Sunday, May 1, 2022

Strategjia e energjisë 2022-2031, hapë rrugën për dekarbonizimin e Kosovës deri më 2050

Intervistë e gazetares Mirjeta Shabani  nga Buletinit Ekonomik me Sabit Gashin, zëvendësues i drejtorit të Departamentit të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë

Në një studim të financuar nga Banka Botërore më 2020, vlerësohet se potenciali total i shfrytëzueshëm i energjisë së erës në Kosovë duhet të jetë 1200 MW. Me teknologjitë aktuale, mund të prodhohen brenda një viti 3363.84 GWh energji nga ky burim. Ndërsa, potenciali total i shfrytëzueshëm i energjisë së diellit është vlerësuar të jetë 3600 MW, kurse me teknologjitë aktuale mund të prodhohen maksimalisht: 4730.4 GWh.   “Kosova duhet të orientohet kryesisht në energji diellore dhe në energji të erës si dhe në integrimin efektiv në tregun rajonal të energjisë”, kështu është projektuar në politikat e Strategjisë së energjisë nga Ministria e Ekonomisë deri në vitin 2031. Ndërkaq, thëngjilli duhet të eksplorohet edhe në disa aspekte tjera të shfrytëzimit, nëpërmjet teknologjive të thëngjillit të pastër, vlerëson Sabit Gashi, zëvendësues i drejtorit të Departamentit të Energjisë brenda Ministrisë së Ekonomisë, në një intervistë më të gjatë për Buletini Ekonomik.

Gashi në këtë intervistë ka folur për ngurtësinë dhe jofleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës për të përballuar variacione të mëdha në sistem, për orientimet e politikave të sektorit të energjisë të përcaktuara nga Ministria e Ekonomisë në drejtim të dekarbonizimit gradual nëpërmjet promovimit të investimeve në teknologji të prodhimit të energjisë elektrike nga Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, duke synuar që në vitin 2031, pjesëmarrja e tyre në prodhimin e përgjithshëm të energjisë elektrike në Kosovë të jetë 35% nga 5% sa është sot.

Ai në vazhdim ka saktësuar potencialet e mundshme të ngritjes së kapaciteteve të energjisë së rinovueshme në Kosovë dhe ka folur për përparësitë e prodhimit të energjisë elektrike në bazë të erës, karshi asaj solare. Kosova, sipas Gashit, tashmë ka arritur që të përmbushë caqet e përcaktuara për BRE prej 25% (ka përmbushur 24.6% në 2020).

“Jemi në një angazhim intensiv të zhvillimit të politikave, skemave mbështetëse si dhe studimeve për të gjetur hapësirat tokësore të përshtatshme për t’iu mundësuar investitorëve zhvillimin e projekteve të mëdha në sektorin e energjisë se ripërtritshme dhe kjo do të fillojë të japë rezultatet e para më 2023-tën, duke u intensifikuar shumë në vitet pasuese”, ka vënë në dukje planet për nxitje të investimeve të huaja në këtë sektor, Sabit Gashi në intervistën për Buletinin Ekonomik.

Ai vlerëson se sistemi elektroenergjetik i Kosovës është i dizajnuar për të plotësuar ngarkesën bazë brenda një sistemi të fuqishëm të integruar elektroenergjetik dikur, dhe për rrjedhojë ky sistem është tejet i ngurtë-jofleksibil për të përballuar variacione të mëdha në sistem, ndërkohë që tranzicioni energjetik kërkon që burimet fosile të zëvendësohen me burime të ripërtëritshme të energjisë, që në rastin e Kosovës për shkak të limiteve të mëdha të burimeve ujore, duhet bazuar kryesisht në burime variabile (erë dhe diell), për të cilat nevojitet që sistemi elektroenergjetik të pajiset me kapacitete të mëdha të depozitave të energjisë dhe digjitalizimit të tij, krahas integrimit në tregun rajonal të energjisë.

Gjithashtu, Gashi pohon se Ministria e Ekonomisë ka planifikuar që nga viti 2026 e tutje, të vendosë taksën e karbonit dhe fondi që do të përfitohet nga kjo taksë do të orientohet në përballimin e kostos së reformave energjetike drejt tranzicionit në njërën anë dhe në investime në efiçiencën e energjisë, dhe rehabilitimeve mjedisore të veprimtarive energjetike në anën tjetër.

Intervistën e plotë të Sabit Gashit, lexoni në vazhdim:

Buletini Ekonomik: Në një tryezë debatuese të mbajtur këtyre ditëve kushtuar zhvillimeve energjetike në vend, keni deklaruar se tranzicioni i energjisë elektrike në Kosovë është i vështirë, madje e keni vlerësuar thuaja të pamundur dhe me kosto të lartë. Pse është kështu? A mundeni për Buletinin Ekonomik të shkoqitni shkaqet që e bëjnë kaq kompleks tranzicionin energjetik në vendin tonë?

Sabit Gashi: Së pari ju falënderoj për intervistën. Së dyti, tranzicionin as e kam konsideruar dhe as e konsideroj ndonjëherë të pamundur. E konsideroj sfidues dhe me kosto, por në asnjë mënyrë të pamundur. Kosova është një vend me zhvillim ekonomik më të ulët në krahasim me vendet e rajonit. Fuqia përballuese e çmimeve të energjisë për qytetarët dhe bizneset është e kufizuar për përballimin e një tranzicioni energjetik të shpejtë. Sistemi elektroenergjetik i Kosovës është i dizajnuar për të plotësuar ngarkesën bazë brenda një sistemi të fuqishëm të integruar elektroenergjetik dikur, dhe për rrjedhojë ky sistem është tejet i ngurtë-jofleksibil për të përballuar variacione të mëdha në sistem, ndërkohë që tranzicioni energjetik kërkon që burimet fosile të zëvendësohen me burime të ripërtëritshme të energjisë, që në rastin e Kosovës për shkak të limiteve të mëdha të burimeve ujore, duhet bazuar kryesisht në burime variabile (erë dhe diell), për të cilat nevojitet që sistemi elektroenergjetik të pajiset me kapacitete të mëdha të depozitave të energjisë dhe digjitalizimit të tij, krahas integrimit në tregun rajonal të energjisë.

Buletini Ekonomik: Si e mendoni ju personalisht, dhe dikasteri juaj qeveritar, kalimin, qoftë edhe suksesivisht dhe pa u ngutur, nga qymyri si burim i deritashëm thuaja i vetëm i energjisë elektrike ën Kosovë, në burime të energjisë së rinovueshme?

Sabit Gashi: Ministria e Ekonomisë ka përcaktuar orientimet e politikave të sektorit të energjisë në drejtim të dekarbonizimit gradual nëpërmjet këtyre politikave:

– Promovimin e investimeve në teknologji të prodhimit të energjisë elektrike nga Burimet e Ripertëritshme të Energjisë, me synimin që në 2031-tën, pjesëmarrja e tyre në prodhimin e përgjithshëm të energjisë elektrike të jetë 35% nga 5% sa është sot. Fokusi do të jetë në promovimin e teknologjisë së erës dhe diellit. Politikat mbështetëse do të jenë të orientuara kryesisht në investimet në sektorin privat përmes skemave të konkurrencës. Në këtë drejtim, përmes financimit të BE-së është lansuar një projekt studimi për identifikimin e hapësirave tokësore të përshtatshme dhe pa konteste të asnjë natyre, në të cilat mund të instalohen centralet e erës dhe diellit. Po ashtu, është në zhvillim e sipër dizajnimi i skemave të ankandeve përfshirë proceset dhe procedurat, kriteret etj., për projektet e BRE-ve (erë dhe diell- kapacitete të shkallës së madhe). Krahas kësaj, është duke u punuar në përgatitjen e një pilot-ankandi për zhvillimin e një projekti të një centrali elektrik nga energjia diellore. Rëndësi i është kushtuar edhe vetë-prodhimit të energjisë elektrike nga konsumatorët.

– Promovimin e uljes së kërkesës për energji në të gjithë sektorët (amvisëri, industri, shërbime, transport).

– Uljen e humbjeve teknike dhe komerciale deri në normat, të paktën e vendeve të rajonit deri në 2031-tën.

– Vendosjes së taksës së karbonit prej 2026-s e tutje, dhe fondin që përfitohet nga ajo taksë ta orientojë në përballimin e kostos së reformave energjetike drejt tranzicionit në njërën anë dhe investimeve në efiçiencën e energjisë e rehabilitimeve mjedisore të veprimtarive energjetike në anën tjetër.

– Rehabilitimin mjedisor të centraleve të thëngjillit që do të vazhdojnë të përdoren për mbulimin e energjisë bazë, veçanërisht deri në vitin 2031, kur pritet që në sistem të kemi energji të konsiderueshme nga BRE-të dhe kur sistemi elektro energjetik do të jetë shumë më fleksibil se sa është aktualisht dhe kur tregu rajonal do të ofrojë më tepër siguri në furnizimin me energji.

Buletini Ekonomik: Sipas analizave dhe përllogaritjeve të deritanishme, sa megavatorë energji elektrike të ripërtëritshme, po qe se shfrytëzohen të gjitha potencialet (turbinat e mundshme me erë, panelet solare dhe mini hidrocentralet ekzistuese), mund të kishte prodhuar Kosova?

Sabit Gashi: Me shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të vlerësuara nga një studim i financuar nga Banka Botërore në 2020, kemi këtë vlerësim:

– Potenciali total i shfrytëzueshëm i energjisë se erës është vlerësuar të jetë 1200 MW. Ky kapacitet me teknologjitë aktuale mund të prodhojë maksimalisht në vit 3363.84 GWh.

– Potenciali total i shfrytëzueshëm i energjisë së diellit është vlerësuar 3600 MW. Ky kapacitet me teknologjitë aktuale mund të prodhojë maksimalisht në vit: 4730.4 GWh.

Buletini Ekonomik: Në mungesë të theksueshme të ujërave në Kosovë, që për pasojë ka pamundësinë për të ngritur një hidrokapacitetet të efektshëm prodhues elektroenergjetik, sipas jush në cilat burime të energjisë së gjelbër duhet të orientohet Kosova? Ku ka më shumë potenciale, te energjia në bazë të erës, apo te ajo solare?

Sabit Gashi: I shpjegova me shifra më lartë, kapacitetet e vlerësuara totale të potencialit të shfrytëzueshëm të energjisë së erës dhe diellit sipas studimit të BB-së. Kosova duhet të orientohet kryesisht në energji diellore dhe energji të erës si dhe në integrimin efektiv në tregun rajonal të energjisë dhe këtë po e projekton ME-ja në politikat e saj deri në vitin 2031. Krahas kësaj, thëngjilli duhet të eksplorohet edhe në aspekte tjera të shfrytëzimit nëpërmjet teknologjive të thëngjillit të pastër. Draft Strategjia e energjisë i kushton rëndësi edhe inovacionit.

Buletini Ekonomik: Pse po vonohet Kosova kaq shumë në nisjen e ndonjë kapaciteti elektroenergjetik të energjisë së rinovueshme? Pas projektit të Shalës së Bajgorës, që u vlerësua dhe po dëshmohet goxha i suksesshëm, a po ngurron Kosova si tepër shumë për të nisur ndonjë projekt të ri të energjisë me erë, edhe pse tashmë janë të identifikuara edhe disa vende ku mund të instalohen impiante të numërta të energjisë në bazë të erës?

Sabit Gashi: Nuk mund të pajtohem me konstatimin e vonesës. Pse? Sepse Kosova qe vendimmarrja për përcaktimin e caqeve të BRE-ve, dhe ka arritur që të përmbushë caqet e përcaktuara për BRE prej 25% (ka arritur 24.6% më 2020). Jemi në një angazhim intensiv siç e ceka më sipër, të zhvillimit të politikave, skemave mbështetëse si dhe studimeve për të gjetur hapësirat tokësore të përshtatshme për t’iu mundësuar investitorëve zhvillimin e projekteve të mëdha në sektorin e energjisë së ripërtëritshme dhe kjo do të fillojë të japë rezultatet e para në vitin 2023 dhe do të intensifikohet më shumë në vitet pasuese.

Buletini Ekonomik: Kosova akoma nuk ka asnjë impiant serioz të prodhimit të energjisë solare, sado që ekspertë dhe njohës të zhvillimeve energjetike, nuk e shohin Kosovën pa potenciale dhe mundësi reale për të prodhuar energji me panele solare, ose nga dielli. Cilat nga këto kapacitete eventuale, turbinat me erë, apo ato solare, janë më të favorshme për sistemin elektroenergjitë të Kosovës?

Sabit Gashi: Bazuar në treguesit e realizimit të deritashëm të prodhimit nga centralet e erës dhe diellit, kemi këta tregues:

-Faktori i prodhimit të energjisë elektrike nga era është 32% (pra, nëse kemi të instaluar 100 MW atëherë 32% të të gjitha orëve vjetore, do të prodhoheshin me kapacitet të plotë).

-Ndërsa, faktori i prodhimit të energjisë elektrike nga dielli është 15% (pra, nëse kemi të instaluar 100MW central diellor, atëherë 15% të të gjithë orëve vjetore, do të prodhoheshin me kapacitet të plotë).

Më e përshtatshme për sistemin elektroenergjetik bazuar në strukturën e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë, është energjia elektrike e prodhuar nga era, për arsye se konsumi i energjisë elektrike në Kosovë sikurse në çdo vend të Ballkanit është në sezonin e dimrit atëherë kur konsumi është më i lartë. Bazuar në orientimet e Qeverisë për nxitjen e BRE-ve, synohet që deri në vtitin 2031 të ketë investime vjetore për prodhimin e energjisë elektrike nga BRE-të mesatarisht për 120-150 MW (centrale diellore dhe te erës). Kjo do të fillojë të realizohet që nga 2023 e tutje sa po të aprovohet Ligji për BRE-të dhe ndërtohen skemat mbështetëse të ankandeve që pritet të miratohen në fund të 2022-s.

Nëpërmjet platformës WBIF planifikohet të investohet në një central solar në KEK, me një kapacitet 100 MW. Me mbështetjen financiare të Qeverisë gjermane, të kombinuar grant dhe kredi, do të investohet në një akumulues të energjisë së ngrohjes në kuadër të sistemit të ngrohjes qëndrore të TERMOKOS-it me kapacitet rreth 70 MW energji termike. Ky impiant do të ndikojë në rritjen e fleksibilitetit edhe të sistemit elektro-energjetik duke ndihmuar më tej integrimin e BRE-ve në sistem.

Buletini Ekonomik: Kosova nuk ka ujë të mjaftueshëm për ndonjë hidrocentral, por kohëve të fundit është folur dhe po flitet, ç’është e vërteta’ me zë të ulët, për nevojën dhe rëndësinë e ndërtimit të një hidrocentrali kosovar në një nga lumenjtë e Shqipërisë, ose të një hidrocentrali në bashkëpunim me Shqipërinë të kapacitetit rreth 300 megavatë. Ju çka mendoni rreth kësaj ideje?

Sabit Gashi: Kjo ide është e shkëlqyeshme. Vullneti i fuqishëm i dyanshëm, është përcaktues i suksesit. Bashkimi Evropian i sheh shumë të dobishme investimet e përbashkëta. Në Strategjinë e energjisë që është në fazën finale të përgatitjes së draftit të parë, integrimi në tregun rajonal të energjisë zë vend me rëndësi dhe në këtë drejtim janë bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të themelimit të bursës së përbashkët Kosovë-Shqipëri (ALPEX), që pritet të fillojë operimin më 2023.

Buletini Ekonomik: Në fund, sipas normave dhe kritereve ndërkombëtare tashmë të miratuara, deri më 2050 do të lejohet të përdoret thëngjilli si resurs energjetik. Ky afat, nuk është i largët. Si do të arrijë Kosova t’i përmbushë nevojat e konsumit vetanak pa thëngjillin e “dënuar” deri në këtë vit, pa kapacitete as për së afërmi të mjaftueshme të energjisë së rinovueshmë dhe pa alernativa të tjera të prodhimit të rrymës elektrike?

Sabit Gashi: Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar për dekarbonizim deri në 2050-n, vizioni për këtë tranzicion do të përçohet edhe përmes Strategjisë së energjisë 2022 – 2031, e cila e hapë rrugën për dekarbonizim deri më 2050. Deri në vitin 2050, gjithë potenciali i identifikuar (sipas studimit të sipërcekur të financuar nga BB) për shfrytëzimin e energjisë diellore dhe të erës, është e besueshme që do të vihet në operim. Kjo do të shoqërohet me investime në akumulues të energjisë si dhe në digjitalizimin e plotë të sistemeve të transmetimit dhe distribucionit të energjisë elektrike. Krahas kësaj, investimet në fushën e efikasitetit të energjisë do të kenë ndikim në uljen e kërkesës për energji dhe rritjen e sigurisë së energjisë duke ndikuar në uljen e CO2. Me mbështetjen e MCC-së,  sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të pajiset me një bateri të madhe akumuluese me kapacitet deri ne 150 MW, që pritet të instalohet brenda periudhës 5 vjeçare, duke i paraprirë kështu edhe projekteve tjera të ngjashme sipas nevojës për rritjen e fleksibilitetit të sistemit dhe rritjen e sigurisë së furnizimit me energji. Integrimi efikas në tregun rajonal të energjisë do të jetë në fokus të vazhdueshëm përgjatë rrugës së dekarbonizimit të sektorit të energjisë. Kosova siç e ceka, do t’i përcjellë zhvillimet e teknologjive dhe inovacionet për sa i përket përdorimit të thëngjillit si teknologji e pastër. 

Burimi i informacionit: Buletini Ekonomik

No comments:

Post a Comment