo çka të bëjnë këta zytarë, kur ballafaqohen me mungesën e vullnetit politik nga shefat e tyre politik (ministrat, zëvendësministrat)? Po, po nuk ekziston asnjë vullnet politik. Përndryshe si ishte e mundur aq lehtë të “sakrifikohej” ministria e mjedisit për pazare politike të koalicioneve. Deputetët, që më pas e quajtën veten “të gjelbërt” është dashur atëher ta ngrisin zërin kundër asaj tendence sepse veç e kishin të fituar mandatin. Një ministri që mbulonte: mjedisin, ujërat, urbanizmin, e mbi tëgjitha planifikimin hapësinor u “avullua” duke u prekur edhe emrin kushtetues të saj. Të gjitha këto sisteme ndikohen direkt nga ndryshimet klimatike. A mund të quhet ky seriozitet institucional i të kuptuarit politik të problemit? Me logjikën e politikanit kosovar i cili vazhdimisht përsërit se “mjedisin e kemi prioritet” sidomos kur takohet me ndërkombëtarët dhe kërkon fonde nga ata. Me logjikën e shëndosh dhe me çka po përjetojmë: prerje pyjesh, djegie qymyri e derivatesh fosile, transport jo i qëndrueshëm, krizë për ujë dhe ndotje nga ujërat e zeza, humbje biodiversiteti, degradim tokash, zhvilime hapësinore e ndërtime pa plane, mbeturina etj. sigurisht se jo.
Mbështetja nga donatorët ndërkombëtar është prezente por nuk mjafton kur nuk shihet vullneti politik i vendorëve. Për më tepër që duke mos qenë pjesë e mekanizmave global të ndryshimeve klimatike: konventa, protokole, marrëveshje e programe,Kosova është jashtë mundësive të mbështetjes me mekanizma financiar të rregullt që dalin nga to për të ndihmuar shtetet në zhvillim (të varfëra) për t`u përballur me ndryshimet klimatike.
Në një ligjëratë timen, para se të flisnim për ndyshimet klimatike studentëve ua shtrova një pyetje në formë kuizi. Nga tri konceptet bazë: efekti serrë, ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike, sipas njohurive që kishin cili është shkaku dhe cila është pasoja? Një numër shumë simbolik e dinin rrjedhën e këtyre proceseve në natyrë. Kjo është indikacion i qartë se edukimi formal për ndryshimet klimatike mungon në sistemarsimor dhe ai duhet të fuqizohet dhe përshpejtohet. Sepse edhe ne jemi pjesë e 7.4 miliard banorëve të planetit të vetëm që e kemi. Secili nga ne ka nevojë për ushqim, ujë, banim, veshbathje, energji, transport. Dhe për secilën prej këtyre nevojave shkarkimet e CO2 janë konstantja e ndikimit individuale e kombëtar në klimën globale e që njihet sot si Gjurma e karbonit (Carbon Footprint).
A do të jetë Kosova anëtare e OKB-së dhe ashtu palë në marrëveshjet e klimës në dekadën e parë të Marrëveshjes së Parisit?. Mbetet të shihet, e deri atëher do ballafaqohemi me pasojat e ndryshimeve të klimës në njërën anë dhe me një klimë më të mirë në qasjen tonë shoqërore, politike, ekonomike dhe edukative ndaj sfidës më të madhe të njerëzimit deri sot.
No comments:
Post a Comment