Thursday, October 1, 2020

“Ora e Klimës” ka filluar të numëroj ditët drejt fundit të botës

Sikur pandemia e Covid-19 të mos mjaftonte për të krijuar ankth te njujorkezët, një instalim i ri i përkohshëm në një ndërtesë të famshme të Manhatanit i kujton botës se një krizë tjetër masive po na godet. “Toka ka një afat”, ekrani LED pulson çdo minutë. Që nga data 28 shtator, ky afat është rreth 7 vjet dhe 94 ditë.  Ora ikonike dixhitale Metronome e shtrirë nëpër një ndërtesë përballë Union Square fundjavën e kaluar u shndërrua në një “Orë Klimatike” që transmeton kohën e mbetur për të shmangur një katastrofë klimatike. 


“Ora e klimës” numëron vitet, ditët, orët, minutat dhe sekondat e mbetura për të frenuar emetimet e gazeve serë. Kufizimi i ngrohjes globale në 1.5°C është thelbësor, thonë shkencëtarët dhe mund të arrihet duke shmangur rritjen e paqëndrueshme të niveleve të detit, përmbytjet, humbjen e shkëmbinjve nënujorë koralorë, zjarret dhe katastrofat e tjera. 

Afati është bazuar në të dhënat e Institutit të Kërkimeve Mercator për Global Commons dhe Ndryshimet Klimatike (MCC), krijuesi i “Orës së Karbonit”.  Pavarësisht mesazhit urgjent, krijuesit e orës thonë se trajektorja aktuale e planetit nuk është e pandalshme. Ora tregon dy numra. Numri i kuq është afati i fundit për të ndërmarrë veprime vendimtare për të mbajtur ngrohjen nën pragun e 1.5°C. Numri i dytë, në ngjyrë të gjelbër, ndjek përqindjen në rritje të energjisë në botë që aktualisht furnizohet nga burimet e rinovueshme. Qëllimi është që kjo përqindje të rritet në 100% para se ora e numërimit të arrijë në zero.

No comments:

Post a Comment