Sunday, July 24, 2022

Lumi më i rëndësishëm i Evropës po “thahet”

Lumi i Rinit (Rhine), një nga lumenjtë kryesorë evropianë dhe një nga rrugët ujore më të mëdha dhe më të përdorura në Bashkimin Evropian, është në nivelet më të ulëta të ujit, siç raporton “Bloomberg”. Mungesa e ujit ka filluar të shkaktojë probleme në furnizimin me naftë në Zvicër dhe të termocentraleve gjermane. Niveli i ujit në një nga pikat kyçe të lumit për transportin e lëndëve të para dhe furnizimeve, siç është Kaub, ishte rreth 71 centimetra, niveli më i ulët në verë që nga viti 2007. Autoritetet kanë paralajmëruar pasojat e një rënie të re të rrjedhës së Rinit. Sipas përfaqësuesit të Institutit Federal Gjerman të Hidrologjisë, Joerg Belz, nëse niveli i ujit bie edhe 37 centimetra të tjera, nuk do të jetë më e leverdisshme për anijet për të transportuar produkte nga lumi. 

Një situatë që do të rrezikonte transportin e miliona produkteve dhe lëndëve të para nga vende si Zvicra në Detin e Veriut, ku derdhet lumi.

Pas Danubit, Rini është lumi i dytë më i gjatë në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, me një gjatësi prej rreth 1230 kilometrash dhe një shkarkim mesatar prej rreth 2900 metra kub ujë.

“Niveli i ulët i ujit në Rin do të thotë që anijet nuk mund të ngarkojnë qymyr me kapacitet të plotë”, shpjegoi për “Bloomberg” Guillaume Perret, nga firma konsulente Perret Associates. Rini është një nga rrugët lumore më të rëndësishme në të gjithë Evropën, pasi përveç transportit të furnizimit me energji, përdoret për transportin e mallrave nga portet e Amsterdamit, Roterdamit dhe Antwerpenit në pika të ndryshme në brendësi të Evropës. Për Gjermaninë, për shembull, është jetike që rrjedha e lumit të mbetet në nivele mesatare, pasi kjo do t’i lejonte asaj të garantonte furnizimin me material energjetik, në një periudhë në të cilën Evropa duhet të kërkojë një alternativë ndaj gazit rus.

No comments:

Post a Comment