Sunday, July 12, 2020

Uji, fatura e së ardhmes!

Nga Rizah Hajdari, Ekspert i Mjedisit

Dikur, etjen e shkaktuar nga vapa e gushtit po e shuaja duke pirë ujë afër “pusit të rrumbullakët”. Disa metra më poshtë, babai u kishte liruar frenat Xhogut dhe Dorisë dhë nën fishkëllimën e tij karakteristike po i inkurajonte ata të pinë ujë. Edhe më poshtë, dëgjoheshin goditje ritmike dhe të rënda; gratë po lanin tesha  dhe po i goditnin ato me “parajka” të drunjta. Tutje më poshtë, ishte vendi ku fillonte “pusi i gatë” mjaft i përshtatshëm për freskim, notim, madje edhe për gara. Të gjitha këto mund ti përjetoje në fillim të viteve 80-ta në lumin Drenica, natyrisht edhe në lumenjtë tjerë të Kosovës.

Sot, fëmijëve të mi, përshkrimi i mësipërm mund të ju duket si një përrallë, apo diçka që mund të ndodhë vetëm në filmat e animuar të tyre. Sepse sot, nuk mund të shohësh një atmosferë të tillë. Nuk është arsyeja ngritja e standardit jetësor dhe blerja e rrobalarësve; nuk është edhe se babai im tani nuk ka më Xhog e Dori; nuk është se tani ka mjaft pishina dhe nuk na duhet lumi për larje e notim. Arsyeja është mjaft e qartë. Tani në lumin Drenica dhe në lumenjtë e tjerë të Kosovës, derdhen të gjitha kanalizimet e vendbanimeve përreth, derdhen ujërat industriale të Feronikelit dhe të industrive të tjera më të vogla që operojnë përgjatë lumit, hedhen mbeturina urbane (“e rurale”). Sepse tani, për shkak të eutrofikimit, lumi pothuajse është ngulfatur në shumë vende përgjatë rrjedhës së tij. Tani nuk mund të kënaqesh duke parë lejlekun duke gjuajtur për peshq, nuk mund të gjesh lëkonin e bardhë. Jo rrallë mund të shihen peshq mbi ujë, por të vdekur.

Sot, mund të jesh ftuar në shumë ceremoni, organizuar nga organizata, institucione e OJQ, për shënimin e ditës botërore të ujërave. Sot sheh e dëgjon deklarime e promovime nga ma të ndryshme se uji duhet ruajtur ashtu e kështu, sot qytetarëve u thuhet se ne po punojmë për ujin, ne kemi bërë atë e këtë, por se edhe ju duhet të bëni kështu e ashtu. Sot mund të ju informojnë se sa ligje janë aprovuar, se sa fonde janë harxhuar, se sa donacione janë dhënë, se sa projekte janë financuar nga fondet e huaja e sa projekte janë zbatuar nga OJQ. Sot në ditën botërore të ujërave, edhe një rast i mirë për të pasur vëmendjen e medieve, për të bërë shënime, deklarime, promovime.

Sot, Kosova nuk ka informata të sakta dhe të besueshme mbi resurset ujore të saj. Kosova nuk ka asnjë impiant për trajtimin e ujërave të zeza. Raporti për Gjendjen e Ujërave në Kosovë (AMMK, 2010) sugjeron se gjendja e ujërave në Kosovë në të gjitha aspektet dhe dimensionet e saj është e pakënaqshme. Po ky raport, thekson mungesën e sistemit efektiv të menaxhimit dhe mbrojtjes së resurseve ujore, dhe për pasojë degradimin sistematik të ujërave.

Sot, shumica e popullsisë së Kosovës”, industritë, biznesit, zhvillimi ekonomik, janë koncentruar në rrafshin e Kosovës. Në ndërkohë, resurset më të mëdha ujore gjenden në rrafshin e Dukagjinit. Sot ne nuk e dimë sa ujë është duke shpenzuar Kosova dhe nuk kemi vlerësime (parashikime) se sa ujë do të na duhet pas 50 vitesh, se a do ta kemi atë ujë dhe nëse jo çfarë duhet të bëjmë.

Nesër, Kosova do të duhet të ketë një strategji afatgjatë për ruajtjen dhe menaxhimin e ujërave. Në strategji do të duhet të identifikohen nevojat e ekonomisë, bujqësisë dhe amvisërive të Kosovës për ujë. Për të ndërtuar një strategji të mirëfilltë, Kosova do të duhej të kishte një strategji të zhvillimit ekonomik, në mënyrë që paraprakisht të vlerësohen kërkesat e ekonomisë për ujë. Në këtë kontekst do të duhej të bëhej edhe parashikimi i kërkesës për ujë si rezultat i rritjes së popullsisë, e rrjedhimisht edhe i rritjes ekonomike dhe i zhvillimit të bujqësisë.

Nesër, Kosova do të duhej të llogariste edhe efektet e ndryshimeve klimatike në ujëra.

Sipas publikimi të bërë nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (Mjedisi i Evropës – Gjendja dhe Perspektiva, 2010), parashikimet më optimiste sugjerojnë se temperatura globale do të mund të rritet prej 1,8-4,0 0C. Si pasojë e kësaj, sipas të njëjtit publikim, rajoni biogjeografik ku bënë pjesë edhe Kosova do të përballet me: më shumë temperatura ekstreme, më pak reshje gjatë verës, më shumë përmbytje të lumenjve gjatë dimrit, temperatura më të larta të ujit, ndryshueshmëri të rendimenteve bujqësore, rritje e rrezikut të zjarreve në pyje dhe stabilitet më i ulët i pyjeve. Janë këto pasoja të pritshme të cilat duhet të merren parasysh në politika strategjike afatgjata të Kosovës.

Ka grupe njerëzish që e kontestojnë shkaktarin e ndryshimeve klimatike, por të gjithë pranojnë se klima po ndryshon, dhe se efektet e ngrohjes globale do të godasin pikërisht sektorin e ujerave. Kosova, sikurse edhe vendet e tjera, do të duhet të përgatis dokumente strategjike dhe mekanizma institucional për të adresuar këto probleme, përkatësisht për të menaxhuar (zbutur) pasojat e ndryshimeve klimatike me theks të veçantë në ujin si resurs.

Tanimë është mirë e pranuar se uji duhet të shikohet nga prizmi shumë-dimenzional dhe të trajtohet kompleksi i faktorëve relevant për ujin. Çështja e ujit nuk guxon të ngelet në nivelin vetëm “Ujë”, nuk guxon të ngelet në nivelin e reklamave televizive, posterëve, konferencave apo deklaratave politike. Nuk është zgjidhje nëse gjithçka përfundon me një lutje ndaj qytetarëve që të kursehet uji. 22 Marsi nuk guxon te merret vetëm si një mundësi për tu dukur në TV, radio apo gazetë.

Për aq sa kjo është një çështje komplekse, kërkon edhe trajtim jashtëzakonisht serioz dhe gjithëpërfshirës. Kërkon investime në njerëz dhe fonde.

Institucionet tona edukative e shkencore, duhet të jenë në gjendje të përmbushin misionin e tyre dhe të japin mesazhe të qarta, shkencërisht të bazuara e të argumentuara se çka duhet të bëhet në këtë drejtim.

Institucionet qeveritare, duhet ta bëjnë të qartë se sa ujë do të ketë Kosova për amvisëritë, për industrinë apo për bujqësisë. Duhet pasur të qartë se cilat do të jenë sfidat e ardhshme për resurset ujore, cilat do te jenë masat për mbrojtjen e tyre dhe si duhet të zbatohen ato.

Në debate të ndryshme ndërkombëtare, shkohet edhe deri aty, se a duhet njerëzit të paguajnë për ujin, nëse uji është pronë publike, pronë e shtetit apo pronë private (bie fjala një pus në oborrin tim); a është qasja në ujë e drejtë themelore njerëzore; a është uji një e mirë publike; si burim i natyrës dhe jo produkt i krijuar nga njeriu a duhet faturuar ujin…??? Pavarësisht pro-ve dhe kontra-ve, është e qartë, uji ka një faturë. Në rast të indiferencës ndajë kësaj çështjeje fatura mund të jetë shumë e lartë, e pa përballueshme.

Nesër, kjo faturë mundë të shpie edhe deri të konfliktet edhe të luftërat.


No comments:

Post a Comment