Saturday, June 13, 2020

Bjeshkët e Nemuna, gjithnjë e më shumë po i ngjajnë emrit që kanë!

Nga Afrim Berisha

Të njohura si Bjeshkët e Nemuna, por në terminologjinë shkencore shpesh të quajtura edhe si Alpet Shqiptare ose Bjeshkët e Rugovës, janë padyshim perla e trashëgimisë natyrore të Kosovës. Ky shkrim nuk ka për qëllim të ju njohë me vlerat natyrore të këtyre bjeshkëve sepse kjo çështje tani më është e ditur për studiuesit, adhuruesit e natyrës dhe për opinionin e gjerë në përgjithësi, por ajo që dëshirojë të vë në dukje me këtë rast është humbja e këtyre vlerave të natyrës, përpjekjet për të parandaluar këtë humbje dhe mundësitë që kemi ne si shoqëri për të bërë më shumë në mbrojtjen e këtyre vlerave të rralla natyrore.


Duke marrë për bazë faktin se shpallja e zonave të mbrojtura të natyrës është një instrument shumë efikas për të mbrojtur një zonë të caktuar natyrore, përpjekjet për të marrë në mbrojtje ligjore territorin e Bjeshkëve e Nemuna nuk kanë munguar, por ato gjithmonë kanë përfunduar pa sukses, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, të cilat do të mundohem ti pasqyrojë në këtë shkrim. 

Përpjekjet e para për të marrë në mbrojtje territorin e Bjeshkëve të Nemuna, datojnë që nga  viti 1955, kur disa nga zonat me biodiversitet më të lartë shpallen si rezervate të natyrës të llojeve të rralla bimore (Maja e Ropsit) dhe llojeve shtazore (Kozhnjeri).

Shpallja e zonave të mbrojtura në territorin e Bjeshkëve të Nemuna vazhdon edhe në vitin 1959 dhe në vitin 1963 me shpalljen e Gubavcit përkatësisht Maleve të Prilepit si rezervate bimore. Në vitin 1985, një territor pak më i madh i Bjeshkëve të Nemuna, që përfshinte vetëm Grykën e Rugovës, shpallet monument i mbrojtur i natyrës me rëndësi gjeologjike, hidrologjike, peizazhore, speologjike dhe botanike.

Përkundër rëndësisë që kishte futja në mbrojtje e këtyre zonave ato kishin një sipërfaqe relativisht të vogël krahasuar me sipërfaqen e tërësishme të Bjeshkëve të Nemuna, prandaj shumë nga vlerat e njohura natyrore të zonës kishin mbetur ende pa status të mbrojtur.

Po, në vitin 1985 ish Enti për Mbrojtjen e Natyrës dhe Ambientit të Kosovës, kishte bërë një studim dhe kishte nisur iniciativën për shpalljen e Bjeshkëve të Nemuna, Park Nacional. Kjo ishte iniciativa e parë që i tërë territori i Bjeshkëve të Nemuna të shpallej zonë e mbrojtur, por që nuk ishte finalizuar për shkak të mos përkrahjes nga komunat dhe ndryshimeve që kishin ndodhur në Kosovë.

Trashëgimia natyrore e Bjeshkëve të Nemuna fillon të shkatërrohet në fillim të viteve të 90-ta, për të vazhduar edhe gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Mirëpo, kërcënimi më i madh i vlerave natyrore të Bjeshkëve të Nemuna, nisë pas përfundimit të luftës, ku ndodhë një eksploatim i pakontrolluar të resurseve natyrore.

Në vitin 2001, me formimin e institucioneve të përkohshme qeverisëse të Kosovës, formohet edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, një institucion që kishte mandat që përveç tjera të merrej edhe me mbrojtjen e natyrës së Kosovës.

Në vitin 2002, (ish) Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës që funksiononte në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, e inicion sërish çështjen e shpalljes së Bjeshkëve të Nemuna Park Nacional. U bë një studim i serishëm i vlerave të kësaj zone, u mor mbështetja nga komunat që shtriheshin në zonën e Bjeshkëve të Nemuna, u mbajtën takime e debate me banorët e këtyre zonave, komunitetet e ndryshme dhe grupet e interesit dhe u krijuan të gjitha parakushtet për vënien në mbrojtje të Bjeshkëve të Nemuna.

Mirëpo kur pritej që çështja të finalizohej me miratimin e Ligjit për Bjeshkët e Nemuna, interesat e ngushta partiake, politike, regjionale e klanore u ngritën mbi interesat kombëtare dhe Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi ligjin i cili do të shpallte Bjeshkët e Nemuna- Park Nacional.

Ndërkohë që degradimi dhe humbja e vlerave natyrore të Bjeshkëve të Nemuna po vazhdonte. Raportohej për prerje të pakontrolluar të pyjeve, shfrytëzim pa kriter të resurseve natyrore, mbi shfrytëzim i bimëve mjekësore e madje edhe vrasje të llojeve të rralla shtazore që kishin vendbanimet e tyre në këto zona.

Nuk munguan as përpjekjet e shoqërisë civile për të bërë më shumë në mbrojtjen e këtyre vlerave.

Një rrjet i organizatave mjedisore të shoqërisë civile nga Kosova, Mali i zi dhe Shqipëria me mbështetjen edhe të disa donatorëve dhe shkencëtarëve të huaj, gjatë vitit 2004 e finalizuan iniciativën e nisur disa vite më parë për të shpallur territorin e Bjeshkëve të Nemuna në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Mali zi, si Parku Ballkanik i Paqes, një status i zonave të mbrojtura për zonat ndërkufitare natyrore, që sipas Unionit Ndërkombëtarë të Konservimit - IUCN, definohen si “zona të mbrojtura ndërkufitare që janë të dedikuara për mbrojtjen dhe kujdesin për shumëllojshmërinë biologjike, vlerat e trashëgimisë natyrore e kulturore si dhe promovimin e paqes dhe bashkëpunimit”.

U organizuan konferenca, seminare e takime me grupet e interesit dhe me donatorët, u bënë plane e programe por çështja mbeti a pa ndryshuar, për shkak se nuk kishte një koordinim të veprimeve dhe nuk kishte gatishmëri të institucioneve për të marrë vendimet e duhura.

Ndërkohë që vazhduan prerjet ilegale te pyjeve, vazhdoi rrezikimi i llojeve të rralla bimore e shtazore në përmasa edhe më shqetësuese. U intensifikuan ndërtimet e pakontrolluara dhe ndërhyrjet në ekosisteme.

Përpjekje të vogla për të bërë diçka në këtë drejtim nuk mungojnë as sot, por ato ende mbesin në kuadrin e organizimeve të vogla, të debateve dhe punëtorive që nuk kanë fuqi vendim marrëse.

Edhe pse askush nga ne nuk dëshiron që emërtimi Bjeshkët e Nemuna, të korrespondojë me fatin e këtyre maleve, të dhënat dhe zhvillimet në këtë zonë tregojnë se ajo gjithnjë e më shumë po i humb vlerat natyrore dhe se bukuritë e saj po shkatërrohen në mungesë të një përkujdesjeje profesionale.

Një proverb thotë "E ardhmja është koha në të cilën ti pendohesh, që nuk ke bërë gjërat, që mund t’i bësh sot", andaj, është koha e fundit që ne si shoqëri të bëjmë më shumë për ti mbrojtur vlerat natyrore të Bjeshkëve të Nemuna dhe ti japin kësaj zone statusin e duhur të mbrojtur që ajo e meriton.  Është koha e fundit që secili grup i interesit të kryejë detyrat e tij për ti mbrojtur Bjeshkët e Nemuna.

E para Qeveria e Kosovës, duhet patjetër që të shpallë Bjeshkët e Nemuna si zonë me interes të veçantë kombëtarë.

E dyta , Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë urgjentisht të procedoj ligjin për Bjeshkët e Nemuna, ndërsa që Kuvendi i Kosovës ta miratoi sa më shpejtë këtë ligj.

E treta, të caktohet një organ menaxhues (Drejtori) për parkun e ri nacional Bjeshkët e Nemuna i cili menjëherë do të fillojë punën në konservimin e vlerave natyrore të këtij parku.

E katërta, të gjitha institucionet si ato qeveritare, jo-qeveritare por edhe ekspertët të angazhohen për përgatitjen planeve menaxhuese dhe zhvillimore për të ardhmen e parkut, përmes së cilave do të caktoheshin prioritetet dhe do të zhvilloheshin projektet për përfitimin e donacioneve që do të shërbenin jo vetëm për mbrojtjen e vlerave natyrore të parkut por edhe për mirëqenien e banorëve lokal përmes zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm rural, ekoturizimit, promovimit të vlerave kulturore dhe formave tjera të zhvillimit të qëndrueshëm.

Një gjë është shumë e qartë, me shpalljen e Bjeshkëve të Nemuna përveç që do të mbrohen vlerat natyrore do të përfitojnë të gjithë që nga Komunat që shtrihen në këtë zonë, banorët e fshatrave që jetojnë në zonën e parkut, organizatat mjedisore të shoqërisë civile dhe në përgjithësi e gjithë shoqëria jonë, ndërsa nëse vazhdohet me trendin aktual të shfrytëzimit përveç që do të ketë humbje të vlerave natyrore do të përfitojnë vetëm një grup i ngushtë i njerëzve dhe klaneve të caktuara.

Për të argumentuar këtë po rikujtoi edhe një here definicionin e Parqeve Kombëtarë i cili thotë se: “Parqet Kombëtare janë sipërfaqe të gjera me vlera te larta natyrore, shkencore, kulturore e turistike të dizajnuara për të ruajtur integritetin e qëndrueshëm ekologjik të ekosistemeve dhe  për të mirën e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme”.

Ajo që inkurajon ende është fakti se nëse veprojmë tani do të mundë të mbrojmë një pjesë të madhe të vlerave natyrore të cilat kanë mbetur të paprekura jo për shkak të kujdesit që ka treguar njeriu ndaj tyre por për faktin se ato vlera shtrihen në zona të thella ku veprimi i njeriut nuk ka arritur, por kjo nuk garanton që ato zona do të mbesin ende të pa prekura edhe në të ardhmen.

Për të përmbyllur këtë shënim do të përdor edhe një proverb tjetër që thotë se “brezat e ardhshëm do të na gjykojnë jo vetëm për atë që e kemi bërë por edhe për atë që kemi mundur ta bëjmë dhe nuk e kemi bërë”, andaj duke vlerësuar të gjitha përpjekjet që janë bërë deri me tani i bëjë thirrje kësaj gjenerate e sidomos institucioneve vendimmarrëse që të shtojnë angazhimin për të mbrojtur Bjeshkët e Nemuna, me qëllim që edhe gjeneratat e ardhshme të kenë mundësin që ti shijojnë këto vlera të papërsëritshme natyrore.

Botuar me 4.05.2010 në Gazetën Info Press, Gazetën Zëri, në portalin Zëri.info dhe në numrin 108 të revistës Kurora e Gjelbër


No comments:

Post a Comment