“Biodiversiteti është jeta në tokë” kjo thënie përdoret në shumë raste për të elaboruar në mënyrë më konkrete konceptin e biodiversitetit dhe për të sensibilizuar publikun e gjerë për rëndësinë që ka mbrojtja e biodiversitetit për të ardhmen e njerëzimit. Mund të thuhet lirisht se jeta e njerëzimit në tokë është e varura nga biodiversiteti. Biodiversiteti ose sikur njihet ndryshe diversiteti (llojllojshmëria) e gjeneve, specieve dhe ekosistemeve në planetin tokë ka rëndësi të shumëfishtë për jetën e njeriut.
Diversiteti i
ekosistemeve natyrore, pyjet dhe tokat e lagura (ligatinat) i ofrojnë shoqërisë
njerëzore një varg dobish si: ushqim, ujë të pijshëm, ajër të pastër, tokë të
shëndoshë, rekreacion, mbrojtje nga
kushtet ekstreme të motit dhe shumë përfitime të tjera.
Në shumë vende të botës shfrytëzimi i qëndrueshëm i biodiversitetit është çelës i zhvillimit ekonomik dhe potencial kryesor i zhvillimit të turizmit. Konsiderohet se rreth 40 % e ekonomisë botërore dhe 80 % e nevojave të njeriut, sot plotësohen nga resurset biologjike.
Në kuadër të përpjekjeve globale për të bërë më shumë në ruajtjen e kësaj vlere të pazëvendësueshme natyrore, Kombet e Bashkuara e kanë shpallur vitin 2010 si Viti i Biodiversitetit. Moto e kremtimit të kësaj ngjarjeje është “Bidoversiteti është jeta, Biodiversiteti është jeta e jonë”, që ka qëllim të sensibilizojë opinionin që këtë vit ta konsiderojnë si festë të jetës në tokë dhe të vlerës së biodiversitetit për jetën tonë.
Kombet e
Bashkuara kanë bërë thirrje që anë e këndë botës të ndërmerren veprime nga
institucionet qeveritare, organizatat e shoqërisë civile, por edhe nga
individët, për të mbrojtur larminë e jetës në tokë dhe për të rritur vetëdijen
e publikut për rëndësinë e biodiversitetit.
Humbja e
biodiversitetit përkrahë ndryshimeve klimatike, sot konsiderohen ndër problemet
më të mëdha globale mjedisore, andaj ajo ndodhet në krye të agjendave jo vetëm
të OKB-së, por edhe të shumicës së organizatave botërore vendimmarrëse.
Sipas te dhënave të OKB-se, tri specie po zhduken për çdo orë. Një e treta e koraleve, rreth 12 % e shpendëve, 23 % e gjitarëve, 25 % e halorëve dhe 32 % e ujëtokësorëve në botë janë të rrezikuara për zhdukje. Supozohet se vetëm në 50 vitet e fundit, veprimet e njeriut e kanë ndryshuar diversitetin e jetës në planet më tepër se në çdo etapë tjetër të historisë së njerëzimit.
Të dhënat flasin
se vetëm në njëqind vitet e fundit, zhdukja e specieve e shkaktuara nga njeriu
është shtuar rreth njëmijë herë. Pra, ritmi me të cilin kafshët dhe bimët po
zhduken, sot është nga njëqind deri në njëmijë herë më i shpejtë sesa do të
duhej të ishte.
Vlerësimet shkencore parashikojnë se me ritmet e sotme të shpyllëzimeve, brenda 25-30 viteve të ardhshme do të zhduken deri në 10 % te llojeve të njohura në planet.
Pasojat e kësaj humbje po reflektohen edhe në ekonominë botërore dhe në mirëqenien e njerëzimit në përgjithësi. Shembulli më konkret janë të dhënat e fundit mbi rezervat e peshkut në botë të cilat flasin se këto rezerva janë reduktuar deri në 90 %, që nga fillimi i industrisë se peshkimit.
Ekspertët
supozojnë se nëse do të vazhdohet me këtë trend, humbja e biodiversitetit do të
ketë pasoja të pa riparueshme për njerëzimin.
Një fakt tjetër
alarmues, është zhdukja e llojeve që ende nuk janë bërë të njohura për
njerëzimin. Besohet se në zonat e pashkelura anë e kënd botës mund të ketë 6
deri në 12 milionë specie të kafshëve dhe bimëve ende të panjohura për
shkencën. Ndërkohë që bëhet e ditur se rreth 11.4 % e mjediseve të paprekura në
botë janë ndryshuar nga veprimet e njeriut.Zhdukja e këtyre llojeve pa i ditur
vlerat e tyre do të thotë zhdukja e mundësive të njerëzimit për të zbuluar të
mirat që mund të sjell shfrytëzimi i drejtë i tyre. Shumë lloje bimore kanë
vlera të jashtëzakonshme shëndetësore, andaj zhdukja e tyre do të thotë zhdukje
e kësaj vlere.
Aq më tepër, kjo
konsiderohet humbje e madhe edhe për faktin se këto lloje që kanë jetuar dhe
evoluar në mijëra milionë vjet nuk mund të krijohen përsëri. Përpjekjeje për të
zvogëluar trendin e zhdukjes së llojeve janë duke u bërë edhe në Bashkimin
Evropian. BE-ja, ka prezantuar një strategji afatgjate për biodiversitetin, me
objektiva mesatare për vitin 2020-të dhe përfundimtare për vitin 2050. Kjo
strategji ka për qëllim kryesorë vënien në zbatim të plotë të planit Natura
2000, i cili është një sistem i zonave të mbrojtura të natyrës, me synim
thelbësorë për ruajtjen e habitateve të kafshëve të egra.
Edhe Kosova si
edhe shumica e vendeve të botës po përballet me problemin e humbjes se
biodiversitetit.
Shkatërrimi i
pyjeve, degradimi i ekosistemeve natyrore, zgjerimi i zonave urbane, gjuetia
ilegale dhe mbledhja e pa kontrolluar e bimëve mjekësore janë vetëm disa prej
faktorëve, që po ndikojnë në humbjen e biodiversitetit tek ne. Përballë
problemeve kombëtare në humbjen e biodiversitetit dhe përballë trendëve e përpjekjeve
globale për të zvogëluar humbjen e biodiversitetit, ne nuk guxojmë të qëndrojmë
indiferent.
Prandaj, krahas
sensibilizimit të opinionit për rëndësinë që ka ruajtja e biodiversitetit, ne
si shoqëri, duhet të bëjmë më shumë edhe në planin stratergjik dhe
institucional. Finalizimi i strategjisë
dhe planit të veprimit për biodivesitetin dhe forcimi i institucioneve që
merren me mbrojtjen e natyrës janë disa prej nevojave emergjente. Ndërkohë që mbetet punë për tu bërë edhe në
zgjerimin e rrjetit të zonave të mbrojtura, mbrojtjen e pyjeve, hartimin e
programit për monitorimin e biodiversitetit, inventarizimin e llojeve dhe
habitateve, hartimin e listës së kuqe të llojeve etj.
Duke qenë pjesë e trendeve globale dhe evropiane për mbrojtjen e biodivesitetit dhe duke treguar përkushtimin tonë në ruajtjen e këtyre vlerave natyrore ne dëshmojmë edhe vlerat e shoqërisë sonë dhe përkushtimin tonë në procesin e integrimeve evropiane dhe përmbushjen e obligimeve që dalin nga direktivat dhe konventat ndërkombëtare për biodversitetin. Andaj, ky është një rast i mirë që të angazhohemi të gjithë që të ruajmë vlerat e biodiversitetit, të mbrojmë jetën në tokë, të mbrojmë të ardhmen tonë dhe të ardhmen e gjeneratave që do të vijnë pas nesh.
Me rastin e shpalljes se vitit 2010, Vit i Biodiversitetit nga Kombet e Bashkuara, Botuar me 22.05.2010 në Gazetën InfoPress dhe Gazetën Express

No comments:
Post a Comment