Tuesday, June 30, 2020

Liqeni i Ujmanit – historia, faktet dhe të dhënat përmes dokumenteve të kohës

Nga Afrim Berisha

Ndërtimi i liqenit të Ujmanit ka filluar në vitin 1972 në afërsi të fshatit Ujman,nga edhe e ka marrë emrin dhe ka përfunduar në vitin 1977. Hidrocentrali është bërë në vitin 1986, vit në të cilin është kompletuar edhe ndërtimi i pjesës veriore të hidrosistemit.

I gjithë ky projekt është realizuar pas miratimit të Ligjit për Ratifikimin e Kontratës mbi Projektin në mes të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) së atëhershme dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, Nr. 777-YU (Ndërtimi i hidrosistemit ‘Ibër” për disa qëllime). Ligji është publikuar në Fletorën Zyrtare të KSAK Nr. 12 datë 26 Prill 1972. Siç mund të lexohet në Fletoren Zyrtare, Kryetar i Kuvendit të KSAK-së, në atë kohë ka qenë Ilaz Kurteshi.

Liqeni i Ujmanit është pjesë e Hidrosistemit “Ibër-Lepenc”, i cili përbën një sistem kompleks të pendave, hidrocentraleve dhe kanaleve të ujitjes. Ky hidrosistem përbëhet nga dy njësi: pjesa veriore e cila bazohet në rrjedhat dhe potencialin e lumit Ibër dhe pjesa jugore e cila bazohet në resurset e lumit Lepenc. Pjesa veriore e hidrosistemit ka përfshirë ndërtimin e pendës dhe hidrocentralit “Ujmani”, ndërtimin e pendës së vogël “Pridvorica”, sistemit të stacioneve të pompimit dhe kanaleve nëntokësore dhe mbitokësore të ujitjes.

Financimi i ndërtimit të projektit është bërë nga kredia e marr nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim ( 45 milionë dollarë) dhe një pjesë është siguruar nga buxheti i Kosovës. Projektin e Liqenit e ka hartuar ndërrmarrja ”Energoprojekti” e Beogradit, kurse në ndërtimin e tij kanë marrë pjesë ndërmarrjet: Hidrogradnja, Hidrotehnika, KNI ”Ramiz Sadiku”, Rudis nga Sllovenia dhe shumë nënkontraktorë të tjerë.

Në kohën e ndërtimit të projektit Komuna e Zubin Potokut nuk ka ekzistuar. Procedurat e eksporpruimit (shpronësimit), vlerësimit dhe kompenzimit të pronarëve i ka bërë Komuna e Mitrovicës, me ekspertë shqiptarë e serbë. Edhe pse pronarët kishin marrë kompensimin për tokat e marra nga realizimi i projektit, pas vitit 1981 politika e Beogradit e sulmonte Prishtinën se ndërtimi i projektit ka qenë në shërbim të shpërnguljes së serbëve nga Kosova.

Është folur shumë për rëndësinë strategjike, ekonomike e sociale të Liqenit të Ujmanit ose sikur njihet ndryshe Liqeni i Gazivodës. Në vijim po ofrojmë disa fakte dhe shifra që e argumentojnë rëndësinë multi- dimensionale që ka ky liqen akumulues për Kosovën.

Pjesa më e madhe e Liqenit të Ujmanit (rreth 75%) shtrihet në territorin e Republikës së Kosovës përkatësisht në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, ndërsa rreth 25% e sipërfaqes së liqenit shtrihet në Serbi, në komunat Tutinit dhe Novi Pazarit.

Penda e Ujmanit është një prej pendëve më të mëdha në Evropë, me një gjatësi prej 460 metra dhe lartësi 107 metra.

Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë me sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë dhe rreth 370 milionë m3 ujë.

Gjatësia e liqenit është 16.5 km, gjerësia 1.10 km ndërsa thellësia maksimale 105 m.

Në pjesën e pendës së liqenit është instaluar edhe hidrocentrali me dy turbina që prodhon 35 MegaËatt energji elektrike për orë.

Kanali apo hidrosistemi Ibër-Lepenc që furnizohet me ujë nga Liqeni i Ujmanit është 49 kilometra i gjatë dhe ka kapacitet për ujitjen e rreth 12 mijë hektarëve të tokës bujqësore në disa rajone të Kosovës.

Ky hidrosistem menaxhohet nga Ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci” me seli në Prishtinë, e cila është themeluar në vitin 1967.

Në fillim të viti 2008 kjo ndërmarrje është shëndërruar në ndërmarrje të ekonomisë së ujërave “Ibër-Lepenci”, shoqëri aksionare 100 përqind nën pronësinë e Qeverisë së Kosovës.

Aktualisht ndërmarrja “Ibër-Lepenci” ka rreth 200 të punësuar.

Uji nga ky liqen përdoret edhe për ftohje gjatë procesit të prodhimit të energjisë elektrike në Termocentralet Kosova A dhe Kosova B, për nevoja industriale të fabrikës së Feronikelit në Gllogovc dhe për nevojat industriale të kompleksit Trepça.

Përmes këtij liqeni sigurohet furnizimi me ujë edhe për disa komuna të vendit si: Mitrovicë, Vushtrri, Gllogovc, Skënderaj, Obiliq dhe Fushë Kosovë.

Liqeni dhe zona përreth tij përdoren edhe për peshkim, rekreacion, sport dhe turizëm.

Në rastet e thatësisë ekstreme, uji nga Ujmani përdoret për mbushje të dy liqeneve tjera akumulues (Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit) uji i të cilëve përdoret për pije për banorët e komunave të Regjionit të Prishtinës.

Liqeni i Ujmanit gëzon edhe statusin e zonës së mbrojtur ujore me rëndësi të veçantë të shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës me propozimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Botuar me 19.09.2019 në portalin www.literal.media (https://literal.media/Ekskluzive-Liqeni-i-Ujmanit---historia-faktet-dhe-te-dhenat-e-plota-permes-dokumenteve-te-kohes-/3831)


No comments:

Post a Comment