Instituti për Politika Sociale “Musine
Kokalari” ka prezentuar në konferencë për media raportin “Hidrocentralet e
Profitit të Privatit në dëm të Mjedisit Publik”. Ky raport është publikuar në
kuadër të projektit “Ndikimi Social i Hidrocentraleve në Shoqerine tonë”,
si pjesë e Human Rightivism, mbështetur nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF
dhe financuar nga Agjencioni Suedez për Bashkëpunim në Zhvillim Ndërkombëtar –
SIDA. Koordinatori i Projektit, Dardan Bujupi, njoftoi se studimi është
fokusuar në Grykën e Deçanit me katër hidrocentralet dhe hidrocentralin e
Radavcit si pikë krahasimore. Ai paraqiti të gjeturat e hulumtumit, si shkeljen
e të drejtave politike, apo vendimmarrjen dhe të drejtën për të qenë të
informuar, respektivisht mungesën e diskutimit transparent publik. Hulumtimi tregon se nga mjedisi si e mirë
publike kemi kaluar në mjedis si mjet të ekonomisë së ofertës, ku ka dallim të
dukshëm ndërmjet periudhës së parafizibilitetit dhe atë pas ndërtimit; në anën
e investimeve nga ana e kompanisë ‘Kelkos Energy’, ashtu edhe në atë të fuqisë
instaluese e potencialit hidrik.
Bujupi shpërfaqi dallimet në investime mes projektimeve dhe realizimeve të vetë kompanisë Kelkos, ku dallimi kap shumën prej 14,242,577 euro, përkatësisht 26% të vlerës së gjithmbarshme të investimeve të projektuara.
Koncesioni jotransparent në dëm të mjedisit, shkelja e e Ligjit për Ujërat dhe shfrytëzimi i tërë kapacitetit ujor, shkatërrimi i vegjetacionit e habitatit natyror dhe dëmtimi i potencialit turistik dhe bujqësor, mbeten çështje tjera tejet problematike.
Për fund, Belgzim Kamberi, drejtor i Bordit i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, paraqiti 8 rekomandimet, si rezultat i hulumtimit:
- Të specifikohen në menyrë më rigoroze detajet e mbajtjes së debatit publik
- Liçenca për ndërtimin e hidrocentraleve të jepet përmes procedurës së dhënies me koncesion me disa ofertues, e jo përmes lejes ujore e cila i jepet një kompanie të vetme.
- Leja nga ZRRE të jetë në përputhje me parimin bazë të ndërtimit të hidrocentraleve e që është ruajtja e minimumit ekologjik dhe të potencialit real hidrik të lumit (të parapara edhe në studimin e parafizibiletit), si dhe duke pasur parasysh prurjen e ujit e cila mund të përdoret për energji, pa e kompromituar rrjedhën e lumit, peisazhin, prurjen dhe habitatin e gjallesave në lum.
- Premtimet e investitorëve të përfshihen në kontratë, bashkë me nje klauzolë e cila parasheh mundësinë për shkëputjen e kontratës në rast të dështimit të mbajtjes së zotimeve nga ana e investitorëve.
- Të definohet më qartë minimumi ekologjik nëpërmjet një formule të krijuar nga ekspertë të fushës.
- Të bëhet vëzhgimi i vazhdueshëm i punës së hidrocentraleve nga ana e inspektoriatit përgjegjës
- Të vendoset një standard për materialet të cilat përdoren për ndërtimin e hidrove, në mënyrë që ato ndërtime të jenë në harmoni me ambientin.
- Në kuadër të studimit të parafizibiletit të bëhet edhe një studim mbi ndikimin social në komunitet të ndërtimit të hidrocentraleve.
No comments:
Post a Comment