Saturday, July 17, 2021

A ka arritur ngrohja globale në pikën kritike?

Duke paraqitur zbulimet e para të misionit më të madh në botë nëpër Polin Verior, në kuadër të një ekspedite që përfshiu 300 shkencëtarë nga 20 shtete të botës, shkencëtari Markus Rex ka thënë për Al-Jazeeran se studiuesit kanë zbuluar që akulli në Arktik po shkrihet shumë më shpejt sesa që është pretenduar më herët. Ngrohja globale veçse e ka arritur në pikën pa kthim, ka paralajmëruar të mërkurën një shkencëtar që ka qenë në krye të ekspeditës më të madhe globale në Arktik. Duke paraqitur zbulimet e para të misionit më të madh në botë nëpër Polin Verior, në kuadër të një ekspedite që përfshiu 300 shkencëtarë nga 20 shtete të botës, shkencëtari Markus Rex ka thënë për Al-Jazeeran se studiuesit kanë zbuluar që akulli në Arktik po shkrihet shumë më shpejt sesa që është pretenduar më herët.


“Zhdukja e akullit të verës në det në Arktik është një prej bombave në këtë fushë të minuar, një nga pikat e kthesës që e kemi bërë, kur e kemi shtyrë trajtimin e ngrohjes globale”, ka thënë ai gjatë prezantimit në kryeqytetin gjerman, Berlin. “Dhe dikush mund të pyesë nëse tashmë kemi shkelur në këtë minë dhe ka nisur eksplodimi”, ka shtuar ai, ndërkaq ka raportuar Al-Jazeera.

Ekspedita që ka kushtuar 165 milionë dollarë është rikthyer në Gjermani në tetor, pas 389 ditësh udhëtim nëpër Arktik, duke sjellë prova të tmerrshme që tregojnë se Oqeani Atlantik po shuhet.

Ata për më tepër kanë paralajmëruar se këto zona gjatë stinëve të verës brenda pak dekadave do të ngelen pa akull. Grupi ka sjellë, gjithashtu, 150 terabajt të dhëna dhe më shumë se 100 mostra akulli.
Të dhënat e mbledhura gjatë ekspeditës përfshinin analiza të atmosferës, oqeanit, akullit të detit dhe ekosistemeve.

Rex ka theksuar se shkencëtarët kanë zbuluar që akulli në Oqeanin Arktik është tërhequr “më shpejt në pranverën e 2020-s sesa qysh prej kur kanë nisur regjistrimet” dhe se “përhapja e akullit të detit në verë ishte vetëm gjysma e normales”.

“Akulli kishte vetëm gjysmën e trashësisë normale dhe temperaturat ishin 10 gradë më të larta sesa gjatë ekspeditës ‘Fram’ që ishte bërë nga eksploruesit dhe shkencëtarët, Fridtjof Nansen dhe Hjalmar Johansen, në vitet ’80”, ka raportuar Al-Jazeera.
Për shkak të sipërfaqes më të vogël të akullit të detit, oqeani ka mundur të absorbojë më shumë nxehtësi gjatë verës, në atë që do të thotë se formimi i shtresave të akullit gjatë vjeshtës ishte më i ngadalshëm sesa zakonisht.

“Vetëm analizat gjatë viteve të ardhshme do të na mundësojnë që të vendosim nëse mund ta shpëtojmë akullin e detit në Arktik nëpërmjet mbrojtjes së fuqishme të klimës apo nëse tashmë e kemi kaluar këtë pikë të rëndësishme kthese në sistemin klimatik”, ka shtuar Rex, duke kërkuar veprime të menjëhershme për ta ndaluar ngrohjen globale.

Shkencëtarja Stefanie Arndt e ka quajtur “të dhembshme” të mësuarit se “mund të jemi brezi i fundit që mund ta shijojë një Arktik që ka ende shtresë të akullit gjatë verës”. “Kjo shtresë akulli është duke u tkurrur gradualisht dhe është një hapësirë e rëndësishme jetese për arinjtë polarë”, ka thënë Arndt, duke përmendur studimet e fokave dhe kafshëve të tjera që jetojnë në habitatin polar.

Për ta bërë këtë studim janë vendosur katër rrjete vëzhgimi në akullin e detit me një rreze deri 40 kilometra rreth anijes Polarstern. Në mesin e të dhënave të mbledhura janë mostrat e ujit nga pjesa e poshtme e akullit, për ta studiuar planktonin dhe bakteret dhe për ta kuptuar më mirë se si funksionon ekosistemi ujor nën kushte të jashtëzakonshme. Më shumë se 100 parametra janë matur pothuajse vazhdimisht gjatë vitit. Numri i madh i informatave do t’i ndihmojë zhvillimit të modeleve për të parashikuar se si do të duken valët e të nxehtit, shirat e rrëmbyeshëm dhe stuhitë brenda 20, 50 apo 100 vjetësh.

No comments:

Post a Comment