Saturday, June 13, 2020

Pyjet e harruara!

Nga Afrim Berisha

Sa u a dimë vlerën dhe sa angazhohemi për mbrojtjen e pyjeve tona?

Viti që po e lëmë pas do të mbetet në kujtesë përveç tjerash edhe si viti ndërkombëtarë i pyjeve. Shpallja e vitit 2011 si Vit i Pyjeve nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, nuk ishte e rastësishme.

Shqetësimi për ruajtjen e pyjeve erdhi domosdoshëm për faktin se çdo vit në botë shkatërrohen rreth 13 milionë hektarë pyje natyrore e sidomos në zonat tropikale.

Trendi i rritjes së ndryshimeve klimatike, shpyllëzimet, djegia e pyjeve dhe shkatërrimi i tyre e nxiti OKB-në që të rrisë informimin dhe angazhimin e shoqërisë për ruajtjen e pyjeve si njëra ndër pasuritë më të mëdha të planetit.

Motoja e fushatës “Pyjet janë shtëpia jonë, ti menaxhojmë dhe ti mbrojmë ato për njerëzit” tregon  rëndësinë e madhe të pyjeve për të ardhmen e planetit dhe njerëzimit.

Vlerat e pyjeve

Kur flitet për të ardhmen e planetit dhe njerëzimit doemos fillimisht mendohet në ndryshimet klimatike që janë gjithnjë e në rritje. Shumica e ekspertëve shpëtimin e shohin pikërisht tek pyjet, për faktin se ato janë konsumuesit më të mëdhenj të Dyoksidit të karbonit dhe që kanë ndikim të jashtëzakonshëm në reduktimit e këtij gazi që konsiderohet si faktori kryesor i ndryshimeve klimatike.

Andaj ruajtja e pyjeve është një prej formave të mbajtjes konstante të ndryshimeve klimatike e në të kundërtën shkatërrimi i tyre shihet si një nga faktorët që do të ndikoi në rritjen e këtyre ndryshimeve. Por jo vetëm kontributi që japin pyjet në ndryshimet klimatikë është i vlefshëm, pyjet janë ekosisteme me vlera multidimensionale.

Pyjet u japin strehë njerëzve dhe kafshëve, ruajnë shumëllojshmërinë biologjike, janë burim i ujit, ajrit të pastër, tokës së shëndoshë, ushqimit dhe barnave mjekësore.

Pyjet jo vetëm që japin drurin si material i rigjenereushëm por rregullojnë edhe furnizimin me ujë dhe mbrojnë nga kushtet ekstreme të motit. Përveç kësaj pyjet janë zona të rëndësishme çlodhjeje me vlera kulturore e turistike.

Pra pyjet jo vetëm që janë rregullatorët më të mirë të ruajtjes së mjedisit të pastër por janë edhe një faktor ekonomik me rëndësi jetike për njeriun.

Kur flitet për vlerat ekonomike që sjellin pyjet ato janë të shumta, por ajo çka po gjen zbatim gjithnjë e më të madh në konceptet e reja mjedisore dhe në ekonominë e gjelbër kur janë në pyetje pyjet dhe vlerat e tyre është koncepti i shërbimeve të ekosistemeve. Në këtë koncept nuk llogariten vetëm përfitimet që rrjedhin nga përdorimi i lëndës drusore dhe produkteve të tjera të pyjeve por llogariten si produkte dhe të mira materiale edhe oksigjeni që pemët prodhojnë, kontributi në mbrojtjen nga erozioni, kontributi në ruajtjen e rezervave ujore që pylli së bashku me ekosistemet përmban, kontributi në ruajtjen e biodiversitetit, kontributin i filtrimit që ky ekosistem i bën ajrit dhe ujit etj.

Të gjitha këto që më parë asnjëherë nuk llogariteshin në koston e  përfitimeve që sjellin pyjet me këtë koncept llogariten si kosto të vërteta financiare.

Ja një shembull që ilustron se sa e madhe është humbja financiare nga dëmi që i bëhet pyjeve dhe ekosistemeve natyrore. Një studim i financuar nga Komisioni Evropian ka përllogaritur se humbja financiare që rezulton nga humbja e kapitalit natyror të pyjeve, shkon nga 2-5 triliardë dollarë amerikanë në vit, shumë kjo që është disa herë më e madhe sesa humbja prej 1.5 triliardë dollarësh nga kriza financiare që një vit më parë preku botën.

Pyjet e Kosovës dhe menaxhimi i tyre

Kosova mundë të krenohet me pyjet që ka por jo edhe me menaxhimin e tyre. Të dhënat flasim se rreth 42 % e territorit të Kosovës janë sipërfaqe pyjore. Sipas inventarizimit të fundit të pyjeve të bërë me ndihmën e organizatës suedeze SIDA dhe të FAO-s, në Kosovë ka rreth 52 milionë m3 dru. Rreth 33 milionë m3 u përkasin pyjeve shtetërore, ndërsa 19 milionë m3 atyre private. Rreth 60 % e pyjeve janë pyje shtetërore, ndërsa 40% të tjera janë pyje private.

Për shkak të keq menaxhimit pyjet e Kosovës gjatë viteve të fundit, kanë qenë objekt i krimit ekonomik që është manifestuar kryesisht me prerjen ilegale të tyre dhe zjarret shpeshherë të qëllimshëm që kanë shkaktuar dëme në vlera dhjetëra milionëshe. 

Pyjet e Kosovës vazhdojnë të shfrytëzohen në mënyrë të pakontrolluar si nga  individë po ashtu edhe grupe të ndryshme për interesa të ngushta.

Gjendja e rëndë sociale ka ndikuar që shumë familje ta kenë prerjen ilegale të pyjeve dhe shitjen e tyre si të vetmin burim të ekzistencës. Ndërkohë që mungesa e alternativave tjera për ngrohje po ashtu është një faktor tjetër që nxitë në prerjen e pyjeve. Sipas Agjencionit të Pyjeve, në Kosovë brenda vitit, në të dy sektorët (publik dhe privat)  në mënyre legale mesatarisht priten rreth 220.000 m3 dru teknik dhe për djegie.

Për prerjen ilegale të drurëve nuk ka shënime të sakta, por sipas vlerësimeve te APK-së, ajo është më e lartë se sa prerja legale. Kjo do të do të thotë se mesatarja sillet rreth 230.000 m3.

Llogaritet po ashtu se mesatarisht rreth 30.000 m3 dru humbin si pasoje e zjarreve dhe përafërsisht aq sasi  e drurit humbet si pasojë e tharjes dhe dëmtimit nga insektet, kërpudhat, kafshët dhe faktorët tjerë.

Nga kjo del se mesatarisht rreth 510.000 m3 masë drunore humbet brenda një viti nga pyjet e Kosovës. Edhe pse kjo shifër është ende larg limitit të mundësisë vjetore të shfrytëzimit që llogaritet të jetë rreth 900.000 m3 , megjithatë është shqetësuese, për faktin se nga prerjet ilegale dëmtohen jo vetëm pyjet e degraduara por edhe pyjet me vlera të larta natyrore sikur janë pyjet halore në Bjeshkët e Nemuna dhe në Malet e Sharrit.

Përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të bërë më shumë ne mbrojtjen e pyjeve nuk kanë dhënë rezultatet e duhura. Përkundër fushatave ndërgjegjësuese, përkundër debateve e takimeve me grupet e interesit nuk është shënuar progres i duhur. Madje as strategjia e pyjeve dhe as procesi i decentralizimit të kompetencave në sektorin e pylltarisë nuk po jep rezultatet e pritura. Janë provuar edhe masa tjera ligjore dhe ndëshkimore por pa sukses. Vetëm gjatë vitit 2010 në Kosovë janë ngritur 7.600 padi për prerjen ilegale të pyjeve apo dëmtimin e tyre dhe asnjë nga to nuk është shqyrtuar.

Të gjitha këto lindin nevojën për rishikimin e kornizës ligjore, institucionale dhe strategjike për pyjet. Për përmirësimin e gjendjes nevojitet po ashtu edhe një planifikim më i qëndrueshëm në sektorin e pylltarisë si dhe hartimi i planeve manaxhuese të integruara dhe programeve bashkëkohore për menaxhimin e pyjeve.


Botuar me 1.12.2011 në Gazetën Express dhe në portalin Telegrafi.com si dhe në Numrin 111 të revistës Kurora e Gjelbër


No comments:

Post a Comment