Procesi i integrimit evropian përmbledh në vete pothuajse të gjitha aspektet e veprimtarisë së një shteti që nga reformat politike, ligjore, ekonomike, industriale, e deri tek plotësimi i standardeve dhe normave shumë specifike në të gjithë sektorët zhvillimorë dhe shoqëror. Titullin e këtij shkrimi, e nxora nga një fjali e të një moshuari, që më rastisi ta dëgjojë teksa komentonte zhvillimet e fundit në përmbushjen e obligimeve në procesin e integrimeve evropiane.
Nuk dua të mohojë tërë progresin dhe të arriturat e deritanishme që janë bërë në procesin e integrimeve evropiane, por angazhimi, qasja dhe seriozitetit me të cilin i jemi rrekur këtij procesi lë shumë për të dëshiruar.
Përkundër faktit se çështja e integrimeve
evropiane kërkon hartimin e ligjeve dhe transpozimin e tyre me direktivat e
Bashkimit Evropian, kontrollin e integruar të kufijve, fqinjësinë e mirë,
luftën kundër korrupsionit, procesin e riatdhesimit etj, nuk duhet që vëmendja
e institucioneve tona të përqendrohet vetëm në këto fusha.
Shumica e këtyre
sfidave janë të karakterit teknikë, që me një përkushtim dhe me
investime mundë të përmbushen.
Nuk duhet harruar fakti se çështjet shumë të
rëndësishme në procesin e integrimeve janë plotësimi i standardeve evropiane në
të gjithë sektorët. Përmbushja e tyre do të na bënte të jemi qytetarë të
barabartë dhe konkurrentë me të gjithë qytetarët të tjerë të Evropës, kurse
shtetin e Kosovës do ta bënte vend të denjë dhe atraktiv për jetë.
Të rikujtojmë se procesi i integrimit evropian përmbledh në vete pothuajse të gjitha aspektet e veprimtarisë së një shteti që nga reformat politike, ligjore, ekonomike, industriale, (në disa raste edhe sociale e kulturore), e deri tek plotësimi i standardeve dhe normave shumë specifike në të gjithë sektorët zhvillimorë dhe shoqëror.
“Gropat” në rrugën drejt Evropës, të cilave i
referohej mixhoku nuk janë thjeshtë gropa që mundë të rrafshohen duke u mbuluar
me asfalt apo beton, nuk janë gropa që mundë të mbulohen me rërë që nxirret pamëshirshëm nga lumenjtë
tonë e as me zhavorr që gërryhet nga kodrat tona. Ato janë “humnera”, “hendeqe”
e “boshllëqe” në të gjitha sferat e jetës që
shteti ynë duhet ti mbulojë me djersë, me punë, me veprime konkrete e me
shembuj të mirë të zbatimit të ligjit.
Në pamundësi që
të ofrojë shembuj konkret për të gjitha standardet dhe normat evropiane që
kërkohen në sektorë të ndryshëm do të mundohem të prezantojë këtu disa
standarde për sektorin e mjedisit, pasi që në këtë sektorë kam njohuri dhe
përvojë më të madhe.
Fillimisht dua të
rikujtojmë se kapitulli i mjedisit në kuadër të acquis communautaire, jo vetëm që është njëri ndër kapitujt më
sfidues dhe më kompleks në aspektin e përmbushjes së obligimeve ligjore por
është edhe një nga kapitujt që kërkon më së
shumti investime në përmbushjen e standardeve mjedisore.
Kështu për
shembull përmbushja e këtij kapitulli në negociatat për anëtarësim në Bashkimin
Evropian i ka kushtuar Rumanisë rreth 20 miliard euro, ndërsa sipas
përllogaritjeve që i është bërë procesit të integrimeve të 10 vendeve të fundit
anëtare të BE-së, që e kanë kaluar këtë proces vlera e investimeve te kërkuara
për kapitullin e mjedisit ka qenë prej 2-3 % e GDP-së kombëtare.
Bashkimi Evropian sot i jep rëndësi shumë të madhe plotësimit të standardeve të ndryshme mjedisore por në qendër të vëmendjes ka disa prej tyre. Kualiteti i ajrit është një pikë shumë e ndjeshme e Bashkimit Evropian, për shkak se në ruajtjen e kualitetit të tij, BE-ja ka vënë një varg standardesh dhe limitesh për shumë parametra ndotës, përfshirë këtu Dyoksidin e Sulfurit, Dyoksidin e Azotit, Oksidin e Azotit, Grimcat e Pluhurit etj. Në rastin e Kosovës, këto standarde ende janë larg përmbushjes përkundër progresit që është arritur në monitorim dhe raportim për cilësi të ajrit dhe në identifikimin e ndotësve. Puna e madhe ende mbetet në reduktimin e ndotjes përmes masave konkrete.
Bashkimi Evropian e ka në prioritetet e tij, që të gjithë qytetarëve t’ju siguroj qasje në ujë të pijes së kualitetit të mirë, të sigurojë cilësinë e ujërave në të gjithë trupat ujorë dhe të mbrojë ekosistemet ujore. Në rastin e Kosovës, ende ka probleme të theksuara në furnizimin me ujë të pijes, kualiteti i të cilit ende nuk i përmbush standardet e kërkuara, ndërkohë që ekosistemet ujore janë shndërruar në kolektorë të ujërave të ndotura. Aktualisht asnjë nga bazenet lumore nuk ka plan menaxhues të aprovuar e lere më të flasim për implementimin e tyre.
Në mbrojtjen e biodiversitetit si çështje me prioritet janë mbrojtja e llojeve te rrezikuara dhe habitateve të tyre sikurse edhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i resurseve natyrore. Ne ende nuk kemi një vlerësim real për llojet e rrezikuara dhe habitatet e tyre ndërkohë që shfrytëzimi i resurseve natyrore është krejtësisht jashtë aspektit të parimeve të shfrytëzimit të qëndrueshëm. Vlerësimi i zonave potenciale për mbrojtje sipas kërkesave të NATURA 2000, që paraqet një rrjet të zonave të mbrojtura evropiane ende nuk ka filluar në Kosovë.
Promovimi i parimit të reduktimit të sasisë së mbeturinave, riciklimi dhe ripërdorimi tyre është në prioritetet e Bashkimit Evropian që përmbushet përmes standardeve konkrete, ndërkohë që në Kosovë gjithnjë e më shumë kemi rritje të sasisë së mbeturinave të krijuara dhe shumica e të cilave deponohen në deponi sanitare. Ndarje, reciklim apo ripërdorimi i mbetjeve në Kosovë ende mbesin ne nivel të iniciativave te vogla, pa ndonje sistem nacional te integruar.
Bashkimi Evropian e ka në qendër të vëmendjes përdorimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe reduktimin e burimeve fosile energjetike, ndërkohë që Kosova vazhdon të hartojë projekte, plane e strategji për prodhimin e energjisë nga linjiti. Invenstimet në sektorin e burimeve të ripërtëritshme përkundër që kane shënuar rritje ende nuk janë në linjë me kërkesat.
Standarde, norma dhe kufizime ka edhe në shumë segmente të tjera të mjedisit të BE-së, me të vetmin qëllim që të gjithë qytetarëve të saj ti sigurohet një mjedis i pastër dhe i shëndetshëm.
Janë rreth 20 Direktiva të Bashkimit Evropian që
rregullojnë çështjet e mbrojtjes së mjedisit, të cilat vendet që dëshirojnë të
aderojnë në BE, duhet jo vetëm që ti transpozojnë në legjislacionin nacional
por edhe ti zbatojnë në përpikëri.
Se sa larg jemi në përmbushjen e standardeve mjedisore në procesin e integrimeve evropiane e dëshmoi edhe Raportit nga Studimin e Fizibilitetit, ku në pjesën për mjedisin dhe ndryshimet klimatike ndër të tjera thuhet:
“Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore, administrative dhe kapitale për zbatimin standardeve mjedisore dhe klimatike të BE-së. Përgatitjet janë në një fazë të hershme në fushën e kontrollit të ndotjes industriale dhe menaxhimit të rrezikut. Shumica e niveleve të ndotjes janë dukshëm mbi nivelet e BE-së. Impiantet energjisë së linjitit janë burimi kryesor i ndotësve të ajrit, me disa nivele që tejkalojnë disa herë limitet e BE-së dhe OBSH. Kosova ka vetëm një impiant funksional për trajtimin e ujërave të zeza. Nuk ka strategji dhe plan veprimi për ndryshime klimatike e as objektiva ekonomike, masa dhe politika për zbutjen e ndryshimeve klimatike”.
Prandaj, Kosova
nëse dëshiron ta ketë më të lehtë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian,
qysh tani duhet të mendojë seriozisht në përmbushjen e kërkesave dhe
standardeve mjedisore të BE-së. Qysh tani duhet të fillojmë punën në mbulimin e
“gropave” në rrugën e integrimeve evropiane.
Botuar me datën 17.10.2012 në Gazetën Lajm dhe në Gazetën Kosova sot dhe me datën 18.10.2012 në Gazetën Express dhe në Gazetën Tribuna Shqiptare.

No comments:
Post a Comment