Monday, June 15, 2020

Kush përfiton e Kush humb nga projekti “Kosova e re”?

Nga Afrim Berisha

Sikur është bërë e ditur Qeveria e Kosovës (me presion edhe nga faktorët ndërkombëtarë me ndikim), tani më ka marrë vendimin për ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike. Vendimi ka këto pika kryesore: Ndërtimi i Termocentralit të ri me kapacitet 2000 MW (1000 + 1000), hapja e minierës së re të Sibofcit, dhënia me koncesion e kësaj miniere për 40 vite, mbyllja e Termocentralit Kosova A, regjenerimi, adaptimi dhe dhënia me koncesion i Termocentralit Kosova B. 


Por paraprakisht para se të merrej vendimi sektori i energjisë, ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër çështjet më të diskutuara në forume të ndryshme në Kosovën e pas luftës. Mungesa e energjisë elektrike dhe investimet e paqëndrueshme që janë bërë në këtë sektor, kanë ndikuar që kjo çështje të jetë në krye të problemeve të debatuara. 

Në këtë kontest, nevoja e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike ka zënë një vend shumë të rëndësishëm në debate. Konkretisht projekti “Kosova e re”, ka nxitur debatet dhe polemikat më të mëdha në mesin e grupeve të ndryshme të interesit. Natyrisht se për të marrë një vendim të drejtë dhe të balancuar do të duhej që të merreshin për bazë kërkesat dhe qëndrimet e të gjitha këtyre grupeve. 

Por, cilat janë këto grupe të interesit? 

Cilat kanë qenë kërkesat e këtyre grupeve? 

Sa janë marrë për bazë këto kërkesa në marrjen e vendimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike? 

Çka do te përfitojnë dhe çka do të humbin këto grupe nga zbatimi i projekti “Kosova e re”? 

Në këtë artikull, do të mundohem ti prezantojë disa nga grupet kryesore të interesit, të cilat qëndrimet e tyre i kanë bërë publike përmes debateve dhe prezantime tjera publike. 


Konsumatorët (Qytetarët e Kosovës) 

Është grupi më i madhe dhe do të duhej të ishte më me ndikim në procesin e vendimmarrjes për ndërtimin e kapaciteteve të reja, por që fatkeqësisht ka qenë njëri prej grupeve më të pa përfillura. Kërkesa e tyre, kanë qenë të ketë energji të mjaftueshme dhe të lirë, të kenë mjedis të shëndetshëm dhe që do të ndikohet pak nga ngritja e kapaciteteve të reja, shfrytëzim të qëndrueshëm të resurseve natyrore, më shumë vende pune, mirëqenie sociale dhe rritje ekonomike për Kosovën. 

Mund të parashikojmë që një pjesë e kërkesave të këtij grupi do të përmbushet. Përfitimi nga projekti “Kosova e re” i këtij grupi do të jetë energjia e mjaftueshme, ndonjë vend i ri pune dhe pak ngritje ekonomike. Humbjet kryesore që do të ketë ky grup nga projekti janë: mjedisi i tyre jetësor më i ndotur, humbja e të drejtës për menaxhimin e pjesës më të madhe të resurseve energjetike nëntokësore, por mundë të jetë edhe kosto më e lartë e energjisë elektrike. 

Investitorët 

Janë grupi me më ndikim i interesit dhe që ka pasur njërin prej roleve kyçe në marrjen e vendimit për ngritjen e kapaciteteve te reja energjetike. Kërkesa e tyre ka qene që të ndërtohen kapacitete energjetike me kapacitet maksimal (2100 MW), të kenë në pronësi shumicën e aksioneve, të menaxhojnë minierën me koncesion për periudhë 40 vite. 

Ky grup njëherit do të jetë edhe përfituesi më i madhe nga zbatimi i projektit pasi që do të ketë të sigurt tregun për energjinë e prodhuar, do të jetë aksionari dhe menaxhuesi kryesor i produkteve të projektit. Humbje eventuale që mundë të ketë ky grup, është ndikimi i krizës globale ekonomike dhe obligimet për përmbushjen e standardeve mjedisore të cilat janë gjithnjë e në rritje. 


Shoqëria Civile 

Si grup i rëndësishëm i interesit, edhe organizatat e shoqërisë civile kanë qenë shumë aktive në dhënien e sugjerimeve dhe paraqitjen e kërkesave të tyre për marrjen e vendimit për projektin “Kosova e re”. Kërkesat e tyre kanë qenë që të ndërtohen kapacitete energjetike me fuqi mesatare (deri në 600 MW), që minierat e qymyrit të jepen në koncesion maksimalisht për 20 vite, që termocentrali i ri të ngritët me kredi dhe fonde të shtetit të Kosovës, dhe qytetarët e Kosovës të kenë mbi 50 % pjesëmarrje ne aksionet e projektit. 

Përfitimi e këtij grupi nga projekti “Kosova e re” mundë të ndërlidhen vetëm me prodhimin e energjisë se mjaftueshme, hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin më të shpejtë ekonomik të vendit. Humbjet mundë të ndërlidhen kryesisht me ndotjen e mjedisit nga kapaciteti i lartë prodhues i termocentralit të ri, humbja e të drejtës për menaxhimin e pjesës më të madhe të resurseve energjetike nëntokësore, pjesëmarrja e vogël e shtetit të Kosovës në aksionet e projektit dhe shfrytëzimi i paqëndrueshëm i resurseve energjetike. 

Ambientalistët 

Qëndrimet e këtij grupi të interesit po ashtu do të duhej të ishin marrë në konsideratë në procesin e vendimmarrjes. Edhe pse ky grup ka qenë shumë aktiv në këtë proces, kërkesat e tyre fatkeqësisht ka qenë gati të papërfillshme në marrjen e vendimit. Kërkesa e tyre, kanë qenë të ndërtohen kapacitete të vogla energjetike me bazë qymyri (deri 300 MW), ti kushtohet rëndësi primare mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të njeriut, shfrytëzimi i resurseve energjetike të jetë i qëndrueshëm dhe në interes të mjedisit dhe të mbyllen kapacitetet e vjetra energjetike. Pritet që shumë pak nga kërkesat e këtij grupi të përmbushet. Përfitimi i vetëm nga projekti “Kosova e re” i këtij grupi nuk do të jetë mbyllja e “Kosovës A”, që llogaritet një ndër ndotësit kryesorë të mjedisit dhe riparimi i Kosovës B. Është grupi që pritet të ketë humbjet më të mëdha nga projekti. 

Humbje këto që janë të orientuara kryesisht në ndotjen edhe më të madhe të mjedisit, shëndetin më të rrezikuar të qytetarëve dhe shfrytëzimin e pakontrolluar të resurseve natyrore. 

Duke i parë kërkesat e grupeve të interesit, është pritur që të merrej një vendim i balancuar dhe i cili do ti merrte për bazë interesat e të gjitha grupeve. 

Por, vendimi përfundimtarë për ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike, nuk e plotëson këtë kusht. Disa nga grupet e interesit janë favorizuar maksimalisht ndërkohë që disa të tjera janë injoruar tërësisht. 

Edhe në këtë rast Qeveria e Kosovës sikurse në shumicën e vendimeve tjera madhore ka qenë e ndikuar në masë të madhe nga faktorët ndërkombëtarë qofshin ata ekonomik apo politike. 

Në rastin konkret zgjidhja më e mirë do të ishte nxjerrja e një vendimi të balancuar duke u mbështetur në tri parimet e zhvillimit të qëndrueshëm: zhvillim ekonomik, mbrojtje e mjedisit dhe mirëqenie sociale. 

Ndoshta nuk është e tepërt që me këtë rast të rikujtojmë nocionin e zhvillimit të qëndrueshëm i cili thotë: “Zhvillimi i qëndrueshëm është zhvillimi që plotëson nevojat e së tashmes, pa shtrënguar ose prekur mundësitë dhe kapacitetet që edhe brezat e ardhshëm të plotësojnë nevojat e tyre”. 

Ajo, çka mbetet tani është të shihet nëse vendimi i Qeverisë është i bazuar në këto parime dhe nëse ky është vendimi më i mirë për të ardhmen e Kosovës?

Qershor-Korrik 2009, Pjesë e debatit “pro” dhe “kundër”, ndërtimit të Termocentralit “Kosova e re”


No comments:

Post a Comment