Nga: PROF. DR. ROMEO HANXHARI
Në mitologjinë e Greqisë së Lashtë, Danaidet ishin 50 motra. Gra ekstremisht të bukura. Të bukura njësoj si Shqipëria jonë… Por ato ishin pa fat …Këtu nuk po e vazhdoj më analogjinë me Shqipërinë… Bëjeni ju vetë. Danaidet nga vetëbesimi i tepruar bënë një krim të shëmtuar. …Njësoj, fjala vjen, siç bëmë ne me pyjet tona apo me ujërat tona, apo me tokën tonë, apo me bregdetin tonë. Prandaj, Zeusi i dënoi ato: i detyroi të ngarkonin ujë për të mbushur një but, një enë të madhe. Sapo ta mbushnin atë, dënimi do të quhej i kryer. Veçse Zeusi ishte i ashpër. Danaidet nuk u çliruan kurrë nga dënimi. Sepse buti që u ishte caktuar të mbushnin ishte i çarë e i shpartalluar plot vrima. Danaidet hidhnin ujë, por buti kurrë nuk u mbush, deri sa ato vdiqën…
Prej atëherë, për këdo që bën punë kot dhe çon mallin dëm pa mend në kokë e pa laps në dorë, njerëzit krijuan shprehjen “po mbush butin e Danaideve”. Në qytetërimin e sotëm, buti i Denaideve është simboli i një lloji ekonomie të vjetruar tashmë. Kjo lloj ekonomie konsumon shumë lëndë të parë për të prodhuar pak, konsumon shumë energji për të prodhuar pak dhe krijon shumë mbetje për të prodhuar vetëm fare pak. Shkurt, kjo është një ekonomi aspak e zgjuar. Është, pra, ekonomia e shpuar si buti i Denaideve që nuk mbushet kurrë… Kjo është pak a shumë ekonomia që kemi që prej Revolucionit Industrial, pra, që prej 250 vjetësh: shumë lëndë e parë, shumë energji, shumë mbetje, pak fitim, kosto e madhe sociale dhe mjedisore, shumë probleme. E pra, ky është tashmë një luks, të cilin njerëzimi nuk ia lejon dot më vetes. Dhe që prandaj ai ka vendosur ta ndryshojë urgjentisht dhe rrënjësisht.
Kur ka vendosur ta ndryshojë? Që në 2012, në Konferencën e Rio de Janieros, por realisht ka filluar të veprojë këto pak vitet e fundit. Veçanërisht me programin e qeverisë së re të Europës, pra, me programin ambicioz “Green Deal – Marrëveshja e Gjelbër” të Komisionit të ri Europian në 2020.
Si do ta ndryshojë njerëzimi këtë ekonomi? Njësoj siç do të duhej të vepronin Danaidet: duke ia mbyllur çarjet butit, me qëllim që puna e tyre për ta mbushur atë të kishte rezultat …Ashtu edhe ekonomisë së vjetër njerëzimi ka vendosur t’ia mbyllë vrimat që e bëjnë të ngjajë me butin e Denaideve. Ekonomia duhet të konsumojë më pak lëndë të para, dhe mundësisht t’i përdorë ato dhe pastaj mbetjet e tyre t’i kalojë nga një industri te tjetra. Ekonomia duhet të konsumojë më pak energji dhe natyrisht të krijojë sa më pak mbetje në fund të procesit.
Këto janë parimet e këtij lloji tëri të ekonomisë, të ekonomisë së gjelbër. Ekonomia e gjelbër nuk është luks. Është para, është fitim. Ja, p.sh., ekonomia e gjelbër na zbulon se Shqipëria ka nja 800MW kapacitet energjie të fshehura, të cilat i hedh në ajër kot, i çon dëm, njësoj si ujin në butin e Danaideve. Nga vijnë këto 800MW? Nuk vijnë nga Skavica. Nuk vijnë as nga Fierza. Ato, madje, janë sa Fierza dhe Skavica të marra së bashku, veçse janë të shpërndara në gjithë territorin e Shqipërisë. Fiks afërsisht 800MW është sasia e energjisë që ne shqiptarët konsumojmë për shkak se i kemi edhe banesat si buti i Danaideve: banesave tona ne “u hedhim” energji për t’i ngrohur e ato nuk ngrohen, e u hedhim energji për t’i ftohur e ato as nuk ftohen. Vetëm nga një program termoizolimi, ne do të fitonim 2 Skavica bashkë, pra, mbi 800MW energji. Skavica kushton 1 miliard dollarë apo gjysmë miliardi dollarë? Aq do të kushtonte edhe programi i termoizolimit të ndërtesave. Veçse ndërtesat e termoizoluara do të përmirësonin rrënjësisht cilësinë e jetesës e do të ulnin sëmundshmërinë nga të ftohtët etj. Kjo nuk do të thotë që mos të ndërtohet Skavica. Përkundrazi, të ndërtohet që ç’ke me të, për më tepër që ky investim forcon partneritetin me aleatët dhe miqtë tanë strategjikë. Por, ama, Skavica majë malit, të mos na bëjë të humbim nga sytë këto “Skavicat” te dera e shtëpisë… Të ndërtosh një Skavicë është t’i biesh punës shkurt dhe të garantosh fitim në pak duar, ndërsa të ndërtosh këto “Skavicat” e vogla, është t’i biesh gjatë, por, ama të shkosh në rezultat të përjetshëm dhe në përfitim kapilar për gjithë popullatën.
Ja pra. Vetëm me termoizolim do të kursenim energji aq sa mund të prodhohej nga një hidrocentral prej 800MW. Kjo do të thotë se rreth 35% të energjisë që prodhojmë në Shqipëri, ne e hedhim aktualisht poshtë, e çojmë dëm. Çojmë dëm gjithë këtë energji, ndërkohë që kërkojmë të harxhojmë para për të ndërtuar Skavicën mbi Drin, Kalivaçin e Poçemin mbi Vjosë dhe dhjetëra hidrocentrale të vogla që po thajnë çdo burim anekënd këtij vendi. Kjo është, pra, “ekonomia e gjelbër”: të tregohesh i mençur dhe të mbyllësh hapësirat prej nga ku të ikën puna dhe malli dëm. Nëse do investonim po aq para sa Skavica në termoizolim, do të rrisnim maksimalisht eficencën e energjisë, që është një nga shtyllat e ekonomisë së gjelbër. Nuk do të kishim nevojë ndoshta as të përmbytnim tokë buke për liqenin e Poçemit e të Skavicës. Eficienca e energjisë mund ta bëjë Shqipërinë, pra, superfuqi në energji. Sepse “mënyra më e mirë dhe më e pastër e prodhimit të energjisë, është kursimi i saj”
Tani imagjinoni ç’ndodh kur eficenca e energjisë bashkohet edhe me bujqësinë. Bujqësia në Shqipëri është një nga fushat me më shumë mundësi dhe potencial për ekonominë e gjelbër. Edhe në SHBA, studimet e fundit dëshmojnë se për fermat e vogla e të mesme, siç janë këto tonat, eficenca e energjisë mund të jetë një nga 4 burimet më të rëndësishme të kursimit dhe të fitimit. P.sh. në Shqipëri, termoizolimi i gjithë ndërtesave të vogla të një ferme do të kishte një kosto vetëm prej 2.200 lekë për metër/ katror mur, ndërsa ky investim do të mund të rikthehej brenda 5 7 vjetëve, dhe më tej vetëm do të sillte fitim nëpërmjet kursimit.
Ndërkohë që cilësia e të jetuarit në ato banesa do të përmirësohej 100%, dhe sëmundshmëria (ftohje, influence, etj.) për banorët e fermës do të ulej me 80%, çka do të thotë se indirekt do të rritej efektshmëria e fuqisë punëtore në punët e fermës.
Bujqësia dhe fermat bujqësore në Shqipëri kanë mbi 20 vjet që kanë filluar të përdorin energjinë diellore për ngrohjen e ujit të banesave dhe fermës në përgjithësi. Por të tilla janë ende shumë pak. Mbi 70% të nevojës për ujë të ngrohtë në Shqipëri ne e plotësojmë me bojlera elektrikë, pra, që konsumojnë energji elektrike. Ndërkohë, Shqipëria ka një potencial prej 300 ditë me diell në 356 ditë të vitit. Kjo do të mjaftonte disa herë për të plotësuar nevojat me ujë të ngrohtë të konsumatorit familjar apo biznes. Imagjinoni! Në nivel vendi, kjo mund të shpëtonte të paktën edhe rreth 200 MW të tjera kapacitet energjie të instaluar, pra, afërsisht sa një gjysmë Skavice tjetër e re.
Pra, kapaciteti i termoizolimit dhe i përdorimit të energjisë diellore, kudo, por veçanërisht në zonat rurale dhe në fermat bujqësore, është shumë i madh. Janë gati 3 Skavica, të cilat mund të “ndërtohen” në bashkëpunim me fermerët dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë. Duhen dy programe në nivel kombëtar. Vetëm me këto dy programe kombëtare ne do të krijonim në Shqipëri një sektor të tërë të “ekonomisë së gjelbër” të përbërë nga sipërmarrje të gjelbra të shpërndara nëpër territor, të cilat krijojnë mijëra vende pune të reja me statusin “vende pune të gjelbra”. Ky lloj punësimi mbështetet edhe financiarisht nga BE dhe nga OKB. Përfitimi i këtyre dy programeve është i madh, sepse fitojnë të gjithë: fitojnë fermerët, krijohen vende të reja pune të gjelbra, gjenerohet GDP, çlirohet kapacitet prodhues i energjisë për vendin, përfiton mjedisi, përfiton Shqipëria. Për Shqipërinë kjo madje vjen edhe si pjesë e “tranzicionit të gjelbër”, si një nga objektivat e promovuar nga Procesi i Berlinit dhe pjesë eksplicite e paketës 30 miliardë euroshe që u promovua nga Komisioneri Varhelei në Samitin e 10 qershorit midis vendeve të rajonit në Tiranë.
Ajo që duhet më së pari është një plan kombëtar ndërgjegjësimi me qëllimin që të kuptojnë dhe të binden të gjithë se këto ndërhyrje nuk janë thjesht mjedisore, por janë ekonomike. Me këto ndërhyrje bashkohet ekonomia me dimensionin e gjelbër, duke krijuar ekonomi të gjelbër në gjithë zonat rurale dhe në bujqësi, por jo vetëm. Ministria e Punës dhe ajo e Ekonomisë duhet të guxojnë. Potencialet janë të mëdha, dhe probabiliteti për sukses është 100%. …Ka ardhur momenti që Danaidet edhe në Shqipëri më në fund të amnistohen. Buti ynë nuk mund të mbetet përjetë i shpuar…
No comments:
Post a Comment