Monday, August 16, 2021

Publikohet raporti për hidrocentralet, evidentohen shkelje!

Ndërtimi i hidrocentraleve në Kosovë është përcjellë me shkelje dhe tejkalime të shumta ligjore, si dhe dëmtime të rrjedhës së lumenjve, e shpeshherë objektet e hidrocentraleve janë ndërtuar në prona publike. Këto janë disa nga gjetjet e një raporti të hartuar nga një grup punues i formuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Grupi punues për “Shqyrtimin e procedurave administrative të zbatuara për hidrocentrale dhe ndikimin e tyre ne mjedis”, ka finalizuar punën e tij dhe ka prezantuar të gjeturat kryesore përmes një raporti. Ky grup punues ishte themeluar me vendim nga ministri i MMPHI, Liburn Aliu me qëllim të shqyrtimit të ligjshmërisë si dhe aspekteve procedurale dhe administrative të lejimit të këtyre HC-eve. Në kuadër të grupit ishin përfshirë ekspert nga MMPHI dhe agjencitë vartëse të saj.

Disa nga gjetjet kryesore të raportit janë këto: 

a) Përkundër faktit që me ligj është rregulluar që për shfrytëzimin e ujit për qëllime afariste duhet të sigurohet koncesioni, Ministria (MMPH) si autoritet përgjegjës për dhënien e të drejtës ujore nuk e ka zbatuar dhënien e koncesionit por, dhënien e të drejtës ujore e ka bërë me leje ujore, që paraqet shkelje të Ligjit për Ujërat e Kosovës. Dallimi bazë ndërmjet lejes ujore dhe koncesionit qëndron në faktin se koncesioni jepet përmes një procesi konkurrues ndërkaq leja ujore jo.

b) Jo vetëm që nuk është zbatuar procedura e koncesionit e përcaktuar me ligj, por lëshimi i lejeve ujore për shfrytëzim të ujit për HC-e është bërë në kundërshtim me aktin nënligjor për leje ujore sa i përket dokumentacionit që duhet t`i bashkëngjitet aplikacionit si dhe përmbajtjes së lejes ujore.

c) Lëshimi i lejeve ujore për HC-e është bërë pa u mbështetur në një shqyrtim të detajuar dhe profesional dhe nuk është bazuar në dokumente planifikuese. Për pasojë, janë dhënë leje ujore dhe janë ndërtuar hidrocentrale edhe në zonat ku kanë qenë të planifikuara projekte kapitale hidroteknike duke rrezikuar kështu realizimin e këtyre objekteve me rëndësi strategjike për Kosovën (si në rastin e hidrosistemit Lepenci).

d) Në mungesë të një udhëzuesi për mënyrën e hartimit dhe shqyrtimit të vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM), që në bazë të ligjit do të duhej ta nxirrte Ministria, procesi i shqyrtimit të raportit të VNM-së dhe lëshimit të pëlqimit mjedisor nuk ka pasur një ecuri të përcaktuar saktë dhe një standard të duhur. Raportet e VNM-së janë përgjithësisht të nivelit të dobët. Aspektet më të rëndësishme për florën dhe faunën akuatike siç janë prurja e pranueshme ekologjike, regjimi i aluvioneve dhe shtigjet e peshqve, trajtohen vetëm sipërfaqësisht.

e) Për të tria HC-et e kaskadës së Deçanit, lejet ndërtimore dhe certifikatat e përdorimit janë lëshuar nga Ministria, edhe pse të gjitha këto HC-e janë të kapacitetit nën 10 MW, dhe rrjedhimisht lëshimi i lejes ndërtimore me ligj është kompetencë e komunës. Kjo është realizuar duke i bashkuar dy HC-et (“Deçani” dhe “Belaja”) me një leje ndërtimore meqenëse kështu të bashkuara i kanë mbi 10 MË, dhe HC “Lumbardhi” me digën e cila nuk është ndërtuar fare.

f) Praktikisht të gjitha HC-et janë ndërtuar në afërsi të drejtpërdrejt të lumenjve (ujërrjedhave) nga të cilat gjenerojnë energjinë, duke qenë kjo në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Ujërat e Kosovës me të cilin ndalohet ndërtimi në distancë më të vogël se 30 metra prej vijave të plotave (vija e ujërave maksimale 100 vjeçare).

Per shume shkarkoni Raportin e plotë

No comments:

Post a Comment