Popullsia e rajonit të Ballkanit Perëndimor e ndër to edhe Kosova është e ekspozuar ndaj përqendrimit të lartë të ndotjes së ajrit krahasuar me vendet tjera në Evropë. Vlerësohet se këto përqendrime janë deri në pesë herë më të lartë se nivelet e udhëzuesve kombëtarë dhe të BE-së. Energjia, industria, transporti, bujqësia, mbeturinat dhe konsumi i lëndëve djegëse të ngurta së bashku me kushtet e pafavorshme meteorologjike për shpërndarjen e ndotësve të emetuar në ajrin e mjedisit, veçanti gjatë stinëve vjeshtë-dimë, dhe krijimet e shpeshta të smogut në ketë periudhë, janë identifikuar si faktorët kryesorë të ndotjes së ajrit në mjedisin e Kosovës. Më pak se 23% e popullsisë së Kosovës e perceptojnë cilësinë e ajrit të mjedisit si të dobët dhe kjo është shumë më e lartë në mesin e popullatës së aglomeracionit të Prishtinës, veçanërisht Obiliqit, për shkak të afërsisë me termocentralet dhe jetës urbane.
Ndotja e ajrit është një ndër faktorët kryesore për shfaqjen e sëmundjeve respiratorë, vdekjeve të parakohshme, humbje vite të jetës etj. Ekspozimi afatshkurtër dhe afatgjatë ndaj ajrit të ndotur mund të çojë në reduktimin e funksionit të mushkërive, të infeksionet e organeve të frymëmarrjes dhe astma te rënduar, kancer etj. Ekspozimi i nënave ndaj ndotjes së ajrit shoqërohet me ndikime negative ne fertilitet, shtatzëni, si dhe në të porsalindurit dhe fëmijët. Gjithashtu, ka prova të reja se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit është i lidhur edhe me Diabetin e ri të tip II tek të rriturit si dhe mund të jetë e lidhur me obezitetin, inflamacionin sistemik, sëmundjen e Alzheimerin etj.
Efektet e ndotjes së ajrit në shëndet nuk varen vetëm nga ekspozimi por edhe mbi ndjeshmërinë e njerëzve.
Ndjeshmëria ndaj ndikimeve të ndotjes së ajrit mund të rritet si rezultat i moshës, gjendjeve para ekzistuese shëndetësore, sjelljet në të ushqyerit, aktivitetit fizik, konsumit të duhanit etj. Në sferën e përgjithshëm një numër i madh provash tregojnë se njerëzit më një mirëqenie të ulët socio-ekonomike, prijnë të jetojnë në mjedise me cilësi të kualitetit jo të mirë të ajrit.
Dëshmitë e reja sugjerojnë se rritja e ekspozimit afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit (veçanërisht PM2.5) rrit rrezikun e komplikimeve të rënda të COVID-19 për shkak të ndikimit të tij në sëmundjet e frymëmarrjes dhe ato kardiovaskulare.
Ndotësit më të dëmshëm për shëndetin të lidhur ngushtë me vdekshmërinë e parakohshme të tepërt janë grimcat e imëta PM2.5 që depërtojnë thellë në mushkëri, hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe arrijnë deri tek organet, duke shkaktuar dëme sistematike të indeve dhe qelizave. Studimet klinike dhe eksperimentale sugjerojnë që grimcat e imëta të ajrit rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare duke nxitur arteriosklerozë, duke rritur stresin oksidativ, duke rritur rezistencën ndaj insulinës, duke promovuar mosfunksionimin endotelial dhe duke rritur prirjen për koagulim.
Sipas raportit të publikuar në vitin 2021 nga MFK/MCC me titull “Ndotja e ajrit dhe ndikimi në shëndet në Kosovë”, është vlerësuar se ndaj ekspozimeve aktuale (krahasuar me vlerën kufitare prej 2.4 μg/m3) dhe më pas, vlerësimin e ekspozimit të vlerës kufitare sipas OBSH-së për përqendrimin e PM2.5 (10 μg/m3), rezultatet tregojnë se 1150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet e vdekjeve natyrore.
Numri i vlerësuar i vdekjeve të atribueshme që mund të shmangen (çdo vit), nëse arrihen vlerat kufitare të OBSH-së është 758, që paraqet 7.97% të vdekshmërisë totale (natyrore) në grup moshën 30 vjeç e lart.
Mesatarisht 80 raste të vdekjeve i llogaritur si normë për 100 000 banorë në rrezik, i atribuohen shkakut të tejkalimit të vlerës kufitare të këtij ndotësi. Rezultatet tregojnë se 758 vdekje të parakohshme çdo vit që janë shkaktuar nga ekspozimi afatgjatë ndaj PM2.5, mund të shmangen nëse arrihen vlerat kufitare sipas standardeve të OBSH-së.
Sipas Agjencisë Evropiane për Mjedisit shkalla e vdekjeve të parakohshme që i atribuohen ndotjes së ajrit (PM2.5) ishin më të lartat në vitin 2018 në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke arritur deri në 120-180 vdekje për 100 000 banorë në: Bullgari, Hungari, Poloni, Rumani dhe Kroaci. Numri i vdekjeve ishte më i ulët në vendet Nordike, me shkallë rreth gjashtë herë më të ulët, 20-30 vdekje për 100 000 banorë
Ndikimi në shëndet dhe barra e sëmundjeve për shkak të ndotjes së ajrit në Kosovë së bashku me kostot e lidhura ekonomike janë domethënëse për ekonominë e vendit dhe janë të lidhura drejtpërdrejt me djegien e qymyrit dhe emetimet nga transporti. Sipas Bankës Botërore, kostoja e vlerësuar ekonomike e lidhur me vdekshmërinë nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit në Kosovë është prej 160 - 310 milion dollarë amerikanë, ekuivalent me 2.5% -4.7% të bruto produktit vendor (BPV) në vitin 2016. Kostot ekonomike të lidhura me dëmin shëndetësor janë mesatarisht 240 milionë dollarë amerikanë, ekuivalent me 3.6% të BPV-së në vitin 2016.
Burimi i informacionit: Raporti vjetor per gjendjen e ajrit ne Kosove 2021 (www.ammk-rks.net)
No comments:
Post a Comment