Monday, June 15, 2020

Fushata parazgjedhore dhe mbrojtja e mjedisit

Nga Afrim Berisha

Derisa fushata parazgjedhore ka hyrë në fazën finale të saj, gjithnjë e më shumë po shtohen premtimet e partive politike dhe të kandidatëve për kryetarë të komunave për llojllojshmëri projektesh e ofertash programore, në favor të përmirësimit të kualitetit të jetës dhe mirëqenies sociale të qytetarit. Çuditërisht në këtë tërë alamet premtimesh e ofertash programore ende nuk më ka rastisur të dëgjoj që ndonjë parti politike a kandidat për kryetarë komune të zë në gojë ndonjë projekt konkret për mbrojtjen e mjedisit nga kualiteti i të cilit varet direkt kualiteti i jetës së qytetarit. 


Të gjithë premtojnë zhvillim më të madh ekonomik, por askush nuk e përmend shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore dhe zbatimin e teknologjive të pastra të prodhimit. Shumica premtojnë dyfishim të kapaciteteve për prodhim të energjisë nga linjiti e shumë pak prej tyre flasim për efiçencën e energjisë dhe shfrytëzimin e burimeve alternative të energjisë. 

Gati të gjithë shpalosin projekte për ndërtim të rrugëve të reja dhe zgjerim të këtyre ekzistuese, por askush nuk e ka idenë për ndikimin e këtyre projekteve në mjedis, askush nuk flet për reduktimin e automjeteve të vjetra nga trafiku, favorizimin e transportit publik ose zhvillimin e transportit hekurudhor si transport ekologjik. 

Të gjithë kanë ide dhe projekte për zhvillimin e bujqësisë, por askujt nuk i ha palla për kualitetin e produkteve tona ushqimore që konsumojmë dhe mundësinë e prodhimit të produkteve organike (ekologjike). Premtohet për ndërtimin e ujësjellësve dhe rrjet të kanalizimeve, por askush nuk qanë kokën për mbrojtjen e resurseve ujore, kualitetin e ujërave sipërfaqësore dhe ngritjeje e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza. 

Të gjithë e dinë që Kosova ka vlera të rralla natyrore dhe potencial të madh për zhvillimin e turizmit, por askush nuk ka në programin e tyre mbrojtjen e resurseve tona natyrore, shpalljen e zonave të mbrojtura dhe ruajtjen e biodiversitetit. 

Ka gjithçka në premtimet e partive politike dhe të kandidatëve për kryetarë të komunave, madje edhe projekte krejtësisht të paarritshme dhe gënjeshtra të pa kripë, por nuk ka as më të voglin projekt për mbrojtjen e mjedisit, bile as një të tillë që do të pastronte mjedisin e Kosovës nga mbeturinat e posterave dhe ndotjeve tjera që kjo fushatë po lë pas vete. 

Me këtë rast publikisht solidarizohem me një kolegë timin i cili propozoi që edhe “premtimet boshe” të partive politike dhe “zhurmat shurdhuese” të deklaratave te politikanëve, të futen në listën e kadastrën e ndotësve të mjedisit të Kosovës. 

Ndoshta ideja se përmes promovimit të çështjes së mbrojtjes së mjedisit dhe projekteve konkrete në këtë fushë, nuk mundë të fitohet besimi i qytetarëve të Kosovës të lodhur nga varfëria dhe nga traumat politike të statusit të pazgjidhur, është ajo që ka ndikuar që partitë politike dhe kandidatët për kryetar komune të mos i japin rëndësi kësaj problematike jetikë për çdo shoqëri të civilizuar, mirëpo përmes këtij opinioni i rikujtoi të gjithëve se ka qene pikërisht lobimi për problematikat mjedisore ajo qe e ka ngritur Al Gorin, në postin e nënpresidentit dhe të kandidatit për president të SHBA-ve dhe laureatë të çmimit Nobel. 

Po ashtu, ka qenë pikërisht angazhimi në lëvizjen e të gjelbërve ajo që e ka bërë Joshka Fisherin njërin ndër diplomatët më të shquar të kohës së tij jo vetëm në Gjermani por edhe në Evropë dhe në botë. Dhe është pikërisht problematika e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale, ajo që sot ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e planetit tonë dhe që ka bërë që edhe politikanët më të mëdhenj të kohës modern ta kenë në prioritetet e programit të tyre. 

Sidoqoftë, më 17 nëntor Kosova do të votojë për një qeveri të re, e cila patjetër që në strukturën e saj do të ketë një Ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe domosdo edhe një ministër të kësaj ministrie (i cili ndoshta sërish mundë të jetë historian ose letrar), por një gjë është duhet bërë e qartë, nëse Qeveria e ardhshme nuk e ngritë në prioritetet e saj të ardhshme çështjen e mbrojtjes së mjedisit, do ta ketë shumë të vështirë ta udhëheqë Kosovën drejt integrimeve evropiane.

Tetor 2006, botuar në Gazetën Express



No comments:

Post a Comment