Nga: Nadie Ahmeti, Radio Evropa e Lirë.
Stafi mjekësor dhe organizatat e ndryshme joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit kanë shprehur shqetësimin e tyre për rrezikshmërinë e qytetarëve nga prania e pajisjeve dhe produkteve mjekësore, që përdoren për mbrojtjen dhe trajtimin e pacientëve të sëmurë me COVID-19, në ambiente të ndryshme në Kosovë. Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për përdorimin e maskave dhe dorezave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, është rritur sasia e mbeturinave të tyre jashtë kontejnerëve. Nga organizata "Ta pastrojmë Kosovën", e cila merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, thonë se pas shpalljes së pandemisë nuk është vërejtur ndonjë aktivitet shtesë nga organet kompetente që t'i trajtojnë në mënyrë të veçantë këto mbetje.
Luan Hasanaj, drejtor ekzekutiv në këtë organizatë, thotë se në këtë mënyrë po rrezikohet shëndeti i qytetarëve dhe vullnetarëve të kësaj organizate, që merren me pastrimin e hapësirave të ndryshme të Kosovës.
“Ne u sugjerojmë autoriteteve shëndetësore që të vendosin shporta
dhe kontejnerë të veçantë për të gjitha medikamentet mjekësore që përdoren për
trajtimin e personave të sëmurë me COVID-19, mirëpo edhe atyre që shkojnë për
të kërkuar trajtim. Duhet të ketë kosha të veçantë për mbeturina. Pastaj, edhe
kompanitë, të cilat merren me menaxhimin e mbeturinave, duhet t'i trajtojnë
këto në mënyrë të veçantë”, thotë Hasanaj për Radion Evropa e Lirë.
Çfarë duhet të veshin të gjithë mjekët?
Por, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pohojnë
se të gjitha mbetjet medicinale, duke përfshirë edhe rrobat mbrojtëse
njëpërdorimshe kundër COVID-19, trajtohen në impiantin për trajtimin e mbetjeve
medicinale - impiant ky që ekziston në kuadër të QKUK-së.
Mehdi Krasniqi, shef i sektorit të shërbimeve teknike në
QKUK, tregon se në këtë impiant trajtohen edhe mbetjet medicinale të Qendrave
të Mjekësisë Familjare.
“Në këtë impiant bëhet trajtimi i të gjitha mjeteve
medicinale, si; shiringa, infuzione, rrobat mbrojtëse dhe gjëra tjera. Së pari,
grimcohen përmes aparaturës përkatëse, pastaj përmes avullit deri në 180 gradë
Celsius bëhet sterilizimi i tyre. Nga sasia e përgjithshme e mbetjeve
medicinale, pas trajtimit mbetet vetëm 1/3 e sasisë. Sterilizohen dhe dalin si
mbeturina të zakonshme. Më pas trajtohen nga kompania 'Pastrimi' që i
grumbullon ato dhe i hedh në deponi përkatëse”, shpjegon Krasniqi.
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë
është kompani publike, e cila merret me grumbullimin, bartjen dhe menaxhimin e
mbeturinave në Prishtinë dhe në gjashtë komuna të tjera të Kosovës.
Zyrtarë të kësaj kompanie nuk kanë informacione zyrtare se në çfarë forme trajtohen këto mbeturina.
Arbnora Ademi, zëdhënëse në kompaninë “Pastrimi”, në një
bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se kompania bën grumbullimin e mbeturinave
edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në institucione tjera
shëndetësore dhe shumë herë has në maska, doreza dhe pajisje tjera mbrojtëse,
që, sipas saj, paraqesin rrezik për shëndetin e punëtorëve.
Grumbullimi i mbeturinave, thotë ajo, është duke u bërë në
mënyrë të rregullt sikur para pandemisë.
“Ne kemi marrëveshje me Qendrën Klinike Universitare të
Kosovës për grumbullimin e mbeturinave. Mirëpo, sa i përket gjendjes së
tanishme me COVID-19 për masat mbrojtëse, nuk kemi asnjë marrëveshje konkrete.
Ne bëjmë largimin e atyre mbeturinave në hapësirat e QKUK-së gjatë 24 orëve. Ka
maska, doreza, pajisje mbrojtëse të stafit mjekësor, ka produkte mjekësore që
punëtorët e kompanisë 'Pastrimi' i largojnë. Ne nuk e dimë ku përfundojnë ato
mbeturina, a përfundojnë në ndonjë kompani tjetër apo përfundojnë në
kontejnerët e kompanisë sonë për të cilët kryejmë shërbimin...”, thotë Ademi.
Pas grumbullimit nga kompania “Pastrimi”, mbeturinat, çfarëdo qofshin ato, dërgohen në deponinë e mbeturinave në Mirash të Komunës së Obiliqit.
Kjo deponi menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive
në Kosovë. Kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Abdullah Haxhiu, thotë se nuk
ka informacione nëse në mbeturinat e deponuara ka pajisje dhe produkte
mjekësore.
“Ne nuk kemi mekanizëm që të identifikojmë a janë duke
ardhur produkte mjekësore. Ne e provojmë me forma klasike, përmes mjeteve të
dorës, për të parë nëse ka këso lloj mbeturinash. Por, është shumë problem, për
shkak se ato, në shumicën e rasteve, vijnë në thasë të ndryshëm dhe është
problem të identifikohen. Kështu që, e gjithë sasia e mbeturinave mbulohet me
dhe”, thotë Haxhiu.
Por, sipas përfaqësuesit të kësaj kompanie, mbeturinat e
tilla mund të jenë të rrezikshme për punëtorët e këtyre kompanive, por edhe
mbledhësit ilegalë.
Përveç mbetjeve medicinale në hapësirat e qendrave shëndetësore, Luan Hasanaj, nga organizata joqeveritare “Ta Pastrojmë Kosovën”, thotë se në Kosovë është një ndotje enorme e mjedisit nga përdorimi i maskave, dorezave, shisheve të dezinfektueve dhe pajisjeve tjera mbrojtëse personale, që hidhen nga qytetarët e pandërgjegjshëm.
"Ne, gjatë aktiviteteve të përditshme, kemi vërejtur se
këto pajisje hidhen pa kontroll në shumë hapësira. Pra, shihet një prezencë
shumë e madhe, qoftë e maskave, e dorezave, por edhe e medikamenteve, të cilat
qytetarët i hedhin pa kontroll”, thotë Hasanaj.
Nga prania e këtyre pajisjeve në rrugë, mundësia e përhapjes
se virusit ekziston, thotë infektologu Arben Vishaj.
“Hedhja e maskave në ambiente të hapura është një procedurë
e rrezikshme që mund të çojë te përhapja e infeksionit. Më së shumti të
rrezikuar janë punëtorët komunalë që i grumbullojnë këto mbeturina dhe fëmijët.
Hedhja e maskave, përveçse është veprim i pahijshëm, është sjellje që e dëmton
seriozisht shëndetin e njerëzve tjerë, kur dihet fakti se virusi mund të
qëndrojë në përmbajtje të tekstilit me ditë të tëra”, thotë Vishaj.
Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së
pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës, më 28 korrik, 2020, ka marrë vendim, në
bazë të të cilit të gjithë banorët e Republikës së Kosovës obligohen që t’i
bartin maskat në fytyrë në të gjitha veprimtaritë jashtë shtëpive/banesave të
tyre.
Nëse nuk respektohen këto masa, qytetarët mund të ndëshkohen
në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, i cili
është miratuar nga mesi i këtij muaji në Kuvendin e Kosovës.
Në bazë të këtij ligji, i cili të mërkurën është publikuar
në gazetën zyrtare, thuhet se ”personi fizik që nuk respekton vendimin për
mbajtjen e maskës dhe mbajtjen e distancës, dënohet me gjobë 35 euro".
Burimi i informacionit: https://www.evropaelire.org
No comments:
Post a Comment