Toka ka qenë
simbol i burrërisë, mençurisë dhe trimërisë (“Për tokën jap edhe kokën” ose “Burri i dheut”) simbol i besës (“Pasha tokën e të parëve” ), i
legjendave (“Dheu është flori”) i
mallkimit (“Qysh po na mbanë kjo tokë”
ose “Të lëshoftë toka”) dhe i urimit
( “Lumja toka që të lindi” ose “Lumja
toka që e shkel me këmbë”). Mjafton ti përmendim vetëm disa tituj dhe do të
kuptojmë se toka ka qenë frymëzim i pashterur edhe për krijimtari letrare e
artistike ( “Toka jonë”, “Toka e
përgjakur”, “Tokë e ndezur“ ). Madje dashuria dhe malli për tokën dhe dheun
e vendlindjes tek shqiptarët është aq i thellë saqë shumë nga ata që kanë
migruar në toka të huaja kanë marrë me vete një grusht dhe nga toka e
vendlindjes.
Në fakt, kjo lidhje kaq e fortë për tokën nuk është e rastit. Toka është pasuria më e madhe e një vendi, ajo është baza e ekonomisë si dhe burim i pasurive nëntokësore dhe mbitokësore.
Ajo është e pa
krahasueshme me pasuritë tjera, sepse është mjet i pa zëvendësueshëm për
prodhimin e ushqimit dhe të mirave tjera materiale. Toka është vendbanimi i të
gjitha gjallesave, vendbanim i njeriut dhe mbartëse e vlerave natyrore e
turistike, vlerave të trashëgimisë kulturore e arkeologjike, e resurseve ujore
dhe e resurseve minerale.
Pra toka është resursi bazë për zhvillim, mirëqenie sociale dhe ardhmëri të një shoqërie. Duke e marrë për bazë këtë fakt do të duhej që edhe kujdesi dhe sjellja e jonë ndaj tokës të ishte mbi të gjitha prioritet tjera. Por, duke e parë situatën aktuale dhe qasjen që kemi ne si shoqëri ndaj tokës lindin shumë dilema dhe nuk mundet assesi të anashkalohet pyetja:
A po i japim tokës sonë rëndësinë dhe trajtimin që e meriton?
Qëllimi i këtij shkrimi është të trajtojë vetëm një segment të kujdesit që kemi ne ndaj tokës. Ky shkrim synon të vë në fokus kujdesin që ne si shoqëri kemi ndaj ruajtjes dhe mbrojtës së tokës (dheut) nga ndotja dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të saj.
Toka jonë po ndotet çdo ditë e më shumë! Situata aktuale në terren por edhe raportet
dhe hulumtimet e prezantuara deri sot kanë vënë në pah se toka jonë është duke
u ndotur çdo ditë e më shumë. Numri i madh i deponive të mbeturinave komunale
qofshin ato legale apo ilegale është njëri prej burimeve më të mëdha të ndotjes
së tokës. Deponitë e makinave të vjetra po ashtu janë burim i ndotjes së tokës
me kemikate dhe karburante e vajra e të përdorura. Deponitë e mbetjeve
industriale si dhe deponitë tjera me materiale me prejardhje nga aktivitetet e
industrisë paraqesin një burim tjetër të kontaminimit të tokave tona.
Ndërkohë që
përdorimi i pakontrolluar i plehrave kimike, pesticideve dhe kemikateve
bujqësore ka ndikim të dukshëm në ndotjen e tokave sikurse edhe derdhja ujërave
të kanalizimeve në tokë. Ndotja me metale të rënda dhe me kemikate të ndryshme
e tokës është konstatuar në disa hulumtime.
Kjo situatë bëhet
më alarmante kur kuptojmë se edhe tokat e bukës janë të kontaminuar nga këto
substanca, që e jep mundësinë që përmes zinxhirit ushqimorë të kontaminohen
edhe produktet tona ushqimore dhe të rrezikohet shëndeti publik.
Edhe sa do të zvogëlohen sipërfaqet e tokës së
bukës? Janë tejet shqetësuese dhe alarmante të dhënat
që flasin se në Kosovë, për çdo vit, rreth 500 ha të tokës bujqësore e
ndërrojnë destinacionin e tyre.
Vendbanimet e pa
planifikuara, ndërtimet pa leje në toka bujqësore, zgjerimi i zonave
industriale dhe bizneseve, gurëthyesit,
deponitë e ndryshme, ndërtimi i rrugëve dhe autostradave janë vetëm disa
prej formave të humbjes së tokës bujqësore, pa u ndalur të analizojmë humbjen e
tokës pjellore si shkak i erozionit, vërshimeve dhe përmbytjeve.
Edhe më
shqetësuese është e dhëna se ky trend i tjetërsimit të tokës bujqësore po
vazhdon ndërkohë që ende nuk ka ndonjë mekanizëm për parandalimin e tij. E
bashkë me këtë, fare nuk na bëjnë përshtypje të dhënat dhe faktet që flasim se
Kosova gjithnjë e më pak po i plotëson nevojat e saj me prodhimin e rendimentit
të grurit.
Cili është kujdesi institucional? Se sa kujdesen institucionet tona qeveritare
(në rastin konkret Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural), për mbrojtjen e tokës
nga ndotja, më së miri e tregon fakti se sot 13 vjet pas luftës ende nuk kemi
një Strategji për Mbrojtjen e Tokës nga Ndotja dhe as një Program të
Monitorimit të gjendjes së tokës (dheut).
Madje është e
pabesueshme kur dëgjon që në asnjërën nga këto dy institucione nuk ka një resor
të veçantë që merret me mbrojtjen e tokës nga ndotja dhe shfrytëzimin e
qëndrueshëm të saj.
Si rrjedhojë e kësaj ne ende nuk kemi të dhëna reale për gjendjen e tokave dhe nivelin e ndotjes së tyre, andaj mbesim të hutuar dhe pa përgjigjeje konkrete, kur raportet dhe hulumtimet e institucioneve ndërkombëtare sikur ishte ai i EULUP-it, dalin me të dhëna dhe na tregojnë se sa e ndotur është toka jonë.
Çka mundë të bëhet? Në radhë të parë duhet të përgatitet një Strategji për Mbrojtjen e Tokës nga ndotja dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të saj, ku duhet të përfshiheshin masat konkretë për zvogëlimin e ndotjes së tokës nga industria dhe sektorët tjerë, masat për ndërprerjen e trendit të ndërrimit të destinacionit të tokës si dhe masat për zvogëlimin e erozionit. Duhet të hartohet një program për monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së tokës.Duhet fuqizohet
sektori për mbrojtjen e tokës nga ndotja përmes ngritjes së kapaciteteve
institucionale, përmes rritjes së fondeve, programeve dhe projekteve konkrete
në këtë sektor.
Edhe shoqëria
civile duhet të aktivizohet më seriozisht në ngritjen e zërit kundër ndotjes
dhe shfrytëzimit të tokës, ndërkohë që mediat duhet të bëjnë më shumë në
informimin e opinionit për pasojat e ndotjes së tokës dhe zënies së sipërfaqeve
të tokës së bukës.
Ka edhe shumë çka të flitet e të
shkruhet se si duhet vepruar për të mbrojtur tokën, por në pamundësi që në një
opinion të thuhet të gjitha, ky shkrim le të shërbejë së paku si sinjal për të
grisur ndërgjegjen tonë shoqërore.
Mos luani me tokën?! Është momenti i fundit që Ne si shoqëri të bëjmë më shumë për tokën, në të kundërtën mallkimi popullor “Ju lëshoftë toka”, mundë të tingëllojë shumë real për të gjithë ata që kanë mundësi të bëjnë më shumë dhe që vazhdojnë të qëndrojnë indiferent ndaj kësaj çështje.
Botuar me datën 13.09.2012, në Gazetën Express, Gazetën Lajm, Gazetën
Tribuna Shqiptare, Gazetën Epoka e re dhe në portalin Telegrafi.com (

No comments:
Post a Comment